1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shtohen azilkërkuesit, por jo njohjet e azilit

"Ka pasur rritje të numrit të azilkërkuesve, por numri i atyre që u është njohur statusi ka qenë i ulët", pohon në intervistën për DW, Thomas vom Braucke, i sektorit bashkërendues në kryesinë e Danimarkës në BE.

Danimarka dhe BE-ja

Danimarka kryeson BE-në

DW: Qeveritë lokale të vendeve ballkanike kanë zhvilluar fushata informimi për çështjen e liberalizimit të vizave. Njerëzit po e ushtrojnë lirinë e qarkullimit; disa prej tyre po kërkojnë strehim. A mos ligjet përkatëse të azilit në disa vende të BE-së janë pjesë e problemet, pasi japin shtysë për kërkesa të tilla?

Vom Braucke: Me sa jemi të informuar, në vetvete nuk ka shtysa për azilkërkuesit. Vërtetë ka pasur liberalizim të vizave për shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe që prej këtij liberalizimi ka pasur rritje [të numrit të azilkërkuesve] në disa vende anëtare [të BE-së], pasi udhëtimi është bërë më i lehtë, mirëpo unë nuk do t'i quaja këto shtysa për të kërkuar azil.

DW: Po, por sistemet parashohin për azilkërkuesit e vërtetë periudha të caktuara qëndrimi në një vend perëndimor dhe këto rrethana po keqpërdoren nga disa azilkërkues nga vendet ballkanike...

Vom Braucke: Ajo çka mund të them është se përqindjet e njohjes [së të drejtës për azil] në përgjithësi kanë qenë shumë të ulëta. Kësisoj shumicës së atyre personave që kanë kërkuar azil, nuk u është dhënë azil. Pra, ka pasur një rritje të numrit të azilkërkuesve, por numri i njerëzve të cilëve u është njohur statusi i refugjatit  ka qenë i ulët. Me gjasa si rezultat i kësaj, por edhe në përgjithësi përballë rrezikut të abuzimit me lirinë e vizave, Komisioni [Evropian] ka parashtruar në maj të vitit të kaluar një propozim për ndryshimin e rregullores për vizat. Ky bën të mundur futjen e një klauzole emergjence me anë të së cilës mund të zbatohet më shpejt sesa do të ishte në rastet e zakonshme rifutja e detyrimit për vizat. Është fjala për një propozim rregulloreje, i cili është nën negociim në Këshill[in Evropian] dhe ky mekanizëm ka për të qenë një mekanizëm i përgjithshëm i cili do të vlejë për të gjitha vendet (jo vetëm për vendet e Ballkanit).

DW: A pret BE-ja që vendet ballkanike të ndërmarrin hapa të caktuar përveç fushatave të informimit?

Vom Braucke: Ka një bashkëpunim të përgjithshëm midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në lëmin e drejtësisë dhe të punëve të brendshme për sa u takon elementeve të përgjithshme. Së afërmi ka pasur një takim ministror midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Maqedoni në fillit të tetorit, vitin e kaluar, në të cilin morën pjesë edhe kryesia polake [e radhës], dhe ato pasardhëse: daneze e qipriote. Në takime të tilla diskutohen të gjitha çështjet me interes të përbashkët në lëmin e drejtësisë dhe të punëve të brendshme, si dhe migrimin e paligjshëm e rrymat e azilit që shkojnë ose prej këtyre vendeve në BE ose nëpërmjet këtyre vendeve në BE. Pra, ka një bashkëpunim për t'i ndalur këto rryma nëse është e mundur, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

DW: A ndikon përvoja e re me vendet e Evropës Juglindore mbi procesin aktual me Kosovën për liberalizimin e vizave, dhe nëse po, në ç'mënyrë?

Vom Braucke: Siç lini të kuptohet, aktualisht personat nga Kosova kanë ende nevojë për vizë për të hyrë në hapësirën Schengen, për ta nuk ka liri vizash. Komisioni mund të parashtrojë një projekt për mandat për të hyrë në negociata me Kosovën për një hartë itinerari për vizat [shënim i autorit: lista e kërkesave në dialogun e vizave BE/Kosovë mbetet për t'iu paraqitur qeverisë së Kosovës]. Kjo hartë itinerari mund të shpinte në fund në heqjen e vizave. Pra, procedura është kjo që Komisioni [Evropian] do të duhej t'i prezantonte Këshillit [Evropian] një mandat për të hyrë në negociata për një itinerar të tillë dhe më pas itinerari do të përcaktonte se cilat hapa duhet të ndërmarrë Kosova, se ç'standarde duhet të zbatojë, për shembull, për sigurinë e dokumenteve, përpara se qytetarët e Kosovës të mos kenë më nevojë për viza. Topin e ka këtu Komisioni. Komisioni do të duhej t'i prezantonte Këshillit një mandat të tillë mbi itinerarin për heqjen e vizave. Komisioni mund t'ia prezantojë Këshillit projekt-mandatin gjatë kryesisë daneze. Ne nuk e dimë ende nëse do ta bëjnë një gjë të tillë. Më pas Këshilli do të duhej t'i jepte Komisionit mandatin, dhe në fund do të shihej nëse Kosova i plotëson kushtet e itinerarit. ...Normalisht, harta e itinerarit do t'i përshtatej vendit për të cilin bëhet fjalë.

...Rregullorja për tërheqjen e BE-së nga marrëveshja për heqjen e vizave (pasi kjo është miratuar njëherë) është ende nën negociim. Shtetet anëtare [të BE-së] u morën vesh gjatë kryesisë polake për këtë pjesë të rregullores, pra se ç'trajtë do të ketë mekanizmi, kjo është miratuar tashmë në Këshill. Mirëpo, ka ende pjesë të rregullores që gjenden nën negociim tani gjatë kryesisë daneze. Dhe pasi Këshilli të ketë mbërritur në një qëndrim të përbashkët, ai do të duhet të hyjë në negociata me Parlamentin [Evropian]. Ne synojmë të përparojmë sa më shumë gjatë kryesisë aktuale, por nëse do ta arrijmë kjo sigurisht që është e pasigurt të thuhet.

DW: Cili është vlerësimi në Këshillin Evropian: Sa i madh është rreziku për rifutjen e vizave për vende të caktuara evropianojuglindore?

Vom Braucke: Mendoj se kjo është e vështirë të thuhet. Ideja është kjo: Vendet anëtare do të duhej t'i prezantonin Komisionit dëshmi se liria e qarkullimit pa viza po keqpërdoret nga vendi i tretë [joanëtar i BE-së] në fjalë (ky mund të jetë cilido vend i tretë që është pa detyrim për viza). Pastaj Komisioni do ta vlerësonte informacionin dhe mund të pezullonte përkohësisht heqjen e detyrimit për vizat në rast se rregullorja miratohet në formën që ka tani. Dhe pas një periudhe kohe Komisioni do të vlerësonte nëse do t'i duhej të prezantonte një propozim për ndryshimin e vetë rregullores. Pra, pezullimi i përkohshëm do të ishte kompetencë e Komisionit bazuar mbi të dhënat e vendit anëtar, dhe ndryshimi i rregullores do të nënkuptonte që Komisioni të prezantojë një propozim, i cili miratohet më pas në procedurë legjislative normale me përfshirjen e të dyve, Këshillit dhe Parlamentit.

Autor: Elert Ajazaj

Redaktoi: Bahri Cani