1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shtohen përpjekjet në luftë kundër ebolës

Kriza e ebolës në Afrikë po e vë bashkësinë ndërkombëtare nën presion. Ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier pranon nënvleftësimin e epidemisë.

"Ne të gjithë i nënvlerësuam pasojat katastrofike të ebolës," tha i ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier (SPD) gazetës "Bild am Sonntag". Tani po fillon "gara kundër saj". Megjithatë, ministri shprehu besimin se epidemia do të mposhtet. Gjermania dhe Evropa duhet të shtojnë përpjekjet e tyre në luftë kundër sëmundjes. Çështja pritet të ketë përparësi në takimin e ardhshëm të ministrave të jashtëm të BE-së.

Trajtimi i ebolës në Gjermani vetëm në raste të veçanta

Koordinatori i ndihmave të qeverisë federale për ebolën, Walter Lindner, tha para nisjes për në Afrikën Perëndimore, se kulmi i epidemisë nuk është arritur ende. Nëse çdo gjë shkon mirë, përhapja e ebolës mund të vihet këtë vit nën kontroll, tha Linder. Në të njëjtën kohë ai i fashiti shpresat se Gjermania mund të pranojë për trajtim një numër të madh të infektuarish nga Afrika. Kjo mund të bëhet vetëm në raste të veçanta.

Hermann Gröhe

Hermann Gröhe

Ministri gjerman i Shëndetësisë Hermann Groehe theksoi, se në Gjermani nuk ka arsye për shqetësim. Kemi "qendra trajtimi të pajisura shkëlqyeshëm", të cilat janë të specializuara për trajtimin e sëmundjeve ngjitëse, tha politikani i CDU-së për gazetën "Rheinische Post". Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Spanjë janë regjistruar kohët e fundit rastet e para të ebolës jashtë Afrikës. Nga SHBA njoftohet se ka mundësi që me ebola të jenë infektuar edhe punonjës shëndetësie në Teksas që kishin pasur kontakt me pacientë të infektuar me këtë visur. Aktualisht në Gjermani po trajtohen dy pacientë me ebola, njëri në Frankfurt mbi Main, tjetri në Lajpcig.

Vullnetarë gjermanë për Afrikën Perëndimore

Groehe bëri thirrje për mjekë dhe inferimierë që duan të shkojnë vullnetarisht për të luftuar epideminë në Afrikën Perëndimore. Kryqi i Kuq Gjerman (DRK) ka sipas një raporti të mediave deri tani 117 vullnetarë për luftimin e ebolës në Afrikën Perëndimore. Nga rreth 1600 persona që ishin paraqitur pranë DRK-së vetëm këta 170 konsiderohen si të përshtatshëm për një aksion të tillë njoftoi Kryqi i Kuq Gjerman, ndër tyre janë 43 mjekë.

Ndërkohë po shtohen njoftimet për suksese të mundshme mjekësore në luftën kundër epidemisë. Qeveria ruse njoftoi se ekspertët kanë zhvilluar tri vaksina kundër ebolës, që mund të jenë të gatëshme për t'u përdorur brenda gjashtë muajve të ardhshëm. Sipas ministres ruse të Shëndetësisë Veronika Skvorcova një nga substancat mund të testohet madje tashmë janë klinikisht.

Vaksina kundër ebolës

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka identifikuar dy vaksina si "premtuese" dhe shpreson që rezultatet e para të testimit për to do të jenë në dispozicion në nëntor apo dhjetor. Në qoftë se rezultatet e para të testimeve do të jenë pozitive - vaksinimi i vullnetarëve që shkojnë në Afrikën Perëndimore mund të fillojë nga nëntori apo dhjetori. Testet e fazës së dytë që shërbejnë për të verifikuar efektivitetin e vaksinave në zonat e prekura nga epidemia ebolës mund të fillojnë në janar ose shkurt.

DW.COM