1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së premtes

PP6 Shkurt 2009
https://p.dw.com/p/GoSk
Fotografi: picture-alliance/dpa

Nisur nga shifrat pozitive të bilancit për muajin janar kryesia e bankës gjermane Deutsche Bank ka marrë zemër që një herë për një herë të mos marrë para shtetërore për përballimin e krizës. Megjithatë kjo bankë ka humbur prej krizës rreth 3,9 miliardë euro, duke regjistruar në këtë mënyrë humbjen e parë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Për t'iu kundërvënë këtyre humbjeve, shefi i kryesisë së kësaj banke Ackermann tha se ka ndër mend të ristrukturojë sistemin e investimeve bankare të Deutsche Bank. Kjo është edhe një nga temat e shtypit të sotëm gjerman.

Gazeta "Märkische Oderzeitung" shkruan:

"Kriza financiare po i prek bankat edhe kur ato vetë nuk kanë faj. Gjithsesi shkaku kryesor i humbjeve të bankës Deutsche Bank është se kryetari i kryesisë së kësaj banke, Josef Ackermann u bazua shumë në investime bankare të rrezikshme. Tani ai thotë se ka ndër mend që ta rigjallërojë sërish këtë pjesë të biznesit, duke thënë se kjo ishte një gjë e mirë që e tregoi veten. Pretendime të tilla janë farsë dhe minusi do të kishte edhe më i madh, sikur kjo bankë të mos kishte hequr dorë prej aksioneve në degë të ndryshme të industrisë. Kancelarja Merkel duhet ta zëvendësojë sa më shpejt, Josef Ackermann-in, këshilltarin e saj për krizën financiare."

Kurse "Hessische Niedersächsische Allgemeine" shkruan:

"Bankierët e Deutsche Bank blenë fillimisht bankën Norisbank dhe më vonë edhe Postbank, por idenë që të bazoheshin tek paratë e klientëve privatë e kishin edhe banka të tjera. Bankat kanë nevojë urgjente dhe janë duke kërkuar me të gjitha forcat klientë që t'u besojnë kursimet e tyre, sepse në këtë periudhe krize ato nuk kanë besim tek njëra-tjetra. Por biznesi me klientët privatë nuk mund të konkurrojë me fitimet prej biznesit të investimeve bankare. Prandaj ajo që do të pasojë është një konkurencë më e fortë që do ta pakësojë marzhin e fitimit të instituteve bankare. Ajo që mbetet pa përgjigje është pyetja, se ku do të nxjerrë fitime në të ardhmen banka Deutsche Bank?"