1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shtypi gjerman mbi zhvillimet aktuale në Ballkan

Shtypi gjerman analizon zhvillimet e fundit në Ballkan, si vendimin për projektin e gazsjellësit TAP, i cili do të kalojë edhe përmes Shqipërisë, por edhe anëtarësimin e Kroacisë në BE, më 1. Korrik.

Gazeta gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" nën titullin "Gazi kaspik ngta 2018 shkon në Itali" shkruan se "vite me radhë konsorciumet Nabucco dhe TAP luftuan për të fituar furnizimet me gaz të Azerbajxhanit nga viti 2018. Trans-Adriatic-Pipeline (TAP, dhe me këtë edhe "rruga e jugut" përmes Greqisë, Shqipërisë, e deri në Itali fitoi kundrejt "rrugës ballkanike" që përfundonte në Austri. Bashkimi Europian dhe qeveria gjermane kanë mbështetur krijimin e një gazsjellësi të ri drejt Europës, për të thyer me këtë monopolin rus të Gazpromit në lindje, për të siguruar më shumë konkurrencë çmimesh dhe siguri në furnizimin e popullsisë."

Pse fitoi TAP?

Gazeta FAZ komenton arsyet për marrjen e vendimit pro projektit TAP, i cili mbështetet nga koncerni norvegjez, Statoil, koncerni zviceran Axpo dhe ai gjerman Eon me 15% pjesëmarrje, koncerni azerbajxhanas Socar dhe gjigandi energjitik francez, Total. "Një rol për marrjen e një vendimi të tillë ka gjasa të ketë ndikuar fakti që Socar sapo ka blerë rrjetin energjitik grek të gazit. Në vitin 2012, Azerbajxhani dhe Turqia nënshkruan një kontratë për ndërtimin e një gazsjellësi nga Deti Kaspik deri në kufirin turk, gazsjellësin Transanadollin, Tanap). 16 miliardë metërkubik gaz do të pompojë Azerbajxhani nga viti 2018 nga "fusha Shah Deniz II" në drejtim të perëndimit."

Partitë bëjnë ç'të duan

Ndërkohë po e përditshmja gjermane, FAZ boton të enjten edhe një artikull me titull "Demokracitë e pushtuara" - Transparency International mbi kandidatët që synojnë anëtarësimin në BE", në të cilin pas theksit pozitiv se 12 vjet pas fundit të konfliktit të armatosur, Ballkani tanimë është një rajon në paqe, nënvizohet fakti se demokracitë në Ballkan nxjerrin në pah defekte të mëdha demokratike. Një raport i Transparency International i publikuar të martën ka studiuar favorizimet dhe lidhjet partiake në Ballkan.

"Të blesh influencën: Paraja dhe pushteti në Ballkan titullohet studimi për gjendjen e kandidatëve për anëtarësim, Maqedoni dhe Serbi, si edhe kandidatëve potencialë, Shqipëri dhe Kosovë. Bosnje-Hercegovina nuk është pjesë e studimit....Çështjet që shtrohen në studim janë sa të thjeshta aq të sakta: Çfarë ligjesh ekzistojnë për financimin e partive?Duhet që partitë të publikojnë financuesit dhe donatorët? Lejohen donacione në dorë? Kush e mbikqyr respektimin e këtyre rregullave?...Përfundimi: Partitë mund të bëjnë ç'të duan, veprimet e tyre me financat janë të paprekshme. Madje edhe aty ku "krahasimisht ekzistojnë ligje të forta', dhe ndëshkimi, zbatimi i ligjit është thuajse inekzistent."

Kroacia dhe Josip Perkoviçi

Kroacia dhe anëtarësimi i këtij vendi në BE është një ndër temat e tjera të trajtuara nga shtypi gjerman. Gazeta gjermane "Die Zeit" sjell një këndvështrim tjetër, krahas artikujve urues për pranimin e Kroacisë në BE. Nën titullin "Merkel i qëndron larg festës kroate të anëtarësimt" gazeta shkruan se kancelarja gjermane Angela Merkel ka anuluar vizitën në Zagreb duke krijuar një lidhje mes mospjesëmarrjes së Merkelit në festime dhe aferës për ish-shefin e shërbimit sekret, kroatin Josip Perkoviç. Sipas gazetës qeveria mbron një ish-shef të shërbimit sekret nga dalja para drejtësisë.

"Josip Perkoviç bëhet përgjegjës për vrasjen e një disidenti në Gjermani në vitin 1983. Qeveria kroate me një procedim të shpejtë të një ligji synon të shpëtojë ish-shefin e shërbimit sekret nga esktradimi. Një zëdhënës i Merkelit megjithatë u shpreh se kjo nuk është arsye për anulimin e vizitës së Merkelit në Kroaci. Opozita kroate ka bërë përgjegjëse megjithatë qeverinë e vendit. 'Ju luajtët me zjarrin dhe u dogjët aty'", citon gazeta gjermane "Die Zeit", ish-ministrin e Jashtëm kroat, Gordan Jandrokoviç.