1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtohet numri i të pastrehëve në Greqi

7 Dhjetor 2011

Kriza bashkë me papunësinë rrit edhe numrin e të pastrehëve që llogariten rreth 20. 000 vetë. Një “qytet” i tërë fle në rrugë, midis tyre gjithnjë e më shumë “nikoqirë” të dikurshëm dhe biznesmenë të mbytur nga borxhet.

https://p.dw.com/p/13OAk
Athanasios është i pastrehë dhe jeton në rrugët e Athinës
Athanasios është i pastrehë dhe jeton në rrugët e AthinësFotografi: DW

Vështirë ta dalloje si të pastrehë megjithë elementin “kompromentues” të çantës së fryrë dhe të mbështjellë me shirita që burri i ulur në gjunjë në krahë të saj mbante me dorën e tij. “Jam edhe unë e pastrehë” thotë rrugës për në fjetinën e të pastrehëve të Bashkisë së Athinës ku u tregua e gatshme dhe me një fisnikëri të dukshme të na çojë menjëherë. Punonte si shtëpiake, por “kriza e zboi” siç thotë dhe këtu e tre vjet mbeti dhe pa strehë, endet nga një fjetinë në tjetër dhe pa asnjë ndihmë nga mjedisi i saj familjar. “Në qoftë se do të mund të gjeja punë do tiu perulesha” thotë dhe shton se nga ato çka shohin sytë e saj përditë “gjeja më e dhimbshme janë të rinjtë e papunë që enden dhe luajnë tavllë kur duhet të shtrydhin gurin, të punojnë dhe  krijojnë”.

Qendër që shpërndan ushqime për të varfërit
Qendër që shpërndan ushqime për të varfëritFotografi: DW

Të pastrehët: “Shoqëria dhe shteti nuk mund të qëndrojnë indiferentë

E prezantuar vetëm me emrin e saj, Dhimitra, nuk do të publikohet “katandisja” saj pa fshehur dhe një ndjenjë faji për veten e saj, siç ndodh zakonisht me këta protagonistë të pafatë të jetës. “Sigurisht nuk ka faj ndonjë tjetër për problemin tim”  siç do t'i thotë DW në fjetinën e Bashkisë, në hotelin e vjetër “Capri”  të rrugës Psaromilingu, Nikollaos Mavroidis, që nuk i eci shëndeti, humbi punën në ndërtim dhe filloi peripecia. “U gjenda në pozitë të vështirë, përfundova të fle në rrugë dhe falë shëndetit tim të brishtë gjeta strehë në bashki” thotë Mavroidis, që shton se “shoqëria dhe shteti nuk mund të qendrojnë indiferentë”. “Ka disa veta këtu që dikur ishin afaristë, kanë borxhe nëpër banka” shton si për të lehtësuar edhe veten që të pastrehë tashmë nuk janë vetëm njerëz të “sërës së tij”.

Me krizën fare lehtë mund të mbetesh i pastrehë

Ka të drejtë Mavroidis, krizën po e paguajnë shtrenjtë edhe njerëz që ishin nikoqirë deri dje, por humben punën, apo afaristë që mbeten pa klientelë dhe të mbytur nga borxhet nëpër banka humben bizneset. Një pjesë edhe benesën të cilët tani u janë shtuar të pastrehëve të Athinës por edhe qendrave të tjera të mëdha urbane si Selaniku, që arrijnë në rreth 20.000 vetë. Një “qytet” i tërë fle nëpër rrugë, në banesa të braktisura, nëpër magazina, hyrje të pallateve por edhe stola të parqeve për sa kohë akoma do të kenë “aleat” motin e mirë. “ E dini se sa e lehtë është që dikush të mbetet i pastrehë? Të kesh punën tënde, të mos të të hyjë njeri në dyqan, të mos mund të paguash këstet e kredisë, si puna ime, dhe të vijë banka të të sekuestrojë shtëpinë? i thotë DW Petros, që i kaloi drynin dyqanit e këtu e gjashtë muaj shkon përditë për drekën në qendren e të pastrehëve të Bashkisë së Athinës dhe në darkë mblidhet në fjetinën me dhjetë shtretër të OJQ “Klimaka”.

George Apostolopoulos
George ApostolopoulosFotografi: DW

“Nikoqirët e dikurshëm” përbëjnë brezin e ri të rrugëve

Ky është brezi pra i ri i rrugëve, që nuk ka asnjë lidhje me të droguarit, alkoolistët apo depresivët të pamjes së njohur të qendrës së Athinës. “Ishin deri së fundi të punësuar, janë  me nivel kulturor, janë njerëzit e derës përbri sikurse themi” thotë Ada Allamanu, përgjegjëse për të pastrehët të OJQ “Klimaka”. I dallon nga veshja tek i sheh në radhat e përditshme të “drekave të solidaritetit” të Bashkisë dhe Kryepeshkopatës së Athinës pavarësisht se natën mund ta kenë kaluar tek ndonjë shtëpi, autoveturë që u ka mbetur apo edhe shtrat të ndonjë qendre strehimi. “Njerëz që shfaqen në radhat për ushqim me një kapardinë por edhe një laptop, për të siguruar bukën pasi kanë mbetur pa punë dhe pa gjë” i thotë DW drejtori i Qendres së Pritjes të të Pastrehëve të Athinës, Jorgos Apostollopullos.

Apel për solidaritet nga Bashkia në sprovë

Sipas Apostollopullos  “gjatë muajit tetor numri i kërkesave për strehim në qendër është rritur në krahasim me një vit më parë 25%”. Apostollopullos  druhet se numri i të pastrehëve do të rritet në mënyrë dramatike por dhe se sa do të jetë në gjendje Bashkia me strukturat që disponon t'i përgjigjet sfidës. “Besoj se do t'i përgjigjemi, por sigurisht në masën që do të na e lejojnë edhe kushtet ekonomike pasi të ardhurat e Bashkisë për shkak të krizës janë ulur në mënyrë dramatike” thotë Apostollopullos që e pranon se e vetmja zgjidhje janë “paketat e donacioneve” që kanë zenë çdo pellembë të lirë në korridor dhe kanë mbërritur deri në zyrën e tij. “Kemi një fluks shumë të madh vullnetar, që nga nikoqirja e thjeshtë që vjen e na sjell kafe dhe qumësht dhe deri te firmat që dërgojnë paketa me ushqime edhe veshmbathje”  thotë një punonjëse, kurse përgjegjësja Ksanthi Jatagana lëviz sa nga kompjuteri te hyrja për të arkivuar mallin.

. Nikollaos Mavroidis ka mbetur i pastrehë
Nikollaos Mavroidis ka mbetur i pastrehëFotografi: DW

Se të pastrehët mund t'i kenë humbur të gjitha, por ajo që nuk duhet të humbasin është solidariteti njerëzor. Në një rast të tillë humbësi më i madh do të jetë shoqëria, që do të ketë lenë të “pastrehë” vetë shpirtin e saj. 

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama

Obdachlose in Athen
Silvia Lazarou dhe Spiros Papadhatos, të pastrehëFotografi: DW