1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shtyhet e vizita Nikoliq, rëndohen raportet Sarajevë-Beograd

Analistët: Problemet e brendshme politike në Bosnje-Hercegovinë po i cënojnë edhe raportet me Serbinë. Edhe shtyrja e vizitës së presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliq në Sarajevë dëshmon për këtë.

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq nuk do të shkojë për vizitë zyrtare në Bosnje-Hercegovinë. Por nga kabineti i tij thonë se "Nikoliqi ka treguar në tre vitet e tij në këtë post interesim dhe qëllime të sinqerta për të gjithë qytetarët e Bosnje-Hercegovinës si dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon." Në njoftimin nga kabineti i Nikoliqit thuhet se "Serbia është faktor paqeje dhe stabiliteti, që është dashur të dëshmohet edhe me vizitën në Sarajevë dhe takimin me krerët e Kryesisë së Bosnje-Hercegovinës. Për fat të keq, në vend të takimit, ka ardhur kërkesa për shtyrjen e vizitës dhe nga kjo do të përfitojnë vetëm qarqet ultranacionaliste." Presidenti i Serbisë pohon se do të shkojë në Sarajevë kur të tre anëtarët e Kryesisë "të jenë unikë dhe të gatshëm për takim".

Igor Novanoviq, nga Fondi ISAC në Serbi, mendon se shkaku i shtyrjes së vizitës së Nikoliqit është arrestimi i Naser Oriqit, gjë që në Sarajevë "shihet si një lloj presioni politik ,pasi Oriqi është shpallur i pafajshëm në Hagë e tani arrestohet sërish." Novakoviq mendon se nga shtyrja e kësaj vizite nuk do të përfitojë askush, sepse BashkiminEvropian kërkon prej vendeve që të kenë një bashkëpunim të mirë ndërfqinjësor. "E qartë është që problemet e brendshme politike në Bosnje-Hercegovinë po i cënojnë edhe raportet me Serbinë“, thotë Novakoviq.

Kalkulimet e palëve

„Në Bosnje-Hercegovinë janë mbledhur shumë probleme të brendshme“, pohon Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajone. "Kemi pasur arrestimin e Naser Oriqit, kalkulimet e palëve rreth Rezolutës së Srebrenicës, të cilën është duke e përgatitur Briania e Madhe dhe së fundi nismën e Izetbegoviqit që të shtyhet vizita e presidentit të Serbisë. Por lajmi i ditës dhe ndoshta i vitit për Bosnje-Hercegovinën është shtyrja e vizitës së Johannes Hahn, sepse një pjesë e liderëve në këtë vend nuk janë të gatshëm të ndërtojnë institucionet që duhet të çojnë drejt integrimeve evropiane. Vizita e Nikoliqit mbase ka mundur t'i zbusë disa prej këtyre problemeve“, mendon Popov.

Aleksandar Popov pohon se shumë probleme kanë mundur të zgjidhen me dialog të drejtpërdrejt, sepse edhe në rastet e tjera ka pasur arrestime të personave të dyshuar për krime lufte. Por secili prej këtyre vendeve ka kalkulimet e veta politike dhe po përpiqet të hegjemonizojë zgjedhësit e vet. Ndaj edhe 20 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, Bosnje-Hercegovina mbetet një vend me probleme tepër të mëdha.

Vuçiqi në gjurmët e Nikoliqit?

„Një ngjarje shumë e rëndësishme do të jetë edhe Rezoluta për Srebrenicën", mendon Popov. „Mendoj se kjo Rezolutë që duhet të miratohet në Këshillin e Sigurimit të OKB duhet të dënojë tragjedinë e rëndë dhe të shprehë nderim për viktimat. Një krim nuk duhet të justifikohet me krime të tjera. Ndaj më duket e pashembullt që palët të kalkulojnë tani me këtë rezolutë dhe ta shfrytëzojnë atë për dobësimin e pozicionit të Republikës Serpska", pohon Popov me shpjegimin se këtu kemi të bëjmë me një "tragjedi të rëndë njerëzore dhe jo me çështje politike“.

Pas shtyrjes së vizitës së Nikoliqit shtrohet pyetja se çfarë do të ndodhë me vizitën e Aleksandar Vuçiqit dhe a do tëavizitojë ai Srebrenicën në ditët e ardhshme. Novakoviq mendon se paralajmërimet e fundit që ai të mos e vizitojë këtë vend nuk janë të mira. Por Aleksandar Popov shton se vendimet e Nikoliqit deri tani nuk i kanë ndikuar shumë sjelljet e Vuçiqit. Ndaj mbetet shpresa se ai do të shkojë për vizitë në Srebrenicë, në përvjetorin e krimit më të madh pas Luftës së Dytë Botërore.