Shtohen grupet e mbrojtjes qytetare në Gjermani | Gjermania | DW | 18.01.2016
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shtohen grupet e mbrojtjes qytetare në Gjermani

Pas sulmeve kundër grave në Këln po formohen të ashtuquajtura grupe të mbrojtjes qytetare. Ligjërisht, formimi i tyre ka kufij të fortë dhe shërbimi i fshehtë gjerman në disa raste sheh afëri me ekstremizmin e djathtë.

Iniciativat shkojnë që prej ndihmës për fqinjët deri te grupet e djathta, të organizuara strikt, të cilat nuk sprapsen nga përdorimi i dhunës. Jo gjithmonë ato emërtohen mbrojtje qytetare apo civile - ndoshta sepse kjo tingëllon shumë luftarake dhe tërheq shpejt vëmendjen e autoriteteve shtetërore. Në fund të fundit, për sigurinë e brendshme përgjegjësinë e ka policia, në Gjermani nuk mund ta luash pa një pa dy rolin e sherifit.

Por sulmet e Këlnit duket se kanë krijuar një klimë të re kërcënimi. Disa grupe të mbrojtjes qytetare e justifikojnë ekzistencën e tyre shprehimisht me ngjarjet e Këlnit, si për shembull një iniciativë në Dyseldorf. Mijëra vetë atje janë bashkuar me grupin e Facebook-ut "Një për të gjithë, të gjithë për një...Dyseldorfi është vigjilent". Sipas të dhënave të tij, grupi do të kujdeset "për zonjat tona", atje ku për gratë situata mund të bëhet e rrezikshme: në fundjavë ose në aktivitete anëtarët e grupit duan të kalojnë së bashku nëpër qytet. Organizatori Tofigh Hamid i tha kanalit televiziv Sat.1: "Unë nuk jam dakord, që njerëzit e lirë të frikësohen". Me dhunë ose armiqësi ndaj të huajve kjo nuk ka të bëjë.

Minim nga e djathta

Këtë nuk mund ta thuash për të gjitha grupet. Presidenti i Mbrojtjes së Kushtetutës (shërbimit të fshehtë) për landin e Saksonisë, Gordian Meyer-Plath foli para pak kohësh me gazetën "Leipziger Volkszeitung" dhe i tha se numri i grupeve të mbrojtjes qytetare është shtuar mjaft, disa prej tyre janë themeluar ose mbështeten nga ekstremistët e djathtë ose populistët e djathtë. Sociologu nga Jena, Matthias Quent sheh edhe rrezikun, që qytetarë që nuk kanë pasur më parë lidhje me skenën ekstremiste të djathtë, të tërhiqen përmes këtij bashkëpunimi në mbrojtjen qytetare të minuar nga të djathtët.

Punonjësit e shërbimit të fshehtë gjerman i shqetëson për shembull "Mbrojtja qytetare FTL/360", në Freital të Saksonisë, e cila ka tërhequr vëmendjen edhe përmes demonstratave masive që ka mbajtur kundër pranisë së refugjatëve. Ky grup i mbrojtjes qytetare apo civile u themelua pasi dy marokenë ngacmuan dhe rrahën në linjën e autobusit 360 disa nxënës. Që atëherë ata patrullojnë në autobusë, për t'u kujdesur "për qetësi dhe rend". Në Schwanenwede të Saksonisë së Poshtme, vjeshtën e kaluar "roje të fqinjësisë" marshuan vjeshtën e kaluar para një strehimi refugjatësh.

Jo çdo grup i mbrojtjes qytetare është ilegal

Se pse ushtrojnë grupet e mbrojtjes qytetare një fuqi kaq të madhe tërheqëse ndaj ekstremistëve të djathtë, këtë e shpjegon Presidenti i Mbrojtjes së Kushtetutës të Landit të Tyringenit, Stephan Kramer për Agjencinë gjermane të lajmeve dpa: Këto grupe shfrytëzojnë për synimet e tyre një kërcënim të perceptuar ose që ekziston realisht, " jo vetëm që t'i vënë pikëpyetje shtetit dhe aftësisë së tij për të vepruar, por për ta denigruar qëllimisht atë. Grupet e mbrojtjes qytetare përkëdhelin edhe dëshirën e fortë të ekstremistëve të djathtë për të mbajtur uniforma, pë t'u shfaqur ushtarakisht si dhe për të përjashtuar minoritetet, që të ngrejnë vlerën e vetes."

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme Gjermane thekson:"Duhet penguar me të gjithë vendosmërinë, qoftë edhe në vende të caktuara, që të ndërtohen struktura paralele." Por një grup i mbrojtjes qytetare nuk është ilegal që në ide. Kur fqinjët mblidhen dhe ruajnë zonën ku banojnë, për të penguar vjedhjet, nga ana ligjore kjo është në rregull. Vetëm se ata nuk lejohet të armatosen ose të përdorin dhunë. Ata nuk lejohet as ta kontrollojnë në trup një të dyshuar si vjedhës ose t'i kontrollojnë dokumentat, as atëherë kur ai ka ngjallur dyshime. Vetëm kur personi kapet në flagrancë ke të drejtë ta mbash mbërthyer, deri sa të vijë policia. Këtë të drejtë e ka çdo qytetar.