1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shtypi gjerman mbi zhvillimet e fundit në Kosovë

Ngjarja e mbrëmshme në veri të Kosovës gjen pasqyrim në shtypin e sotëm gjerman

Shtypi gjerman

Shtypi gjerman

Tagesspiegel:

"Veriun e dominuar nga serbët shumica shqiptare e Kosovës e ka halë në sy që prej fundit të luftës së NATO-s në 1999-ën. Ai më shumë kontrollohet nga Beogradi se sa nga Prishtina. De facto mbizotëron gati mungesë e plotë ligji: Kontrabanda me Serbinë lulëzon. Beogradi lufton çdo integrim të veriut në institucionet e Kosovës dhe përpiqet me sukses të konsiderueshëm të vështirësojë konsolidimin e shtetit të karakterizuar prej korrupsionit dhe varfërisë. Për shembull, Serbia nuk lejon të kalojnë mallra nga Kosova, të cilat mbajnë vulën e doganës së Kosovës së pavarur. Tani, pas më shumë se dy vjetësh, Prishtina vendosi kundër-masa dhe bllokoi të gjitha importet nga Serbia, e cila në gjashtëmujorin e parë 2011 livroi në Kosovë mallra me vlerë më shumë se 200 milionë euro. Por në veriun e Kosovës ky vendim për embargo nuk u zbatua në dy pikëkalime kufitare, dhe në përfundim kjo çoi te aksioni i policisë speciale.

Spiegel Online:

"Përfaqësia gjermane në OKB në Nju-Jork bëri të ditur, se Këshilli i Sigurimit do të merret sot (të enjten) me incidentet në pikëkalimet kufitare. Tema do të trajtohet në një mbledhje me dyer të mbyllura, u tha. Gjermania drejton këtë muaj instancën më të pushtetshme të OKB-së. Por, nuk do të ketë një mbledhje të jashtëzakonshme të hapur, siç e kërkoi Beogradi. Nga qarqet e diplomatëve u tha, se fillimisht ka rëndësi krijimi i një tabloje të qartë të gjendjes.

Kosova është vatra e vazhdueshme e krizës së Evropës

Për arsye të grindjes negociatat e ndërmjetësuara prej BE-së mbeten pezull. Serbia druan, se mos e njeh ndërkombëtarisht Kosovën po të pranojë vulat e saj doganore. Beogradi do ta riintegrojë provincën e shkëputur. Por, Kosova është njohur ndërkohë nga më shumë se 70 shtete. Ndër to është shumica e anëtarëve të BE-së, SHBA-ja, Kanadaja, Japonia, Turqia dhe Arabia Saudite. Zgjidhja e grindjes është një parakusht në mënyrë që Serbia të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE."

Autor: Tagesspiegel,Spiegel Online(ej)

Redaktoi: M. Kelmendi