″Shteti Islamik″ - sfidë për Bosnjë-Hercegovinën | Ballkani | DW | 25.09.2014
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Shteti Islamik" - sfidë për Bosnjë-Hercegovinën

Me publikimin e listës së koalicionit kundër terrorit dhe sulmet ajrore kundër "shtetit islamik" Bosnjë Hercegovina po përballet me sfida të sigurisë. Roli i këtij vendi në koalicion nuk është plotësisht i qartë.

Symbolbild Islam und Nationalstaat

S.O. nga Zenica vdiq para pak ditësh në Siri, si anëtar i të ashtuquajturit "Shteti islamik (IS - Islamic State) Irak dhe Levant." Këtë informacion thuhet se e kanë dhënë anëtarët e familjes së tij në rrjetet sociale. Thuhet se S.O. është vrarë në luftimet e formacioneve të armatosura të IS, që luftonin me kurdët në qytetin Ajnul Arab në krahinën siriane të Alepos.

S.O. është njëri nga të paktën njëzet qytetarët nga Bosnjë-Hercegovina, që humbën jetën duke luftuar në Lindjen e Mesme për IS. Sipas të dhënave jozyrtare rreth 200 burra dhe gra nga Bosnja dhe Hercegovina kanë shkuar në Siri për të luftuar në radhët e ekstremistëve. Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike të Sarajevës, Vlado Azinoviç, me rastin e arrestimeve të fundit të 16 personave në aksionin "Damask" tha për Deutsche Welle-n se anëtarët e IS nga Bosnjë-Hercegovina përbëjnë një kërcënim potencial të sigurisë, kundër të cilit është e vështirë të luftohet vetëm me anë të "kriminalizimit dhe represionit policor."

"Është e nevojshme që të zhvillohet një narracion që shkon në drejtimin e kundërt, duke forcuar rolin e familjes, shërbimeve sociale, institucioneve arsimore, mediave, komuniteteve fetare, me qëllim që për një tetëmbëdhjetëvjeçar të mos jetë më tërheqëse që të shkojë në Siri - vend që me siguri nuk di ta tregojë as në hartë, në një konflikt, që nuk e kupton - por që ta kërkojë vendin dhe të ardhmen e tij në këtë vend", tha Azinoviç.

Grupet radikale nuk duhen injoruar

Pasi në hartën e "kalifatit" (formë feudale e sistemit musliman të qeverisjes, në të cilën sundimtari i parë është trashëgimtar i ligjshëm i Profetit Muhamed) tww tww ashtuquajturit "Shtet islamik" u shënua edhe Bosnjë-Hercegovina, ky vend u gjend në listën e vendeve të përfshira në koalicionin botëror antiterror kundër IS. Pas kësaj IS u bëri thirrje përkrahësve të tij në mbarë botën, që të vrasin qytetarët e vendeve të koalicionit antiterror. Pas publikimit të listës së anëtarëve të koalicionit ndërkombëtar dhe fillimit të sulmeve ajrore të përbashkëta mbi pozicionet e IS në Siri, kërcënimet e sigurisë kanë marrë një dimension të ri, thotë profesori për mbrojtjen dhe sigurinë, Nexhad Ahatoviç.

"Grupet radikale në Bosnjë-Hercegovinë edhe para shfaqjes së IS dhe sulmeve të përbashkëta në Siri kanë qenë një kërcënim i sigurisë, që nuk duhet të injorohet. Këtë e vertetojnë edhe sulmet terroriste në stacionin policor në Bugojno dhe në ambasadën e SHBA në Sarajevë. Agjencitë policore në Bosnjë-Hercegovinë duhet të jetë funksionale, në mënyrë që në bazë të informacioneve sekrete dhe dyshimeve të hershme të eleminonjë rrezikun e kërcënimit të sigurisë. Arrestimet e fundit në aksionin "Damask" dhe sekuestrimi i armëve tregojnë se sistemi i sigurisë në Bosnjë-Hercegovinë funksionon kryesisht brenda kufijve shtetërorë. Por lufta kundër terrorizmit është me të vërtetë një çështje globale dhe provë për këtë është fakti që neve kërcënimet tani na vijnë edhe nga Lindja e Mesme. Prandaj edhe bëhen përpjekje të përbashkëta ndërkombëtare për t'i luftuar këto kërcënime, sepse shtetet veç e veç shpesh nuk janë në gjendje për t'i përballuar vetëm me këto sfida", thotë Ahatoviç.

Megjithatë roli i Bosnje-Hercegovinës në koalicionin kundër terrorizmit ndërkombëtar është ende i mjegullt, duke pasur parasysh se nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet shtetërore për pjesëmarrjen e Bosnje-Herzegovinës në aksionin global kundër ekstremistëve të IS. Në këtë pikëpamje fqinjët e Bosnje-Hercegovinës janë më konkretë. Presidenti kroat Ivo Josipoviç në mënyrë të qartë ka thënë se Kroacia nuk do të dërgojë ushtrinë kundër IS, por është politikisht pjesë e koalicionit anti-terror. Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç ka premtuar mbështetje në luftën kundër "islamizmit radikal", duke bërë të qartë se Serbia i takon aleancës për luftën kundër terrorizmit në botë, "duke përfshirë të ashtuquajturin "Shtet Islamik".

Masa parandaluese dhe represive

Zëdhënësi i ministrisë së Sigurisë së Bosnjë-Hercegovinës, Admir Malagić, thotë se Ministria nuk ka marrë asnjë akt zyrtar nga institucionet shtetërore se i përket ndonjë koalicioni, që lufton kundër IS. "Megjithatë Bosnjë-Hercegovina prej kohësh bën pjesë në grupin e vendeve, që janë të angazhuara në luftën kundër të gjitha formave të terrorizmit, si një kërcënim global dhe se bashkëpunon në këtë bashkëpunim të ndërsjellë. Në këtë drejtim ka rezultate të caktuara. Dëshmi janë edhe veprimet e policisë, që kanë rezultuar me arrestimin e një numri të konsiderueshëm personash", tha Malagiç në Radio1.

Profesor Armin Krzhaliç nga Qendra për Studimet e Sigurisë në Sarajevë thotë se Bosnjë-Hercegovina ndoshta nuk është edhe aq e fuqishme në planin global, por ajo nuk mund të qëndrojë jashtë lëvizjes globale kundër terrorizmit. „Lufta kundër terrorizmit të IS nuk duhet të bazohet në gënjeshtra dhe paragjykime. Ajo duhet të bazohet në masa prandaluese dhe represive. Masat parandaluese nënkuptojnë eliminimin e kushteve dhe motiveve, që ndikojnë që disa njerëz të caktuar, apo grupe t'i bashkohen IS-it. Me masat represive duhet të ndalen mizoritë dhe aktivitetet e tjera, që kryen IS. Bosnjë-Hercegovina mund të japë kontribut për masat parandaluese, që ndër të tjera do të pengonin rekrutimin e njerëzve për fushëbetejat e huaja", thotë Krzhaliç.

Koalicionin ndërkombëtar kundër terrorit e udhëheqin Shtetet e Bashkuara dhe anëtarë të Lidhjes Arabe, dhe shumica e vendeve anëtare të koalicionit zyrtarisht ka deklaruar se bën pjesë në lëvizjen globale kundër "Shtetit islamik".