1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shtetet e Gjirit Persik mbështesin fenë ultraradikale islame në Gjermani

Grupe fetare nga shtetet e Gjirit dyshohet se i mbështesin salafistët gjermanë me aprovimin e qeverisë së tyre. Shërbimet e fshehta nuk konstatuan dallime mes punës misionare të një grupi e ideologjisë së tij xhihadiste.

Deutschland König Fahd Fahad Akademie in Bonn - Detail Minarett (picture-alliance/dpa/O. Berg)

Akademia Mbreti Fahd në Bonn që do të mbyllet.

Arabia Saudite, Kuvajti dhe Katari kanë ofruar një mbështetje gjithnjë e më të madhe për një interpretim fondamentalist të fesë islame. Këtë e bënë të ditur mediat gjermane të hënën, duke cituar shërbimet të fshehta për botën e jashtme dhe ato të vendit.

Organizata fetare prej këtyre tri vendeve kanë dërguar predikues në Gjermani si dhe kanë financuar ndërtimin e xhamive dhe të shkollave, bënë të ditur gazeta gjermane "Süddeutsche Zeitung" dhe kompanitë mediatike publike NDR dhe WDR. Raportet e shërbimeve të fshehta u hartuan me porosi të qeverisë gjermane.

Aktualisht janë 9200 vetë të përfshirë në skenën salafiste në Gjermani, por qeveria gjermane është e shqetësuar se puna misionare në rritje mund të dalë jashtë këtij kuadri. Berlini është i shqetësuar edhe se këto grupe mund të luajnë një rol në radikalizimin e refugjatëve sunitë.

Lidhje të mundshme me qeveritë

Qeveria gjermane i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur qeverisë saudite që të ndalojë së mbështeturi grupe radikale islamike në Gjermani. Arabia Saudite, nga ana tjetër, ka deklaruar se organizatat e saj fetare janë "kështjella" kundër të ashtuquajturit "Shtet Islamik."

Megjithëse Riadi këmbëngul që organizatat fetare janë të pavarura, shërbimet informative gjermane kanë arritur në përfundimin se këto grupe "janë të lidhura ngushtë me poste shtetërore në vendet e tyre të origjinës." Shërbimet e fshehta arrijnë megjithatë në përfundimin se mungon evidenca për të sugjeruar se grupet fetare mbështesin "struktura të dhunshme salafiste dhe rrjetet e tyre".

Ndikim në shkolla dhe në pasuri të paluajtshme

Raportet e shërbimeve të fshehta përmendin më tej me emër tri organizata fetare aktive në Gjermani, që besohet se mbështeten nga shteti:  "Shaykh Eid Charity Foundation" nga Katari, "Muslim World League" nga Arabia Saudite dhe "Revival of Islamic Heritage Society" (RIHS) nga Kuvajti.

Grupi salafist gjerman që tani është ndaluar, "Feja e vërtetë" njihej se shpërndante Kuranë me një përkthim fondamentalist. Në rastin e RIHS, zyrtarët e shërbimeve të fshehta konstatuan se "në thelb nuk ka më dallime" midis punës misionare dhe përhapjes së ideologjisë xhihadiste.

Që prej vitit 2012, ky grup ka përdorur një firmë pasurish të paluajtshme për të ndikuar skenën islamiste në Gjermani, thuhet në raportet e medieve. Javët e fundit, autoritetet gjermane kanë ndërmarrë një sërë bastisjesh në gjithë Gjermaninë, me objekt organizata salafiste. Në nëntor, ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere shpalli ndalimin e organizatës salafiste "Feja e vërtetë", të njohur për shpërndarjen e Kuranit me përkthim fondamentalist.