1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shtypi gjerman : Kosova kalon provën e parë të demokracisë

Zgjedhjet lokale në Kosovë gjejnë jehonë në shtypin gjermanofon të së martës. Thuajse njëzëri komentatorët vlerësojnë rrjedhën e qetë të votimeve.

default

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton: "Zgjedhjet e para në Kosovë më shumë se një vit e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë janë padyshim një hap i rëndësishëm, pavarësisht se në këto votime duhej të zgjidheshin vetëm kryetarët e bashkive dhe këshillat komunale. Kosovarët për herë të parë i organizuan vetë këto votime. Nga ana tjetër pjesëmarrja e ulët me 45 përqind të fut në mendime. (...) Shumica e rreth njëqind mijë serbëve, që jetojnë në Kosovë nuk morën pjesë në votime. (...) Nje vend, në të cilin sipas vlerësimeve kuota e papunësisë është 40 përqind dhe emigracioni i të rinjve është bërë endemik, nuk mund të konsideorhet si i konsoliduar. Kosova ende ka një rrugë me pengesa përpara."

Për komentatorin e "Süddeutsche Zeitung" " stabiliteti politik në Kosovë është prioriteti më i rëndësishëm i vendeve perëndimore, të cilat e kanë njohur pavarësinë e këtij rajoni. Pas dy javësh në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës hapet procesi dhjetëditor i konsultimit mbi legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës. Në këtë sfond Kosova do të prezantohet si një shtet funksionues."

E përditshmja zvicerane "Neue Zürcher Zeitung" nën titullin "Pakica serbe është e përçarë në Kosovë" komenton: "Sot në Kosovë ekzistojnë dy rende juridike. Ndërsa në territoret e drejtuara prej qeverisë në Prishtinë zbatohet kushtetuta e re, në pjesën veriore të banuar në mënyrë kompakte prej serbëve, ku nuk vepron qeveria e Prishtinës, mbetet si bazë ligjore Rezoluta 1244 e OKB-së. Vendimtare për suksesin ose mossuksesin e misionit të BE-së do të jetë, nëse ky mision ia del që të jetë i pranishëm më shumë se sa vetëm në mënyrë simbolike në pjesën serbe, që de facto kontrollohet prej Beogradit."

"Tageszeitung" analizon: "Me pjesëmarrjen relativisht të lartë të serbëve në zgjedhje u përmbush një dëshirë e organizatave ndërkombëtare. Reforma e komunave, e vlefshme qysh nga shpallja e pavarësisë tani po vihet në jetë. Ndarja e re e komunave ia zgjeron mundësitë popullsisë serbe. Megjithëse serbët përbëjnë vetëm gjashtë përqind të popullsisë, tani ato mund t' i kenë vetë gjërat nën kontroll në një të kartërtën e territorit ose të paktën mund të bashkëvendosin. Këta zgjedhës serbë, kryetarë bashkishë dhe këshillat bashkiake me pjesëmarrjen në zgjedhje treguan, që të paktën faktikisht ata e njohin kushtetutën dhe pavarësinë e Kosovës. Nga ana tjetër me këto zgjedhje doli në pah edhe përçarja mes popullsisë serbe në Kosovë. Në Veri të Mitrovicës, që kufizohet direkt me Serbinë dhe dominohet prej nacionalistëve radikalë, zgjedhësit iu përgjigjën thirrjes së Beogradit për bojkot. Në enklaven e Jugut në të kundërt, shumë që nuk patën guximin të votojnë, duan zgjidhje pragmatike të konflikteve dhe marrëdhënie fqinjësie me popullsinë shqiptare, pra ato duan një normalizim, që është edhe kusht për rigjallërimin ekonomik."

Autor : Vilma Filaj - Ballvora

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 17.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KZ2t
  • Data 17.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KZ2t