1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria në një moment vendimtar në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian

21 Maj 2010

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë në BE Katherinë Ashton dhe Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule mbështesin iniciativën e anëtarëve të Parlamentit Europian Joseph Daul dhe Martin Schulz

https://p.dw.com/p/NU6J
Catherine AshtonFotografi: AP

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë në BE Katherinë Ashton dhe Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule mbështesin iniciativën e anëtarëve të Parlamentit Europian Joseph Daul dhe Martin Schulz, në emër të grupeve të tyre politike në Parlamentin Europian për të inkurajuar përmirësime efektive të situatës politike në Shqipëri, në të mirë të qytetarëve të vendit dhe me shpresë për të përmirësuar perspektivën Europiane të Shqipërisë.

"Shqipëria është në një moment vendimtar në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian", thuhet në këtë deklaratë. Një sërë sfidash të brendshme kërkojnë kurajo politike, vazhdon ajo.

"BE-ja është seriozisht e shqetësuar për bllokimin politik të vazhdueshëm. Ne jemi të shqetësuar për parlamentin disfunksional dhe për efektet e mundshme sistemike në institucionet e tjera. Është koha për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale mbi një bazë që ti rezistojë testit të kohës. Perspektivat e Shqipërisë nuk duhet të ndikohen më tej nga vazhdimi i gjëndjes ekzistuese."

Përfaqësuesja e Lartë e BE Ashton dhe Komisioneri i Zgjerimit Fuele i bashkangjiten thirrjes së grupeve politike të Parlamentit Europian ndaj liderit të qeverisë dhe liderit të opozitës në Shqiperi për të marrë përgjegjësi për gjetjen e një zgjidhjeje, që të jetë kombëtare, e qëndrueshme dhe e shpejtë, në linjë me aspiratat e qytetarëve të Shqipërisë, Kushtetutën dhe principin e transparencës, përfundon deklarata.

Pas përfundimit të takimit të kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe liderit të opozitës Edi Rama në Strasburg të dy kthehen në Shqipëri, për t`iu rikthyer dialogut javën e ardhshme. Dialogu do të vazhdojë me ndërmjetësimin e institucioneve evropiane, por pa përcaktuar ende vendin e zhvillimit të takimeve të ardhshme. Supozohet se takimet do të mbahen në Bruksel apo në Strasburg. Në takimin e zhvilluar në një atmosferë pozitive, është rënë dakord për disa nga çështjet, tha zëdhënësi i Jospeh Daul-it, Antoine Ripoll, për Deutsche Welle-n. Por për të siguruar vazhdimësinë e dialogut nuk duam të bëjmë publike, për cilat çështje ka patur marrëveshje, tha ai. Në takim kanë marrë pjesë Martin Schulz, kryetar i fraksionit socialdemokrat të Parlamentit Evropian si dhe Joseph Daul, kryetar i fraksionit të Partive Popullore. Në takim mori pjesë edhe Komisari i BE-së për zgjerimin, Stefan Füle.

Autor: Ani Ruci/Aida Cama

Redaktoi: Angelina Verbica