1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shtohen luftëtarët e Al-Kaidës në Siri

ISIS është një zhvillim krejt i ri brenda opozitës të fragmentuar siriane. Edhe pse në rast nevoje ata i bashkojnë forcat, qëllimet e tyre politike nuk janë identike.

Territori i "Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantes" (ISIS) shtrihet deri në kufi të NATO-s. ISIS është degë e Al-Kaidës dhe synon të ngrejë një emirat të ri ose kalifat në Lindjen e Mesme. Për këtë ajo nuk sheh si pengesë vetëm qeverinë siriane në Damask. Edhe shumica e kundërshtarëve të tjerë të regjimit konsiderohen si armiq. Muajt e fundit luftëtarët e ISIS e kanë zgjeruar territorin e tyre në veri të Sirisë, kryesisht në kurriz të brigadave rebele. Ndër të tjera kundër njësive të ISIS luftojnë Ushtria e Lirë Siriane (AMF) dhe kurdët sirianë. Në zonat që "Shteti islamik" i ka vënë nën kontroll, sundon me sa duket me anë të frikës. Megjithatë drejtuesit ISIS kanë mosmarrëveshje me mbështetësit e tjerë të Al-Kaidës në luftën civile siriane.

Shteti i vetëshpallur islamik vepron përtej kufijve ekzistuese të Sirisë. Nga shkretëtira e Irakut pothuajse deri në brigjet e shtetit të Levantes në Siri. Udhëheqësi ISIS Ebu Bekr el-Bagdadi ka nën urdhër sipas mendimit të ekspertit të Sirisë Michael Stephens rreth 7.000-10.000 vetë, por me sa duket jo një emirat të bashkuar. Edhe pse ISIS kontrollon në Siri disa rajone kufitare veriore dhe zona në qytetet e Idlib dhe Aleppo, "i vetmi vend ku ata janë me të vërtetë në gjendje për krijimin e një emirati është Rakka në qendër të vendit," thotë Stephens në bisedë me DW.

Dallime strategjike mes grupeve të Al-Kaidës

ISIS është një zhvillim krejt i ri brenda opozitës të fragmentuar siriane. Më parë ISIS luftonte në Frontin Nusra në emër të Al-Kaidës. Në prill 2013 "Shteti islamik i Irakut" nën drejtimin e al-Baghdadit shpalli bashkimin me Frontin Nusra. Të dy grupet janë ithtarë të ideologjisë së rrjetit terrorist të Al-Kaidës. Më parë pasuesit e el-Baghdadis vendosnin bomba dhe kryenin atentate vetëm në Irak. Në korrik 2013 ata liruan nga burgjet e Irakut qindra të burgosur.

Por Fronti Nusra nuk e donte bashkimin dhe ky grupim vepron kryesisht në Siri. Kurse ISIS "është një markë globale, që vepron përtej kufijve të një shteti dhe ka edhe më shumë të huaj që luftojnë në radhët e tij se sa Fronti Nusra." - thotë Michael Stephens. Edhe pse në rast nevoje ata i bashkojnë forcat, qëllimet e tyre politike nuk janë identike, thotë Stephens. Të paqarta janë sipas tij edhe lidhjet me Al-Kaiden.

Sponzorë nga vendet e Gjirit Persik

ISIS ka shumë sponsorë në vendet e Gjirit Persik, thotë njohësi i Sirisë Aron Lund, botues i faqes së internetit "Siria në krizë" të fondacionit Carnegie. ISIS merr gjithashtu mbështetje nga Iraku. Përveç kësaj asnjë grupim nuk ka pasur kaq shumë vullnetarë të huaj sa ISIS. Shumë prej tyre kanë sjellë me vete edhe para. Këta vullnetarë po bëhen gjithmonë e më shqetësues për shërbimet sekrete perëndimore, sepse nga e gjithë bota po shkojnë me mijëra vetë për të marrë pjesë në Luftën Civile. Në fund të nëntorit një gjerman me pseudonimin e luftës Ebu Osama bëri thirrje në një video të ISIS në internet për të marrë pjesë në luftë. "Në qoftë se lufta vazhdon dhe grupe të tilla vazhdojnë të kontrollojnë Sirinë veriore, ajo mund të kthehet në një Afganistan," paralajmëron Lund. Sikurse në Hindukush kampet për vullnetarët janë më shumë se vetëm kampe trajnimi. Aty vendosën kontakte dhe predikohet armiqësia ndaj Perëndimit dhe qeverive arabe.

Perëndimi para një dileme në Siri

Rritja e pushtetit të islamistëve radikalë brenda opozitës siriane paraqet e vë Perëndimin para një dileme. Nëse amerikanët dhe evropianët nuk i mbështesin grupet e moderuara të rezistencës, ato duhet të kalojnë edhe më shumë në mbrojtje kundrejt ISIS dhe Frontit Nusra. Megjithatë nëse furnizojnë me armë dhe pajisje forcat e moderuara, ata kanë frikë se këto përfundojnë në fund tek mbështetësit e Al Kaidës. Sulmi i pasqaruar i një depoje armësh të Ushtrisë së Lirë Siriane e përforcoi këtë shqetësim. Uashingtoni njoftoi një ndalim të përkohshëm të furnizimeve.

Përparimi i ekstremistëve lëshon hijen e vet edhe ndaj konferencës së ardhshme të paqes për Sirinë që planifikohet për muajin janar. Krerët e "Shtetit islamik" nuk duhet të kenë interes që të arrihet një zgjidhje politike e konfliktit që po vazhdon për gati tre vjet. "Ata tërheqin tani njerëz, sepse ata kanë luftëtarë të mirë dhe një lëvizje të fortë dhe se me sa duket nuk ka alternativë ndaj luftës" thotë eksperti i Sirisë Lund. Në rast paqeje forca e tyre tërheqëse do të zbehet dhe këtë ata nuk e duan në asnjë mënyrë.