1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shtohen masat e sigurisë në veri të Kosovës

Zyrtare të misionit EULEX, thonë se policia e EULEX-it, nuk do të tërhiqet nga patrullimet e vazhdueshme në veri të Kosoves, pa u bërë e kënaqëshme në situata e sigurisë.

Logo e policisë së Kosovës

Logo e policisë së Kosovës

Zyrtarë të misionit EULEX në Kosovë, thonë se ata do të vazhdojnë të punojnë në vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës dhe këtë e dëshmon fakti i shtimit të masave të sigurisë në këtë pjesë të Kosovës.

Patrullimet në rrugë

Zëdhënësi i misionit EULEX, Blerim Krasniqi i tha DW-së, se në këtë fazë pjesë e angazhimit të misionit EULEX në veri janë patrullimet e vazhdueshme nëpër rrugët e kësaj pjese të vendit. “Këto kontrolle dhe këto patrulla do të vazhdojnë përderisa të jetë e nevojshme në mënyrë që siguria në këtë pjesë të Kosovës të jetë e kenaqshme”, thotë Blerim Krasniqi.


Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, nga ana e tyre e kanë mirëpritur shtimin e masave të sigurisë në veri të Kosovës dhe ata janë të bindur në rezultate. Nga ana tjetër, përfaqësues të qeverisë në Beograd, kanë thënë se ata nuk janë kundër arrestimit të kriminelëve, ashtu siç veproi EULEX javën e shkuar kur arrestoi dy serbë të kërkuar edhe nga autoritetet e Beogradit, por shtimi i madh i masave të sigurisë në veri sipas tyre, mund të nxisë reagimin e qytetarëve serb.

Masat kundër grupeve kriminale

Ministri i punëve të brendshme, Bajram Rexhepi, i tha DW-së, se shtimi i masave të sigurisë në veri të Kosovës, nuk është kundër qytetarëve serbë, por kundër grupeve kriminale atje. “Është mesazh i dyfishtë, që t'i inkurajojë qytetarët serbë të bashkëpunojnë me policinë e Kosovës, policinë e misionit EULEX dhe KFOR-in, që t'i identifikojë njerëzit që merren me krimin dhe të lirohen nga grupet të cilat i terrorizojnë qytetarët serbë të pjesës veriore të Kosovës”, thotë Bajram Rexhepi.

Njohësit e çështjeve të sigurisë, thonë se shtimi i masave të sigurisë në veri të Kosovës është një sinjal i mirë që ajo pjesë e Kosovës nuk duhet të lihet në kaos. Ramadan Qehaja, ekspertë i çështjeve të sigurisë thotë për programin tonë se megjithë ngritjen e masave nga ana e forcave të rendit në veri, ai është skeptik për rezultatet. “Nuk do të ketë rezultate të mjaftueshme në atë pjesë të territorit sepse është një kohë shumë e gjatë që strukturat ilegale serbe janë të koncetruara atje, janë efektive dhe mbizotërojnë në atë pjesë të territorit, saqë masat e paralajmëruara me pompozitet edhe kësaj here nuk do të japin rezultate”, thotë Ramadan Qehaja.

Skepticizëm ndaj masave të sigurisë

Zoti Qehaja, thotë se misioni EULEX, që nga shtimi i masave të sigurisë arrestoi disa kriminelë mirëpo, nuk intervenoi që të shpërbëjë strukturat paralele serbe të sigurisë. “Nëse nuk luftohen strukturat ilegale serbe që ekzistojnë në veri, atëherë edhe rezultatet në luftimin e kriminelëve do të mungojë, sepse kriminelët do të jenë të mbrojtur nga këto struktura. Prandaj unë mendoj se radhitja e prioriteteve nuk është e mirë”, thotë Ramadan Qehaja.

Veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe vazhdon të jetë skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës dhe i ndarjeve të thella etnike. Çështja e veriut përmendet si një nga temat e mundshme të bisedimeve të paralajmëruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat do të mbikqyrën nga Bashkimi Evropian.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 13.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PdBW
  • Data 13.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PdBW