1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shtohen investimet gjermane në Kosovë

Gjermania është donatori i dytë më i madh në Kosovë. Qysh prej përfundimit të luftës, ajo ka investuar në Kosovë 230 milionë euro në sektorë të ndryshëm ekonomik dhe shoqëror.

Investime gjermane në furnizimin me ujë të pijshëm për banorët e Pejës

Investime gjermane në furnizimin me ujë të pijshëm për banorët e Pejës


Rajonit të Pejës në perëndim të Kosovës, shtrirja gjeografike rrëzë Bjeshkëve të Nemura i ka mundësuar furnizimin e vazhdueshëm me ujë nga burimet natyrore. Nevojiteshin vetëm investime për sistemimin e ujit nëpër gypa, që furnizimi i popullatës me ujë të pijshëm të sigurohej njëherë e përgjithmonë. Këtë u përpoq ta bëjë qeveria gjermane, e cila vetëm prej vitit 2007 në rregullimin e rrjetit të ujësjellësit në rajonin e Pejës ka investuar rreth 4 milionë euro. Sipas Agron Tiganit, drejtor i kompanisë rajonale për ujë dhe kanalizim “Hidrodrini” në Pejë, ky investim ka ndihmuar në shërbimin me ujë të pijshëm për 185.000 banorë dhe në shërbime te ujërave të zeza për 60,000 banorë të komunës së Pejës, Istogut, Klinës dhe Junikut.

“ Investimet totale gjatë këtyre viteve kanë qënë afërsisht 4 milionë euro vetëm në rrjetin e ujësjellësit. Kemi pas projekte të shumta që nga rehabilitimi i ujësjellësit në Istog, rehabilitimi i gypësjellesit në zonat urbane në Pejë, Klinë, Junik, ndërtimi i stacionit të ri të pompimit në Pejë, vendosja e valvulave të ajrit, vendosja e pusetave në Klinë. Një projekt shumë i rëndësishëm është edhe ndërtimi i dy rezervuareve në Pejë nga Banka Gjermane me një kapacitet prej 3 milionë litra ujë, i cili sivjet ka hyrë në funksion dhe ka zgjidhur problemin e ujit të pijes sidomo në sezonin e verës dhe në zona të larta“, thote Tigani.

4 milionë euro vetëm në ujësjellësin e rajonit të Pejës

Agron Tigani, drejtor i kompanisë Hidrodrini Pejë

Agron Tigani, drejtor i kompanisë "Hidrodrini" Pejë

Mirëpo, përkundër investimeve të tilla kapitale, ende ka qytetarë të cilët ankohen për mungesën e ujit të pijshëm dhe reduktimeve drastike.

“Ne jemi të informuar mirë për investimet gjermane në rajonin e Pejës, Por ne ende nuk e kemi të qartë përse gjithë kjo mungesë uji, kur në lagjen time, megjithëse banoj në katin e tretë kemi vetem 6 orë ujë, nga 12 deri në 6 të mëngjesit, ndërsa në orët e tjera nuk ka. Pra, një jetë tërësisht e çrregulluar”, thotë Nezir Balaj, me banim në një lagje të Pejës.

Kjo ndodh për shume arsye dhe ky problem pritet të zgjidhet nga investime të tjera, shpjegon Tigani.


“Mungesa e e rreshjeve, keqperdorimi i ujit nga popullata, kyçjet ielgale dhe shfrytëzimi i ujit të pijshëm për ujitje, janë disa nga arsyet. Ndërkohë që kemi ndërmarrë aksione me policinë për  30-40 shkyçje brënda muajit. Pagesa nuk bëhet me kohë. Gjatë vitit të kaluar shkalla e arkëtimit ka qënë 63-64 per qind, edhe pse kompania “Hidrodrini” e ka tarifën më të ulët në Kosovë, me vetëm 0.27 cent për nje meter kub ujë. Ndërsa, falë qeverisë gjermane Rrafshi i Dukagjinit e ka të hartuar fizibilitetin për trajitmin e ujërave të zeza, për çfarë presim edhe ndarjen e donacioneve për rrjetin e kanalizimit si dhe për trajtimin e ujërave të zeza, i cili nuk është bërë ndonjëherë dhe ujërat e zeza derdhen në lumenj”.

Gjermania ka investuar 230 milionë euro për zhvillimin e Kosovës
 

Ende në Kosovë ka mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm për banorët

Ende në Kosovë ka mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm për banorët

Qeveria e Gjermanisë është donator i rëndësishëm për Kosovën, i cili që nga përfundimi i luftës ka ofruar mbështetje në sektorë të shumtë të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, thotë Menderes Ibra, këshilltar i ministrit për ekonomi dhe financa në qeverinë e Kosovës.

“ Zotimet e përgjithshme të qeverisë Gjermane për bashkëpunim me Kosovën për këto 12 vite deri në takimin e shtatorit janë rreth 230 milionë euro. Projekte të shumta janë zhvilluar dhe po zhvillohen me përkrahjen e Gjermanisë, për të cilat qeveria  është shumë mirënjohëse dhe falenderuese“, thotë këshilltari Ibra.

28.3 milionë euro shtesë për sektorë të ndryshëm

Foto simbolike e bashkëpunimit mes dy vendeve Gjermani -Kosovë

Foto simbolike e bashkëpunimit mes dy vendeve Gjermani -Kosovë


Në konsultimet e përvitshme ndërqeveritare për bashkëpunim politik zhvillimor në mes të Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë -të pestat me radhë që nga pavarësimi i Kosovës me 2008 - Gjermania si donatori i dytë më i madh pas SHBA-ve, premtoi mbështetje të metutjeshme për Kosovën.

“Me qëllim të implementimit të reformave të nevojshme në kuadër të procesit të përafrimit të Kosovës me BE-në, gjatë këtyre konsultimeve janë zotuar mjete në vlerë prej 28,3 milionë eurove, të cilat i shërbejnë implementimit të projekteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, në fushën e energjetikës dhe ujërave, si dhe të arsimit të ulët”,njoftoi Ambasada Gjermane në Prishtinë me anë të një komunikate.

Sipas Ibraj, qeveria gjermane deri me tani ka kontribuar në fushën e ekonomisë, financave, energjisë, bujqësisë dhe zhvillimit rural, sektorin e ujërave, të arsimit dhe edukimit, rritjen e punësimit, në ngritjen e kapaciteteve si dhë në projekte të shoqërinë civile.


“Ndërsa, shuma prej 28.3 milionë eurosh është planifikuar që të orientohet në: infrastrukturë - 18 milion euro; në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe promovimin e punësimit -7.2 milion euro; në arsim -2.5 milion euro si dhe 0.6 milionë euro në zhvillimin demokratik, shoqëri civile dhe në administratë publike”.