1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtohet solidariteti në muajin e Ramazanit

16 Gusht 2010

Gjatë muajit të Ramazanit kur besimtarët myslimanë agjërojnë, në Maqedoni shpeshtohen aktivitetet dhe ndihmat e organizatave humanitare. Një sërë organizatash organizojnë darkë falas për besimtarët e varfër.

https://p.dw.com/p/OonF
Në xhami në Maqedoni
Në xhami në MaqedoniFotografi: DW

Me rastin e fillimit të Ramazanit, muajit të shenjtë tek besimtarët muslimanë, në Maqedoni shumë organizata humanitare kanë intensifikuar aktivitetet e tyre duke u ndihmuar qytetarëve me ndihma të nevojshme gjatë ditëve të agjërimit. Ndjenja e kujdesit dhe solidaritetit ndaj fëmijëve, familjes, rrethit, skamnorëve, jetimave dhe nevojtarëve janë vlera për të cilat njerëzimi ka nevojë më shumë se kurrë më parë, thotë Behixhudin Shehapi, kryetar i Organizatës humanitare El Hilall.

Me fillimin e muajit të agjërimit, organizata humanitare El Hilall në bashkëpunim me partnerin e vet IGMG nga Gjermania është duke e realizuar projektin ”Sofra e Ramazanit”që ka të bëjë me përgatitjen e iftarit-darkës dhe shpërndarjen e pakove me ushqime për familjet ekonomikisht të rrezikuara. “27 netë radhazi do të organizohet iftar për 200 persona, në mesin e të cilëve do të jenë familje skamnore, të jetimëve por gjithashtu ka edhe studentë edhe nxënës që studiojnë në Shkup," thotë Behixhudin Shehapi, kryetari i El Hilallit. Ata persona të cilët janë të sëmurë apo invalidë ose për shkaqe të tjera nuk kanë mundësi të ushqehen nga sofra e Ramazanit, ushqimi përmes pakove do t`iu dërgohet në shtëpi.

Bashkësia islame në Maqedoni
Bashkësia islame në MaqedoniFotografi: Petr Stojanovski

Shtruarja e darkës falas për agjëruesit përveç Shkupit është duke u realizuar edhe në Kumanovë, Gostivar, Tetovë, Manastir dhe Strugë. “Dhe nga ushqimi që nuk do të shfrytëzohet nga iftari do të shpërndahet 100 familjeve përmes aktivistëve të El Hilallit”, thotë Shehapi.

Përveç dhënies së darkës, organizata El Hilall deri në fund të muajit të Ramazanit do të ndajë edhe 2000 pako me artikuj ushqimorë për familjet që janë të evidentuara si ekonomikisht të rrezikuara. “Përgatitja e pakove sivjet do të jetë një aktivitet mjaft i ngjeshur, pritet që mbi 2000 pako të përgatiten në bashkëpunim me donatorët nga vendi dhe me partnerin kryesor të El Hilallit IGMG nga Gjermania”, shprehet Shehapi.

Në kohën e iftarit vizituam vendin ku darkojnë besimtarët, aty takuam Mynevere Shabanin, aktiviste e El Hilaillit e cila në mënyrë vullnetare përgatit, shpërndan dhe më pas pastron restorantin gjatë tërë muajit të Ramazait. “Për momentin këtu shërbejmë tri vajza dhe dy djem, e ndjej veten të kënaqur, besoj se edhe këta janë të kënaqur me ne”.

Në xhami në Maqedoni
Në xhami në MaqedoniFotografi: DW

Ridvan Hirda është pronari i cili ka lëshuar shtëpinë ku shtrohet darka e iftarit, ai thotë se motivi kryesor për këtë gjest është mëshira ndaj të gjithë atyre personave të cilat nuk kanë mundësi të sigurojnë ushqim të duhur. “Të jemi sa më afër tyre, ata nuk kanë mundësi të përgatisin darkë, prandaj këtu e kanë derën hapur gjatë tërë muajit të Ramazanit,” thotë Ridvan Hirda pronari i lokalit ku organizohet sofra e Ramazanit.

Gjithnjë sipas tij në iftare shpesh herë vijnë edhe persona të pasur që për shkak të muajit të agjërimit dëshirojnë të solidarizohen me të varfërit. Në kuadër të aktiviteteve gjatë muajit të Ramazanit, El Hilall do të organizojë synetimin falas të 200 fëmijëve nga të gjitha qytetet e Maqedonisë.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama