1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

„Shtresës së të përndjekurve shoqëria u mbetet shumë borxh."

Rruga e mundimshme drejt lirisë - kalvari i vuajtjeve të Gëzim Peshkëpisë, që asgjë nuk mundi t'ia heqë rrënjosjen brenda vetes e dinjitetin e njeriut. 2 korriku - Ambasada Gjermane i hapi Peshkëpisë portën e lirisë.

Si është, kur një jetë të tërë dëshiron të ikësh, nga presioni, pasiguria, diskriminimi dhe përndjekja dhe nuk ke alternativë, sepse edhe po të arrish të arratisesh, pasojat do t'i vuajë i gjithë farefisi? Sa njerëz jetuan në diktaturën komuniste në Shqipëri me të drejta të mohuara, duke ëndërruar një tjetër botë nga ajo që jetonin e duke shpresuar që të ndryshonte sistemi? Këtë e kishte ëndërruar më kot prej vitesh edhe ish i përndjekuri politik Gëzim Peshkëpia. Por në muajt e parë të vitit 1990 situata ishte ndryshe. Gjendja ekonomike sa vinte e përkeqësohej si rezultat i politikës vetëizoluese. Ndryshimet në Evropën Lindore u jepnin njerëzve shpresë. Gëzimi ndiqte me vëmendje të madhe të gjithë indikatorët. Hyrjet e para sporadike të njerëzve në ambasadat e huaja, ishin për të tam tami se hapja po afron dhe nuk kishte gjë, që e ndalonte më. „Sipas mendimit tim ato bënë që të kriste barka diktatoriale, e cila që nga ai moment përjetoi mbytjen e saj. Atë krisëm e shkaktuan edhe të rinjtë, që organizuan demonstratën në rrugën e Kavajës duke treguar se e kishin vrarë frikën dhe ishin hedhur në aksion. Gurët, që u hodhën atë natë, shkaktuan jo vetëm thyerjen e xhamave, por edhe panikun e qeverisë, e cila me urgjencë i riparoi dëmet gjatë gjithë natës“, kujton Gëzimi.

Shansi për të ndodhur diçka tani dukej më pranë dhe më i realizueshëm se kurrë. Kur Gëzimi mori vesh për hapjen e ambasadës gjermane, nuk e mendoi dy herë, mori gruan dhe fëmijët dhe shkoi. Kësaj rradhe ishte i bindur se nuk do t'i ndodhte gjë e keqe. Ai kujton se sigurimi përdori metoda të ndryshme, por që nuk patën sukses. „Familjarëve, që kishin njerëz në ambasada u bëhej presion. Brenda në ambasadë sigurimi futi edhe agjentë të tij, por njerëzit, që vinin nga kategori dhe pjesë të ndryshme të Tiranës, i zbulonin dhe i përzinin jashtë mureve. Është fakt se pushtetit i doli situata nga duart. Nuk e kontrollonin dot më, ngaqë u çoroditën“, tregon Gëzimi.

Për Gëzimin nuk kishte kthim prapa. Kjo ishte gjëja më e mirë, që po i ndodhte në jetën e tij të shumëvuajtur. Kushtet e vështira në ambasadë, apo sëmundja e djalit të vogël i dukeshin pengesa të papërfillshme. „Për mua personalisht nuk kishte rrugëdalje tjetër. E ardhmja e familjes sime ishte e zymtë, perspektiva e fëmijëve ishte e errët, pa asnjë shans. Ato ishin të destinuar të ndiqnin shembullin e të atit të vuajtur, apo edhe të gjyshit fatkeq.“

Gjyshi i tyre, babai i Gëzimit, që vinte nga një familje e njohur në Shqipëri në vitet 30-të, ishte njëri nga 22 intelektualët të pushkatuar pa gjyq, apo me dokumenta fallse, me akuzën se kishin vënë një bombë në ambasadën sovjetike. Të gjithë intelektualë elitarë, përfaqësues të të gjitha trevave të vendit, të bërë kurban nga regjimi për të mbjellë terror dhe panik në popull e për të mbytur në qelizë çdo rezistencë. Në mesin e tyre edhe një grua. „A ishin „terroristë“, që nuk kishin mbajtur kurrë në dorë një armë. Arma e babait tim ishte pena. Ai shkruante poezi. Babai im vdiq pa e marrë vesh se Maximilian Lamberci i kishte përfshirë dy vjersha të tij në antologjinë "Albanisches Lesebuch". A vritet poeti? Gruaja e vrarë ishte shkencëtare. A vritet një shkencëtare? Veprën e saj e vodhën, e tjetërsuan me emrin e një shkencëtari sovjetik, thotë Gëzimi. Mirrnin jetën, vidhnin veprën intelektuale, e tjetërsonin. Sa e sa tragjedi të tilla.“

