1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i ditës

Ndër të tjera trajtohen: Kina dhe lojërat olimpike si dhe gjendja në Irak

default

Tre pjesëtarë të studentëve për Tibet të Lirë duke varur të hënën parrulla nga ura Golden Gate në San Francisco.

Handelsblatt, që del në Düsseldorf shkruan:

Mesazhi i gjeneralit amerikan David Petraeus mbetet pranë realitetit. Komandanti në Irak nuk foli për fitore, por vetëm për përparime të pjesshme. Jo për paqe, por vetëm për reduktimin e dhunës. Dhe ai qe aq i mençur, sa të mos ushqente shpresa për një tërheqje të gjerë të trupave, por të qëndronte tek e vërteta. Dhe me tej në Irak duhet të mbetet i stacionuar një kontigjent i madh ushtarësh amerikanë. Sepse ajo, që është arritur është shumë e pasigurt, sa të mund të ruhet pa amerikanët. Lufta në Irak do të zgjasë edhe në muajt, që i kanë mbetur Xhorxh Bushit si president dhe sipas të gjitha gjasave do ta shoqërojë edhe presidentin e ardhshëm amerikan.

Iraku do të jetë më shumë se një konflikt, nga i cili në fund ndoshta mund të dalësh me kokën lart.

Badische Neueste Nachrichten:

Me çdo incident të ri, që provokojnë demonstruesit protibetianë nuk demaskojnë vetëm udhëheqjen kineze, por edhe funksionarët e verbuar të komitetit olimpik, që për kohë të gjatë besonin, se duhet mbajtur larg çdo që gjë, që mund të ishte e pakëndshme. Skandalet politike, biles edhe diskutimi politik. Janë po të njëjtët funksionarë, të cilët si bazë të idesë olimpike në shekullin XXI shohin paranë dhe sponzorizimin e milionave.

Landeszeitung Lüneburg:

Kalimi i pishtarit olimpik është kthyer në një katastrofë për imazhin e Kinës dhe të komitetit olimpik ndërkombëtar IOC. Kërkesa e presidentit të tij, Jacques Rogge, për zgjidhje paqësore të konfliktit në Tibet vjen shumë vonë. Ai ka propaganduar gjithnjë neutralitetin e IOC-së, ndarjen e sportit nga politika. Por olimpiadën dhe politikën nuk i ndaje dot kurrë nga njëra-tjetra dhe as nuk do t´i ndash dot kurrë. Nën pretekstin e rremë për të përmirësuar gjendjen e të drejtave të njeriut në Kinë, IOC-ja ia dha para shtatë vjetësh lojërat olimpike Pekinit. Por pas kësaj fshiheshin interesa të mëdha ekonomike. Ndoshta ky përshkallëzim është për IOC-në një nxitje, që në të ardhmen të mos merren parasysh vetëm kapacitetet ekonomike, logjistike dhe teknike të kandidatit për lojërat olimpike.

  • Data 09.04.2008
  • Autor Angjelina Verbica
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Df5h
  • Data 09.04.2008
  • Autor Angjelina Verbica
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Df5h