1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shtohen pikëpyetjet për reagimin e policisë ndaj masakrës në Norvegji

Të paktën 93 vetë janë konfirmuar të vdekur pas një shpërthimi brutal me pasoja tragjike të një automjeti dhe të shtënave. Policia norvegjeze ndodhet nën presion për të shpjeguar ngadalësinë në reagim.

Policia e Oslos në konferencë shtypi

Policia e Oslos në konferencë shtypi

Në një kohë kur Norvegjia mban zi për vdekjen e të paktën 93 vetëve nga shpërthimi i një bombe në Oslo dhe nga të shtënat në një ishull pranë, po shtohen pyetjet kritike për reagimin e ngadaltë të policisë ndaj sulmit.

I dyshuari për të shtënat, Anders Breivik mbante veshur uniformën e një polici të premten, kur hapi zjarr kundër qindra njerëzve në ishullin e vogël Utoeya, në veriperëndim të Oslos.

Policisë me sa duket iu desh rreth një orë për të arritur në vendin e ngjarjes pasi mori një telefonatë emergjence nga ishulli. Të paktën 86 vetë u vranë nga të shtënat, shumica e tyre të rinj, që ndiqnin një kamp veror të organizuar nga partia Laburiste në pushtet. Rreth 100 vetë u plagosën. Shefi i policisë së Oslos, Sveinung Sponheim tha në një konferencë shtypi se në ishull duhet të qe ndodhur një polic, por nuk dihet se ku ishte ai kur ndodhën të shtënat.

Sponheim-i shtoi se personi i dyshuar kishte ende "shumë municion" kur iu dorëzua forcave speciale të policisë. Ai shtoi se një ekspert i kriminalistikës teknike nga policia Metropolitan e Londrës po i ndihmon hetimet.

Një batiskaf i policisë para ishullut Utoya

Një batiskaf i policisë para ishullut Utoya


Vonesat në veprim

Një vendim i policisë, që të priste forcat speciale nga Oslo, 45 km larg vendit të ngjarjes e vonoi reagimin e saj. Një varkë e papërshtatshme me sa duket i ngadalësoi edhe më tej veprimet.

"Kur në varkë hipën kaq shumë njerëz dhe në të u vunë edhe armatime, varka nisi të mbushej me ujë, kështu që motori u ndal", tha Erik Berga, shef i operacioneve të policisë në lokalitetin Buskerud.

Banorë lokalë thuhet se arritën në ishull përpara policisë. 48 vjeçarja Line i tha agjencisë së lajmeve AFP se policia i kishte thënë që të mos i afrohet ishullit. Por ajo dhe fqinjët e saj nuk mundën të rrijnë larg, për shkak se dëgjonin të bërtiturat e fëmijëve që po vriteshin.

"Nuk isha vetëm unë, por këtu kishte shumë njerëz me varka", tha Line. "Ndoshta ishin 20 varka. Ne u afruam dhe u sollëm rreth ishullit, ne u afruam më shumë se policia ose shërbimet sanitare", theksoi ajo.

Zëdhënësi i policisë, Henning Holtaas tha se ishte i sigurtë që përgjigja e policisë ndaj sulmit do të hetohet. Por prioriteti në periudhën e tanishme ishte "të shpëtonin jetët (e të plagosurve) dhe të vazhdonte operacioni".

32 vjeçari Anders B. është i dyshuari kryesor si autor i shpërthimit në Oslo të premten, përpara masakrës në ishull. Policia tha se ai i kishte pranuar të dyja sulmet dhe pretendon të ketë vepruar i vetëm. I dyshuari do të dalë para gjyqit për herë të parë sot (25.07.), ku një gjykatës do të vendosë nëse seancat do të jenë publike. Mund të kalojnë javë, përpara se kundër tij të ngrihet një aktakuzë formale.

Autor: Andrew Bowen (afp, dpa, rtr) / Auron Dodi

Redaktoi: Bahri Cani

DW.COM