1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria i ka shitur armë Afganistanit

Ani Ruci21 Mars 2008

Berisha tha në Parlament se: “Armët e shitura Afganistanit nga Shqipëria janë bërë pas një tenderi të organizuar nga Pentagoni. Nuk ka asnjë tregëti, përveçse të ligjshme..."

https://p.dw.com/p/DS0K
Bodo Hombach duke shkatërruar armët në Shqipëri me një projekt të Paktit të stabilitetit
Bodo Hombach duke shkatërruar armët në Shqipëri me një projekt të Paktit të stabilitetit

Pohimi se Shqipëria i ka shitur armë Afganistanit u bë publik për herë të parë nga vetë kreu i qeverisë së Tiranës, kryeministri Sali Berisha. Në përpjekje për të hedhur poshtë akuzat e opozitës se ngjarja dramatike e Gërdecit i ka rrënjët në trafikun ilegal të armëve, ku është i implikuar edhe djali i kryeministrit, Berisha tha në Parlament se: “Armët e shitura Afganistanit nga Shqipëria janë bërë pas një tenderi të organizuar nga Pentagoni. Nuk ka asnjë tregëti, përveçse të ligjshme, merrni dosjen!” - i është drejtuar opozitës së majtë në Parlament kryeministri Berisha.

Ai ka rrëfyer në Parlament se si një gazetar i New York Times-it kishte takuar katër muaj më parë në Tiranë Ministrin e Mbrojtjes, Mediu, për të shkruar një artikull "për një aferë armësh me një kompani amerikane nga Florida që pat fituar një tender prej 300 milionë USD".

Mediat e pavarura të Tiranës transmetuan në disa edicione të ditës së enjte bisedën që përfaqësuesi i kompanisë amerikane në Florida mendohet të ketë bërë me një shqiptar të quajtur Kosta Trebicka, lidhur me tregëtinë e armëve. Publiku i Shqipërisë dëgjoi sesi amerikani i thoshte Trebickës se përfshirjen e tij në tregtinë e armëve nga Shqipëria e kishte në dorë Ylli Pinari, drejtori i kompanisë shtetërore për shitblerjern e armëve, i cili që prej dy ditësh ndodhet i arrestuar. Opinioni publik dëgjoi me veshët e veta sesi përfaqësuesi i kompanisë amerikane, i quajtur Diveroli, i sugjeronte Kosta Trebickës ta korruptonte Ylli Pinarin „me ndonjë prostitutë apo 25 mijë dollarë”.

Kryeministri Berisha tha se „ përmendja e emrit të të birit ishte pasojë e marifeteve të mafiozëve shqiptarë për të treguar se kanë mbështetjen e Kryeministrit. Berisha tha se artikulli i gazetarit të gazetës "New York Times" që pritet të botohet javën e
ardhshme, nëse flet për trafik armësh, nuk mbështetet në fakte të vërteta.