1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së enjtes mbi procesin ndaj Karaxhiçit në Hagë, qeverinë e re në Bavari dhe krizën financiare

(VFB)30 Tetor 2008
https://p.dw.com/p/Fk2r
Fotografi: dpa

Gazeta "Tagespot" që del në Vyrcburg komenton procesin e hapur në Hagë të martën ndaj udhëheqësit të serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiç i akuzuar për krime lufte. "Dhjetëra mijëra viktima dhe qindra mijëra të afërm të viktimave të këtij psikiatri të marrë serb presin shqiptimin e dënimit. Edhe i akuzuari Karaxhiç duhet të ketë të gjitha mundësitë e shtetit ligjor, por këtu nuk bëjnë pjesë shtyrjet e procesit nga pakujdesia apo me paramendim. Gjithashtu nuk duhet që sërish të ketë një kompromis politik në kurriz të drejtësisë, siç ndodhi së fundi me një nga vrasësit e Srebrenicës."

"Süddeutsche Zeitung" komenton krijimin e qeverisë së re në landin e Bavarisë nga Horst Zehofer (Horst Seehofer): "Zehofer po vendos piketat e ripërtëritjes, për të krijuar një parti kristiansociale, e cila t´i përgjigjet ndjenjave të reja të jetës në Bavari. Përderisa nën ish-kryeministrin Edmund Shtojber nuk mundi të krijohet asnjë profil i fuqishëm individi, partisë i mungojnë sot figurat e shquara në brezin e 50-vjeçarëve. Nga një situatë e tillë Zehoferi nga e keqja po nxjerr të mirën: Ai përzgjedh nga brezi i ardhshëm duke e prezantuar partinë kristiansociale krejtësisht të ripërtërirë dhe me politikanë pragmatikë e të zhdërvjellët. Opozita ditën e zgjedhjeve u entuziazmua, që kristiansocialët humbën shumicën absolute, por me ekipin e ri qeveritar ajo nuk do ta ketë të lehtë në Bavari."

Gazeta "Märkische Oderzeitung" duke iu referuar krizës financiare komenton zhvillimet në Hungari dhe në Evropën Lindore: "Ndryshimet e shpeshta të qeverisë dhe shpenzimet e papërgjegjshme të viteve me radhë kanë bërë, që Hungaria praktikisht të jetë e falimentuar. Kësaj i shtohet edhe fakti, që në situatën aktuale spekuluesit e huaj të valutës po i tërheqin në mënyrë masive paratë e tyre. 20 miliardë eurot, që vijnë tani si ndihma kredish nga FMN-ja dhe Banka Botërore, mund të jenë vetëm hapi i parë. Ato duhet të pasohen prej shkurtimeve masive nga buxheti i shtetit në Hungari. Si rjedhojë janë të kuptueshme pasojat që do të ketë stabiliteti i shoqërisë, gjë që çon në forcimin e forcave ekstremiste."