1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shtypi gjerman: Më në fund drejtësi në rastin e El Masrit

Vendimi i Gjykatës për të drejtat e njeriut në Strasburg për dëmshpërblimin e Khaled El Masrit prej shtetit maqedonas ka shkaktuar reagime të shumta në shtypin gjerman.

"Gjermani me origjinë nga Libani Khaled El Masri do të marrë një dëmshpërblim prej 60.000 eurosh pas një procesi, që zgjati me vite të tëra. Ai pati fat në pafatësinë, që e ka gjetur vite më parë. Ai është kthyer në Gjermani dhe e ka bërë publik rastin, gjë që shpesh ka një vlerë më të madhe se secili proces gjyqësor. Por ai vendosi të ndjekë edhe rrugën e drejtësisë (...) Kjo nuk do të thotë se rreziku nga terrorizmi është zvogëluar dhe ai kërkon përgjigje adekuate. Por të gjitha kritikat duhet të shqyrtohen prej organeve juridike", shkruan gazeta "Frankfurter Allgemeine".

Ndërsa "Neue Osnabrücker Zeitung" komenton: "Drejtësia vlen për të gjithë. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ishte instanca e fundit, ku Khaled el Masri ka mundur të kërkojë drejtësi. Pas plot nëntë vitesh erdhi vendimi: Maqedonia duhet t'i paguajë atij dëmshpërblim në vlerë prej 60.000 eurosh. Gjykatësit në Strasburg kanë bërë të qartë edhe një gjë: në respektimin e shtetit juridik dhe heqjen dorë nga dhuna nuk duhet të ketë asnjë përjashtim. Të drejtat elementare duhet të respektohen, edhe kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizmit. Në histerinë e krijuar pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 disa gjëra nuk janë bërë si duhet. Pas këtij vendimi mund të konstatohet se edhe SHBA-ja dhe CIA duhet të paguajnë dëmshpërblim, por kjo nuk është në kompetencat e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut."

"Më në fund drejtësi", shkruan gazeta "Frankfurter Rundschau". "Vendimi në rastin e Khaled el Masrit ka sensibilizuar opinionin për shkeljet e rënda të të drejtave të njëriut në luftën e SHBA-së kundër terrorizmit. El Masrit i janë dashur nëntë vjet procese për të gjetur pak drejtësi. Khaled el Masri është arrestuar në dhjetor të vitit 2003 në Maqedoni, nën dyshimin për pjesëmarrje në aksionet terroriste. Në një hotel në Shkup ai është keqtrajtuar 23 ditë me radhë dhe më pas autoritetet maqedonase e kanë dorëzuar atë në duart e shërbimit sekreat amerikan CIA. Amerikanët e kanë dërguar në një burg në Kabul, ku e kanë keqtrajtuar katër muaj. Më pas ai është sjellë sërish në Evropë dhe është liruar në territorin e Shqipërisë, pasi u konstatua se dyshimet ishin të pabaza. Vendimi i tanishëm dëshmon se ka pasur shkelje shumë të rënda të të drejtave të njeriut në luftën kundër terrorizmit pas vitit 2001", komenton "Frankfurter Rundschau".