1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shtetet e BRIC-ut tregojnë dobësi, të tjera dalin në sy të të gjithëve

Shtypi ekonomik gjerman parashikon fundin e rritjes ekonomike turbo. Vendet e BRIC-ut ishin për më shumë se një dekadë motori i ekonomisë botërore. Në të ardhmen ato nuk do të mund ta luajnë më këtë rol.

Samiti i shteteve të BRIC-ut në Nju-Delhi në mars 2012

Samiti i shteteve të BRIC-ut në Nju-Delhi në mars 2012

Në takimin e tyre të nivelit të lartë në Nju-Delhi ata ranë dakord për themelimin e një banke të përbashkët zhvillimi, e cila do të nxisë projekte, që nuk mbështeten nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nga Banka Botërore. Ky plan do të verifikohet për zbatueshmërinë e tij deri në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë, tha Kryeministri i Indisë, Manmohan Sing. Veç kësaj kryetarët e shteteve dhe të qeverive kërkuan një zgjidhje paqësore të konfliktit në Siri dhe u shprehën se Irani ka të drejtë të mbajë një program paqësor atomik. Veç kësaj u zbatuan marrëveshje, të cilat synohet ta lehtësojnë tregtinë në kuadër të të ashtuquajturës Lidhja BRIC.

Sa do të vuaj ekonomia botërore prej kësaj?

Arsyeja për mosluajtjen e rolit të motorit të ekonomisë botërore në të ardhmen nga shtetet e ashtuquajtura BRIC janë përqindjet në rënie të rritjes ekonomike. Ishte një ekspert financiar amerikan, që para plot dhjetë vjetësh e ktheu shkurtesën BRIC në një lloj marke malli. Pas saj fshihen ekonomitë në ekspansion të plotë: Brazili, Rusi, Indi dhe Kinë. Derisa Brazili dhe Rusia e tërhoqën interesimin e investuesve me rezervat e tyre në lëndë të para, India dhe Kina me popullsinë e tyre miliardëshe premtuan fuqi pune të lira dhe në këtë mënyrë kosto prodhimi të ulëta.

Vetëm pesë vjet më vonë këto vende në kufirin e industrializimit dhe me ekspansion të plotë kontribuan një pjesë më të madhe në rritjen ekonomike botërore sesa vendet e industrializuara. Mirëpo, kohët e fundit makina e rritjes ngec. Për të parën herë prej shumë kohësh Kinës i duhet të përballojë deficite tregtare. Edhe shtetet e tjera të BRIC-ut luftojnë me probleme. Kapaciteti i tyre ekonomik tkurret.

Në 2012-n sërish përshpejtim i rritjes ekonomike

Maria Laura Lanzeni, eksperte për të ashtuquajturat Emerging Markets pranë Deutsche Bank, e relativizon këtë zhvillim: "Këto shifra, që dalin tani, janë shifra të 2011-s. Ne shohim që në gjysmën e dytë të 2012-s do të përjetojmë përsëri një përshpejtim të rritjes. Nuk lejohet të krahasohen njëri me tjetrin vite të veçanta, po më shumë periudha kohore 'para krizës' dhe 'pas krizës'. Atëherë mund të shohim që vendet në kufi të industrializimit, para së gjithash Kina dhe India, do të vazhdojnë të rriten në mënyrë shumë dinamike."

Maria Laura Lanzeni, drejtore 'Emerging Markets' Deutsche Bank Research Copyright: Deutsche Bank Zur Verwendung für DW frei gegeben

Maria Laura Lanzeni

Në Kinë dhe Indi objektivat e rritjes për 2012-n u ulën në 7,5 respektivisht 7 për qind. Në krahasim me vendet e industrializuara kjo është ende e jashtëzakonshme (mirëpo, matur me normat e rritjes dyshifrore të viteve të kaluara: një rënie e dhimbshme). Arsyeja për këtë çentuziazmim janë çmimet në rritje për lëndë të para, të cilat duhet të importohen nga këto dy vende në sasi gjigante.

Brazili dhe Rusia nuk rriten dot aq shpejt sa Kina dhe India

Brazili vuan nga rritja drastike e kostove të pagave, e inflacionit dhe nga mbiçmimi i monedhës së tij prej rrymave vazhdimisht në rritje të kapitalit nga jashtë. Depozituesit perëndimorë investojnë atje, sepse në vendet e tyre për arsye të luftimit të krizës me para të lirë dhe të normave të ulëta të interesave gati nuk realizohen përqindje fitimi.

Në Rusi zhvillimi pengohet nga varësia e njëanshme prej naftës vendase. Vendi duhet të modernizojë urgjentisht ekonominë e tij dhe të zgjerojë gamën e eksporteve. Por korrupsioni dhe ndërhyrjet shtetërore në jetën e biznesit i frikësojnë investuesit. Kush ka para, i nxjerr ato jashtë vendit. Sipas përllogaritjeve serioze, vetëm në 2011-n u derdhën jashtë vendit rreth 85 miliardë dollarë .

Këtyre u shtohet fakti që vendet në kufirin e industrializimit nuk kanë mbeten të paprekura edge prej krizës së huave të Perëndimit: Eksportet në shtetet e industrializuara ecin jonjëtrajtshëm dhe kërkesa brenda vendit nuk arrin t'i rikuperojë humbjet.

Megjithatë, Maria Laura Manzeni beson që prej vendeve në kufi të industrializimit do të dalin edhe në të ardhmen impulse të rëndësishme për ekonominë botërore. "Po, pjesërisht. Këtë e kemi parë vitet e kaluara. Natyrisht, edhe në krizën globale, ku gati të gjitha vendet në botën e industrializuar rrëshqitën në recesion dhe vendet në kufirin e industrializimit patën mesatarisht ende norma rritjeje pozitive. Këtë e kemi parë edhe vitin e kaluar. Dhe ne besojmë që kjo diferencë në rritje midis vendeve në kufirin e industrializimit dhe vendeve të industrializuara do të mbetet kështu. Tjetër çështje është nëse këto vende mund të jenë vërtet lokomotiva e rritjes. Për mendimin tim, me përjashtim të Indisë dhe Kinës, nuk do të jetë ende kështu për vendet e tjera. Ato nuk janë ende të mëdha sa duhet."

Autor: Klaus Ulrich / Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica

DW.COM