1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për koalicionin qeveritar në Gjermani

5 Janar 2010
https://p.dw.com/p/LLML
Fotografi: picture-alliance/dpa

Mosmarrëveshjet e shumta në koalicionin qeveritar rreth tatimeve, por edhe pakënaqësitë me udhëheqjen e koalicionit, kanë zënë një vend të posaçëm në komentet e gazetave të sotme gjermane.

"Pengesat e koalicionit qeveritar në fillim të Vitit të Ri 2010 janë ato që ishin edhe në fund të vitit të kaluar", vëren komentatori i gazetës "Die Tagespost" dhe shton: "Përderisa tek partitë e Unionit CDU/ CSU dhe liberalët punët shkojnë si në një kotec pulash, askush nuk duhet të çuditet që po bie edhe besimi ndaj kësaj qeverie. Këtë koalicion nuk mund ta kryesosh, por duhet ta drejtosh. Në qoftë se është e domosdoshme, atëherë edhe me mjete më të forta. Ka ardhur koha e fundit që t'u jepet fund grindjeve si në kohën e negociatave për krijimin e koalicionit qeveritar dhe të fillohet nga puna. Ai që qeveris në kohën e krizës, duhet të jetë serioz, solid dhe sovran. Deri tani kjo nuk po vërehet. Përkundrazi po dëgjohen vetëm shumë kakarisje", pohon komentatori i gazetës "Die Tagespost".

Fjalë aspak më të mira për zhvillimet në koalicionin qeveritar të Gjermanisë nuk ka as gazeta "Augsburger Allgemeine".

"Mënyra se si është debatuar javët e fundit për çështjen e tatimeve i ngjan nja shfaqje komike në teatër. Gati rregullisht shfaqja fillon me paraqitjen e një politikani liberal, i cili kërkon lehtësime të tjera fiskale. Pason një ekspert kristiansocial, i cili propozon madje që disa tatime të rriten. Dhe në fund fillojnë t'ia shkulin flokët njëri - tjetrit. A thua kështu e përfytyrojnë qytetarët e një qeveri federale? Me siguri që jo. Ka ardhur koha që kjo kakafoni të përfundojë. Koalicioni duhet të bierë dakord për një politikë të përbashkët financiare", konstaton komentatori i gazetës "Augsburger Allgemeine".

Ndërsa e përditshmja "Rhein-Neckar-Zeitung" analizon edhe më detajisht rolin e udhëheqjes së koalicionit qeveritar.

"Duket se kancelarja Angela Merkel ende nuk e ka gjetur veten në koalicionin e ri mes partive të Unionit CDU/CSU dhe lieberalëve. Përderisa në koalicionin e madh me Partinë Socialdemokrate kancelarja duhej ta luante rolin e moderatores, koalicioni i tanishëm ka nevojë për një dorë më të fortë, që nuk është shumë në natyrën e saj. Por në qoftë se provon ta anashkalojë problemin e marrëdhënieve në koalicion, shumë lehtë mund të ndodhë që edhe një vit më vonë, në fillim të 2011-ës të themi: viti i ri me grindjet e vjetra", pohon komentatori i "Rhein-Neckar-Zeitung".


Autor: Bahri Cani/dpa

Redaktoi: Auron Dodi