Bonn Gedenkveranstaltung 2 Juli 1990 - die große Flucht der Albaner Gezim Peshkepia

Gëzim Peshkëpia gjatë një podiumi diskutimi më 25.06.2015 në Bon në përkujtim të 25 vjetorit të 2 korrikut, eksodit të madh të shqipptarëve

„Si mund të kaloheshin vitet e burgut, pa inkurajimin e njerëzve të mirë?“

Për Gëzimin, që kishte deri atëherë një fëmijëri të qetë, brenda nate ndryshoi gjithçka. Me humbjen e babait 40 vjeçar, për familjen do të niste kalvari i një jete të mundimshme. Internohen fillimisht në Berat, pastaj në Kavajë. Në vitin 1975, tre muaj pasi ishte martuar, Gëzimi arrestohet dhe dënohet me 8 vjet burg për agjitacion e propagandë në fushën e artit e kulturës. Për më tepër, kur del nga burgu, nuk e gjen më nënën, e cila e sëmurë nga dëshpërimi vdes, para se djali të lirohet.

Po të mos e dish historinë e tij, kur e dëgjon të flasë shtruar e me qetësi, nuk të shkon mendja menjëherë se pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në internim. Me sa duket asgjë nuk ka mundur t'ia heqë rrënjosjen brenda vetes e dinjitetin e njeriut. Sepse edhe në atë Shqipërinë e vështirë, kishte njëkohësisht dy botë - frikën, rrezikun dhe ftohtësinë e regjimit, dhe ngrohtësinë, dashurinë dhe përzemërsinë e njerëzve, të cilët vështirësitë i lidhnin më shumë me njëri-tjetrin Këtë ai e përjetoi në Kavajë, por edhe në burg. „Si mund të kaloheshin vitet e burgut, pa inkurajimin e njerëzve të mirë, pa mbështetjen e At Zef Pllumbit, me të cilin u bëmë aq miq?“

Pas daljes nga burgu ai ështe sërish në survejim, „Ajo që më çuditi, ishte presioni, që po më bënin kohët e fundit, për të më rektrutuar.“ Këtë ai e merr si shenjë se sigurimi e kishte vënë përsëri në shënjestër. Jetesën e fitonte me punë fizike, kryesisht si saldator. Në vitin 1990 emërohet „kujdestar pulash“. Me këtë status arratiset në ambasadën gjermane dhe vendoset më vonë në Soest, në landin gjerman të Reranisë veriore-Vestfalisë.

Ajo që gjeti Gëzimi dhe familja e tij në Gjermani ishte antiteza e jetës në Shqipëri. Ai thotë se u jemi mirënjohës për jetë gjermanëve për përkrahjen e vazhdueshme, që na kanë dhënë, duke na krijuar kushtet për integrim të plotë në shoqëri.

Shumë vite qëndron në Gjermani. Punon pjesërisht në arkivin e qytetit Soest, merret me sensibilizimin e opinionit gjerman për çështjen shqiptare, duke organizuar një demonstratë të madhe në Soest në pökrahje të Kosovës. Ndihmon për të ngritur ura ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë me anë të institucioneve e shoqatave të ndihmës sidomos në shëndetësi në qytetet e Shqipërisë së Mesme dhe Shkodër. Shqipëria e tërheq vazhdimisht. Në vitin 2010 vendos të kthehet e të punojë në Shqipëri, për t'u marrë me hulumtimin e fateve tragjike të atyre, që vuajtën si ai. Në vitin 2010 bëhet anëtar i bordit të Insitutit të Studimeve për krimet e Komunizmit, i zgjedhur nga parlamenti. „Sa e sa shembuj rrëqethës, tragjikë kam hasur tani në Institutin e Studimeve të Krimeve të Komunizmit. Jemi përpjekur t'i kategorizojmë në libra të ndryshëm. Kemi botuar edhe një fjalor encikolopedik katër vëllimësh të të përndjekurve politikë. Me shembullin e tyre pushteti ka krijuar trysni mbi njerëzit, mbi ato njerëz, të cilëve u instaluan në shpirt frikën, ankthin pasigurinë për të nesërmen.“

Por sa ka mundur të kontribuojë Gëzim Peshkëpia për t'i kthyer kësaj shtrese shansin e grabitur dhe dinjitetin? Pak? „Shtresës së të përndjekurve shoqëria u mbetet shumë borxh. Pak fare është bërë në drejtim të kthimit të dinjitetit të tyre të nëpërkëmbur, të integrimit të tyre në shoqëri. Ata janë përdorur politikisht nga klasa politike, sa herë që u është dashur, por nuk janë mbështetur sistematikisht me një program të përcaktuar.“