1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shtet i vogël në lojën e madhe

Një vend tjetër evropian në rrugën para një prove të vështirë? Nëse Mali i Zi merr ofertën për të hyrë në NATO, mund të përsëriteshin shumë gjëra, që njohim nga Ukraina, mendon Dragoslav Dedoviç.

Serbët dhe malazezët nuk kanë dallime të mëdha historike, etnike dhe fetare. Ngjashëm si në rastin e Austrisë ndaj Gjermanisë, Mali i Zi nën drejtimin e Milo Gjukanoviçit i ka kërkuar kriteret e veçimit nga Serbia në historinë e shtetësisë së tij. Një farë ambivalence ka gjithmonë në krenarinë kombëtare të Malit të Zi, sepse shumë princa malazezë e përkufizonin veten si serbë të flaktë. Kjo kujtesë mbahet gjallë sidomos në veriun e varfër të vendit, ku shumica e njerëzve insistojnë ende në identitetin e tyre serb.

Ndarja paqësore e Beogradit dhe Podgoricës ndodhi në vitin 2006. Pikërisht kjo ndarje, kryeideologu i së cilës ishte Gjukanoviç, la pas një ndarje të thellë në Malin e Zi. Në qendër të vendit dhe në bregdetin e Adriatikut, Gjukanoviçi ka siguruar gjithnjë shumicën. Në veriun malor ai nuk ka patur kurrë mbështetje.

Qendrim i urdhëruar properëndimor

Në aparatin e tij të pushtetit Milo Gjukanoviç mbështetetej te nacionalizmi, që lidhej me shtetformimin e Malit të Zi. Nacionalizëm, klientelizëm dhe një qëndrim i caktuar properëndimor, herë pas here gazetarët maltrajtohen dhe vriten, besnikët e partisë me familjet e tyre kanë vende pune, të tjerët gati asgjë. Pasi një prokuror italian e ndërpreu në vitet nëntëdhjetë aktakuzën e përgatitur kundër Gjukanoviçit për kontrabandë cigaresh, “demokrati i përsosur” vazhdoi të udhëheqë vendin në drejtim të BE-së dhe NATO-s.

Dragoslav Dedovic

Dragoslav Dedovic

Për një kohë të gjatë u duk se po i dilte llogaria mirë. Por pastaj erdhi konfrontimi i ri ruso-perëndimor. Malazezi ra në hall për të vendosur. Në kryeqytetin Podgoricë ndodhet një monument i Pushkinit. Në bregdetin e Adriatikut shumë rusë të pasur kalonin kohën e lirë. Nën Milo Gjukanoviçin rusët e pasur blenë prona në Adriatik, disa stacione radiofonike futën emisione në gjuhën ruse.

Rusia prej kohësh

Kjo rusofili ka një histori të gjatë. Ky popull i vogël malor nuk u vendos kurrë plotësisht nën zgjedhën osmane. I gjithë vendi ishte “fshati i vogël gal” i Ballkanit, i mbështetur nga Rusia cariste. Dhe kështu malazezët kanë besuar tradicionalisht te Rusia. Ashtu si në pyetjen, nëse malazezët janë të lidhur ngushtë me serbët, edhe në raportin aktual me Rusinë në mbarë vendin ka një qendrim gati skizofren.

Politika reale e Gjukanoviçit përbën në një situatë të tillë një ndërprerje kulturore. Në dalIim nga Beogradi Podgorica mbështet së fundmi sanksionet perëndimore kundër Rusisë. Dhe NATO pritet t'i ofrojë në fund të vitit anëtarësinë. Një dhuratë me eksploziv, sepse shoqëria gjithsesi e ndarë fiton në këtë mënyrë një arsye shtesë, për të larë llogaritë e vjetra.

Mund të ndodhë, që miqtë rusë të nxisin këtu apo atje opozitën e përçarë dhe të dobët. Dëshmitë mungojnë deri tani. Prirja për dhunë në të dy anët, arroganca e pushtetit dhe korrupsioni i pushtetarëve, si dhe mungesa e tmerrshme e konceptit tek opozitarët, janë të gjitha prodhim i vendit. Kjo nuk të lë të parashikosh asgjë të mirë.

Klisheja për malazezët është një luftëtar super krenar me moral të dobët për punë. Natyrisht që me klishetë duhet pasur kujdes, por aktualisht do të ishte jorealiste të pritej më shumë gandizëm i shoqëruar me më shumë dëshirë për zgjidhjen e krizës malazeze. BE ka preokupimet e veta. Dhe malazezët nuk do të jenë në gjendje t'i mbyllin konfliktet e tyre pa dhunë. Për këtë mungojnë kushtet gjeopolitike, ekonomike dhe sociale, si dhe vullneti politik.