1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shtohen valët e refugjatëve nga Siria

Luftimet në metropolin ekonomik sirian, Alepo kanë shtuar valët e refugjatëve. Jordania hap dyert për 120.000 refugjatë sirianë.

Qytet me çadra për sirianët

Qytet me çadra për sirianët

Për shkak të luftimeve në Sirinë fqinje, Jordania  për herë të parë  ka marrë përsipër hapjen e një kampi të madh për refugjatët e Sirisë. Qyteti me çadra i ofron vend rreth 120.000 njerëzve për strehim. Ato u inaguruan nga ministri i Jashtëm jordanez Nasser Dschudeh dhe nga  përfaqësues të OKB.

Edhe një ekip prej tetë vetësh nga agjencia gjermane për ndihmë teknike është angazhuar në  kampin Saatari në Mafrak  pranë  kufirit sirian. Aktualisht në Jordani çdo ditë mbërrijnë 2000 sirianë.

200.000 vetë braktisin Alepon

Gjithsej organizata e OKB për refugjatë, UNHCR  ka regjistruar në  Jordani, Liban, në Turqi dhe në Irak më shumë se 120.000 refugjatë nga Siria. Para luftimeve në qytetin verior sirian Alepo, sipas vlerësimeve të OKB-së brenda 48 orësh janë larguar 200.000 njerëz. 

Koordinatorja e OKB për ndihma emergjente, Valerie Amos kërkoi që të mos pengohet hyrja e organizatave humanitare. Ndërkohë vazhdojnë luftimet në Alepo. Forcat ushtarake siriane kanë vënë në përdorim në sulmet e tyre ndaj kryengritësve në këtë qytet,  tanke, artileri të rëndë dhe helikopterë.

Qeveria pretendon fitoren, rebelët kundërpërgjigjen

Qeveria siriane njoftoi të Hënën se ka vënë nën kontroll pjesë të mëdha të metropolit ekonomik Alepo. I gjithë rajoni i Salahedinit ndodhet nën kontrollin e trupave të qeverisë, është shprehur një oficer sirian për televizionin sirian, natën e së Hënës. Sipas tij brenda disa ditësh, Alepo do të jetë e sigurtë.

Më parë ministri i Jashtëm sirian, Valid Mualem kishte deklaruar fitoren e ushtarëve të presidentit Asad. Kryengritësit sirianë i hodhën poshtë këto të dhëna. Edhe Qendra e vëzhgimit të opozitarëve sirianë në Britaninë e Madhe konfirmon se luftimet në Salahedin vazhdojnë ende.