1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shtohet dukshëm numri i azilkërkuesve

Pas muajve me luftëra dhe konflikte të shumta, në shumë vende të industrializuara është shtuar dukshëm gjatë vitit të kaluar numri i azilkërkuesve.

Refugjatë në Lampeduzë

Refugjatë në Lampeduzë

Qetësi pas stuhive të fuqishme. Valët e detit lëvizin ngadalë. Banorët përgatisin qytetin për sezonin e ri turistik. Peshkatarët nisen me anijet e tyre për peshkim. Përderisa Lampeduza e tronditur nga valët e shumta të refugjatëve zgjohet nga dimri, në sipërfaqe dalin problemet e shumta që ky ishull ka pasur në muajt e kaluar. Në shtator të vitit të kaluar atje është djegur edhe kampi, ku janë pranuar me mijëra refugjatë.    

Sipas statistikave aktuale, Italia dhe Malta janë konfrontuar gjatë vitit të kaluar me një numër shumë më të madh refugjatësh se sa vendet e tjera. Numri i azilkërkuesve është shtuar shumë edhe në Turqi, njofton Organizata e OKB-së për refugjatë (UNHCR). Më shumë njerëz kanë ardhur nga Iraku dhe Siria.

Pasojat e një viti dramatik

Statistikat dëshmojnë se koha e krizave në botë, pranvera arabe, konflikti në Siri dhe luftërat e përgjakshme në Afrikë, kanë rezultuar me 441.300 kërkesa për azil në vendet e zhvilluara industriale. Gati 20 % më shumë se një vit më parë, thuhet në raportin e UNHCR-së.

"Numri i lartë i azilkërkuesve tregon se viti 2011 ishte një vit i vështirësive të mëdha për shumë njerëz“, pohon komisioneri i OKB për refugjatët, Antonio Gutteres. Në vitin 2010 numri i azilkërkuesve kishte rënë në krahasim me vitet e mëparshme.

"Gjendja është dramatike dhe jo vetëm shifrat“, pohon Karl Kopp, referent për Evropën në organizatën Pro Asyl. Viti 2011 ishte viti më dramatik në historinë evropiane të refugjatëve - me më shumë se 2000 të vdekur. Ata kanë vdekur gjatë përpjekjeve për të kaluar nga Libia dhe Tunizia në Itali.

Kontroll refugjatësh në Lampeduzë

Kontroll refugjatësh në Lampeduzë

Lëvizjet

Në veçanti është shtuar numri i azilkërkuesve nga vendet si Bregu i Fildishtë, Siria, Libia dhe vendet ku ka pasur konflikte të përgjakshme. Por gjendja nuk është përmirësuar shumë as në Afganistan, Kinë apo Irak, ku mbretëron një gjendje e rëndë e të drejtave të njeriut.

Refugjatët shpesh përjetojnë odise të vërteta gjatë përpjekjeve për të ikur në vende më të sigurta. Si për shembull në Libi apo tani në Siri, ku mbretëron një gjendje e luftës qytetare. Shumë prej tyre fillimisht kalojnë në Iran apo Pakistan dhe pas përgjigjeve negative atje përpiqen të kalojnë në vende të tjera dhe kërkojnë azil. Vendet evropiane kanë pranuar gjatë vitit të kalur numrin më të madh të kërkesave për azil - rreth 327.200. Më pas vjen SHBA-ja me 99.400. Vetëm në Gjermani kanë kërkuar azil gjatë vitit të kaluar 45.741persona. Prejardhja e tyre ishte kryesisht nga rajonet e përfshira në kriza: Afganistani, Irani, Siria dhe Pakistani, shpjegon Rochsana Soraya nga Zyra për migracion.

Ikjet gjithnjë e më të rrezikshme dhe të shtrenjta

Befasuese janë statistikat e fundit për Japoninë dhe Koreja e Jugut, kur është shtuar me 77 % numri i kërkesave të reja. Kjo duket shumë, por numri i përgjithshëm i azilkërkuesve është vetëm 2.900. Azilkërkuesit kërkojnë alternativa të ndryshme, shpjegon eksperti Kopp. "Numri i azilkërkuesve është shtuar edhe në Amerikën Latine, që dëshmon se azilkërkuesit marrin rrugë shumë të gjata në përpjekjet për të gjetur një vend më të sigurt. Natyrisht që këto rrugë edhe kushtojnë më shumë", thotë ai.

Prognozat nuk janë më të mira as për këtë vit. Vlerësohet se shumë njerëz do të marrin rrugën e rrezikshme për të kërkuar azil dhe siguri në ndonjë vend tjetër. Në mars kanë mbërritur në Lampeduza shumë anije me refugjatë. Të paktën pesë persona kanë vdekur gjatë këtyre udhëtimeve.

Autor: Monika Griebeler/ Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi