1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i së shtunës

Gazetat trajtojnë ndër të tjera ndarjen e barrës ushtarake midis trupave të vendeve të ndryshme në Afganistan dhe nivelet e larta të këmbimit të monedhës evropiane, Euro

Në shtypin gjerman të së shtunës ndalemi fillimisht në gazetën MITTELDEUTSCHE ZEITUNG, e cila trajton ndarjen e barrës ushtarake midis trupave të vendeve të ndryshme në Afganistan:

"E diskutueshme është ndarja e barrës midis shteteve anëtare të NATO-s. Vërtet që ushtria gjermane kryen punë për t'u marrë në konsideratë në veriun kryesisht të qetë të vendit. Sigurisht që veriu është edhe një qoshe për t'u strukur, për të mos qenë i detyruar që të shkosh në jugun e përfshirë nga luftimet. Por në të njëjtën kohë duket qartë se kanadezët do të largohen nga zona e luftimit dhe po të njëjtën gjë do të bëjnë edhe hollandezët. Në fund të fundit, SHBA investojnë miliarda në shkollimin e policisë dhe të ushtrisë afganase. Ndërsa BE deri tani nuk është në gjendje të ngrejë në Kabul një trupë policore me më pak se 200 vetë. Nëse kjo punë do të vazhdojë edhe më tej kështu, atëherë misioni në malet Hindukush do të pësojë kolaps, për shkak të mungesës së solidaritetit."

FRANKFURTER RUNDSCHAU merr shkas deklaratën qeveritare të kryeministrit të ri të Polonisë, Donald Tusk, për të bërë këtë vlerësim:

"Polonia do të jetë nën kryeministrin Donald Tusk një fqinj më i mirë për Gjermaninë, e madje edhe për Rusinë. Kjo nuk e përjashton ekzistencën e grindjeve parimore, por ofron shansin që në të ardhmen këto grindje të zgjidhen në mënyrë të arsyeshme. Testi i parë për fqinjësinë e mirë është eleminimi i kontrolleve kufitare në dhjetor, gjë që mund të ngjallë frikëra të reja dhe paragjykime të vjetra. Që të eleminosh bazën për to bën më shumë dobi se sa të thuash se ato nuk janë reale. Potencial për turbullira Kacinskët kanë edhe më tej, përmes Zyrës Presidenciale dhe partisë më të fortë opozitare. Mos u jepni shans, që ata të kenë mundësi ta përdorin"

Nivelet e larta në këmbim që ka arritur monedha evropiane Euro, para së gjithash në krahasim me dollarin amerikan, preokupojnë disa komentatarë gjermanë. Në gazetën që del në Essen, WESTDEUTSCHE ALLGEMEINE ZEITUNG ndër të tjera lexojmë:

"Cfarë do të ishte Gjermania tani pa Euron? Po të kishim akoma dojce markën e mirë gjermane me siguri që ajo do të ishte shtrenjtuar tani jo vetëm përballë dollarit, por edhe përballë pesetës spanjolle, frangës franceze dhe lirës italiane. Ekonomia gjermane e eksporteve, e cila në dy të tretat i shet produktet e saj në zonën e Euros, do të varej në fije të perit. Me pasoja drastike për vendet e punës. Sigurisht, që kjo nuk është ndihmë për disa sipërmarrje, si ajo e ndërtimit të avionëve Airbus, të cilët i shesin produktet e tyre krejtësisht me dollarë. Por pa Euron, sipërmarrjet do të ndodheshin masivisht para një katastrofe."

Ja edhe SAARBRÜCKER ZEITUNG për të njëjtën temë:

"Para së gjithash për firma që kanë shumë qarkullim në zonën e dollarit, kjo dobësi e vazhdueshme e dollarit po kthehet në një problem. Sidoqoftë, eksporti gjerman në Shtetet e Bashkuara arrin 78 miliardë dollarë, që është i barabartë me 8,7 përqind të të gjitha eksporteve. Vec kësaj, SHBA janë një gjigant ekonomik. Në produktin social bruto të të gjithë botës ky vend kontribuon me 25%. Një dollar të dobët si pasqyrë të një ekonomie të dobët amerikane nuk duhet ta anashkalojmë si dicka të parëndësishme".

Së fundi komentatorët ndalen te koalicioni qeveritar dhe drejtuesit e tij, pasi ka kaluar gjysma e periudhës legjislative. Në gazetën RHEIN-ZEITUNG që del në Mainc ndër të tjera lexojmë:

"Që prej shkurtit Angela Merkeli mbante pa u lëkundur vendin e parë në anketimet për simpatinë ndaj politikanëve. Tani, në këtë nëntor me shi simpatia e zgjedhësve për të po lëkundet. Shkaku, se pse shefja e qeverisë po humbet mbështetje është i thjeshtë. Pas daljeve plot shkëlqim në parketet e politikës së jashtme të Brukselit ose të Hajligendamit, drita e prozhektorëve të perceptimit publik e humbi kancelaren nga sytë. Me politikë të brendshme është më e vështirë të qeverisësh shtetin. Një ministër i jashtëm e ka më të lehtë, për shkak të postit, që të fitojë edhe pikë. Edhe nëse Shtajnmajeri kohët e fundit ka qenë shumë larg nga korrja e sukseseve që të mbahen mend."

  • Data 24.11.2007
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CSZo
  • Data 24.11.2007
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CSZo