1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi evropian mbi krizën financiare dhe ekonomike

"Dernières Nouvelles d'Alsace": Parisi dhe Berlini kanë nevojë për një kompromis në mënyrë që të mos rrezikohet boshti i cili që prej viteve '60 është motori i Evropës.

default

Edhe gjatë javës që po lëmë pas, shtypi ndërkombëtar është marrë me krizën financiare dhe ekonomike dhe paketat e ndihmave për luftimin e krizës.


E përditshmja franceze "Le Monde" shkruan për paketën disa miliardëshe të qeverisë franceze në ndihmë të ekonomisë: "Me mbështetjen për firmat dhe një bonus modest për francezët më të varfër, presidenti francez ka lënë pas dore konsumin dhe veçanërisht shtresën e mesme. Por dinamika e ekonomisë në masë të madhe përcaktohet nga atmosfera e familjeve dhe perspektivat e tyre për të ardhmen. Pra ky plan pritet të zhgënjejë shumë njerëz. Ekonomitë në Francë, Evropë dhe botë ndodhen përpara vështirësive të mëdha por jo në një recesion të thellë. Por mungesa e një qeveria ekonomike për globin dhe një monedhe të dytë rezerve, përforcon në Kinë dhe gjetkë tendencat proteksioniste. Nëse frikërat më të këqija do të kthehen në realitet, ky program në ndihmë të ekonomisë nuk do të ketë mundësi të përmirësojë shumë gjëra."


Gazeta e Strasburgut "Dernières Nouvelles d'Alsace" trajton manaxhimin e ndryshëm të krizës nga Franca dhe Gjermania: "Gjithçka të lë të mendosh se BE-ja është ndarë tashmë në dy kampe: nga njëra anë janë përkrahësit e ndihmës për ekonominë me Britaninë e Madhe, Francën, Italinë dhe Spanjën. Nga ana tjetër janë përkrahësit e rregullave strikte për buxhetin me në krye Gjermaninë. Ata tolerojnë vetëm ndihma konjukturore, siç dëshmoi plani për ekonominë i miratuar nga parlamenti gjerman në Berlin. Kjo ndarje mes Parisit dhe Berlinit nuk sjell asgjë të mirë. Në Gjermani plani francez vlerësohet si përpjekje për ushtrim trysnie ndaj kancelares Merkel e cila me gjasë vepron me shumë ngurrim në këtë krizë. Por Parisi dhe Berlini kanë nevojë për një kompromis në mënyrë që të mos rrezikohet boshti i cili që prej viteve '60 është motori i Evropës. Pritet që debatet në samitin e BE-së në 11 dhe 12 dhjetor në Bruksel të jenë mjaft të gjalla."


Dhe së fundi shkëpusim nga komenti në të përditshmen hollandeze "de Volkskrant": Shëmbja e kurseve të aksioneve në bursa si pasojë e krizës së kredive është një mësim për investuesit që ndjekin fitimin e shpejtë. Por firmat për fat të keq nuk po dëshmojnë se kanë nxjerrë konkluzione të qarta. Në të ardhmen ato duhet të preferojnë investimet afatgjata. Investimi afatgjatë mund të shpërblehej për shembull me një të ashtuquajtur 'divident besnikërie'. Shteti, nëse është e mundur brenda kornizës evropiane, duhet të insistojë më fort me korniza ligjore brenda të cilave firmat operojnë. Përmes një koordinimi të kujdesshëm duhet parandaluar që ndërhyrja shtetërore të shkojë në drejtimin e gabuar."

  • Data 06.12.2008
  • Autor EXH
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GAmf
  • Data 06.12.2008
  • Autor EXH
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GAmf