1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shtypi gjerman: Kosova dhe "pavarësia e klasit të dytë"

Kosova do të ketë kodin e saj telefonik, e Serbia pushtetin - shkruan gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung, e cila analizon edhe gjendjen e brendshme në veri të Kosovës.

Mediat gjermane i kanë kushtuar së fundi vëmendje të madhe gjendjes në Ballkan dhe në veçanti raporteve shqiptaro-serbe, pas murit, arrestimit të Haradinajt, trenit  dhe dështimit të raundit të fundit të dialogut. Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) shkruan se Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008 por rezultoi që kjo të jetë një "pavarësi e klasit të dytë".

"Anëtarësimin e Kosovës në OKB po e eviton Serbia përmes vetos së mikut të saj Rusisë në Këshillin e Sigurimit. Pasi anëtarësimi në OKB është kusht për anëtarësim edhe në shumë organizata të tjera, shkaktohet një reagim zinxhir që rezulton me mbylljen e dyerve në shumë prej tyre".  Kosova është anëtarësuar në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në federatat e futbollit FIFA dhe UEFA. Por jo edhe në organizatat e tjera siç janë Unioni i Telekomunikacionit Ndërkombëtar (ITU), një nënorganizatë e OKB-së. Në negociatat e Brukselit palët janë marrë vesh që Kosova të ketë një prefiks telefonik, të cilin Serbia e quan ‘gjeografik', jo ndërkombëtar. FAZ nënvizon se Serbia i arrin marrëveshjet me Kosovën vetëm nëse bëhet fjalë për Kosovo/a* – pra me një fusnote, që dëshmon se Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës.

Gazeta FAZ shkruan se Kosova ka paguar deri tani rreth 220 milionë euro për shfrytëzimin e prefiksit të Monakos dhe të Sllovenisë për dy rrjetet e telefonisë mobile. Po ashtu për çdo bisedë apo mesazh telefonik Monaco Telecom dhe Telekom Slovenija arkëtojnë mes 20 deri 50 për qind të shumës. Ndonëse Kosova do të ketë prefiks telefonik, bisedat me Serbinë do të zhvillohen me tarifë lokale. Serbët e Kosovës mund të kenë në të ardhmen edhe rrjetin e tyre të telefonisë mobile.

Në anën tjetër, komunat dhe enklavat e pakicës serbe në Kosovë në të ardhmen edhe formalisht do të jenë një lloj shteti brenda shtetit të Kosovës, shkruan gazeta. Për këtë kanë rënë dakord qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë në negociatat e Brukselit. Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të ketë stemën dhe flamurin e vet dhe do të administrojë vetë politikën arsimore, shëndetësore dhe sociale. Gazeta shkruan se serbët e Kosovës do të kenë një ‘parlament' të vetin me ‘qeveri' dhe ‘president', të cilët do t'i përfaqësojnë ata ndaj Prishtinës.

Ata po ashtu mund të zgjedhin shefin e tyre të policisë, ndonëse ai formalisht do të emërohet nga autoritetet kosovare.  Por si "më i rëndësishmi" vlerësohet financimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe drejtpërdrejt nga Serbia, që të kujton Republikën Serpska në Bosnje-Hercegovinë".