1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqiptarët: "We are Europe", apo jo?

Bahri Cani2 Nëntor 2015

"We are Europe", slogan bosh apo realitet?, ishte titulli i takimit të mbajtur në Essen, ku politikanë, ekspertë dhe të rinj nga Gjermania, Shqipëria dhe Kosova paraqitën mendime për perspektivën e vendeve të tyre.

https://p.dw.com/p/1GyJJ
Thomas Kufen
"We are Europe"Fotografi: DW/B. Cani

Cila është perspektiva e të rinjëe shqiptarë në Shqipëri, Kosovë dhe Gjermani? Cilat janë shanset për kthimin e të rinjve shqiptarët që kryejnë shkolla në Gjermani dhe duan të integrohen në vendin e tyre? A mund të llogarisin këto vende me mbështetjen e Gjermanisë? A ka shanse që të përmirësohet gjendja në tregun e punës në Shqipëri dhe Kosovë? A do të futet mësimi i gjuhës gjermane edhe në shkollat fillore?

Thomas Kufen
Thomas KufenFotografi: DW/B. Cani

Të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova, që ishin mbledhur në konferencën e organizuar nga IDEAL, "We are Europe", slogan bosh apo realitet?, kishin shumë dilema.

"Pesha" e Evropës

"Europa është më e rëndësishme se sa që thonë politikanët", tha në hapje të konferencës, kryetari i bashkisë Essen, Thomas Kufen. Ai nënvizoi shumëllojshmërinë e këtij qyteti, i cili në vitin 2010, ka qenë kryeqytet kulturor i Evropës. Kufen theksoi se qyteti do të vazhdojë të ofrojë kushtet më të mira të mundshme për integrimin e të gjithë atyre që kanë të drejtë të mbeten në Gjermani. Ndërsa organizatorja e takimit, i cili përveç debatit kishte edhe anën e tij kulturore, Anduena Stephan, konsulle e nderti të Shqipërisë në landin e Renanisë Veriroe- Vestfalisë, nënvizoi domosdoshmërinë e vendosjes së një bashkëpunimi sa më të ngushtë. Kjo për faktin se vetëm në landin e Renanisë Veriore- Vestfalisë, jetojnë mbi 50.000 shqiptarë, ndërsa në mbarë Gjermaninë qindra mijëra.

Anduena Stephan
Anduena StephanFotografi: DW/B. Cani

Debati rreth shqiptarëve në Gjermani është ndezur në veçanti pas ardhjes së dhjetëra mijëra azilantëve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Vetëm gjatë këtij viti në këtë vend kanë kërkuar azil deri tani mbi 45.000 shtetas të Shqipërisë dhe rreth 35.000 nga Kosova. "Renania Veriore-Vestfalia nuk do të ishte kurrë kaq e fuqishme pa migrantët. Ndaj ne do të angazhohemi edhe në të ardhmen për integrimin e tyre sa më të shpjetë dhe më të mirë", tha Thorsten Klute, sekretar shteti për Punë dhe Integrime në ministrinë e landit. Por integrimi do t'u mundësohet vetëm atyre që kanë të drejtë të mbeten në Gjermani. "Shqiptarët nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia nuk kanë shanse për azil", theksoi Klute duke shtuar se "shqiptarët duhet të shfrytëzojnë rrugët e tjera për ardhje legale në Gjermani".

Shqipëria angazhohet për thellimin e bashkëpunimit

Konferenz "We are Europe" Thorsten Klute
Fotografi: DW/B. Cani

Ministri shqitpar i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi nënvizoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit me Ministrinë e Diasporës në Kosovë, e cila "është e organizuar më mirë në punën me shqiptarët jashtë vendit". "Ne duhet të bashkëpunojmë dhe të trajtojmë diasporën si një diasporë të përbashkët shqiptare", tha ai duke shtuar se këto vende kanë nevojë për të rinjtë e kualifikuar jashtë. Ndërsa Osman Shahini, sekretar shteti në Ministrinë e Diasporës në Kosovë tha se ata kanë bërë kohët e fundit rrjetëzimin e disa segmenteve të diaposrës: biznesin, të rinjtë dhe juristët. "E gjitha kjo ka një qëllim të përbashkët: që njerëzit që jetojnë në Gjermani dhe vendet e tjera të bëhen pjesë e zhvillimeve në Shqipëri dhe Kosovë." Por njëkohësisht të rinjtë që jetojnë në vendet e tanishme, sipas Shahinit, duhet të integrohen sepse "integrimi nuk do të thotë asimilim".

"Turpi me refugjatët"

Raportuesi i Bundestagut dhe i Këshillit të Evropës për Shqipërinë, Andrej Hunko, e quajti "turp" atë që po ndodh së fundi në BE me refugjatët, sepse shumë vende nuk duan të pranojnë fare këta njerëz në gjendje të rëndë. "Shqipëria është një prej vendeve me nivelin më të lartë të papunësisë në Evropë, ndërsa BE po bën shumë pak. Papunësia e rinisë në Shqipëri dhe vendet e tjera të Evropës Juglindore është edhe më e lartë", tha ai duke shtuar se BE duhet të investojë më shumë në këto vende, në mënyrë që këta njerëz të kenë perpsektivë më të mirë në vendet e tyre.

Të rinjtë duhet ta thonë mendimin e tyre

Blendi Klosi
Blendi KlosiFotografi: DW/B. Cani

"Të rinjtë në Shqipëri kanë shumë pak perspektivë, ndaj vendosin të ikin jashtë vendit. Por ata duhet të angazhohen në vendin e tyre më shumë dhe të mos ikin", nënvizoi Frank Hantke, përfaqësues i Fondacionit Friedrich Ebert, në Tiranë. Ai mendon se të rinjtë në Shqipëri duhet të identifikojnë problemet dhe të fillohet me zgjidhjen e tyre. Ndërsa vizioni i tij ishte qe të rinjtë ta thonë hapur dhe qartë mendimin e tyre.

Profesori Peter Schulte foli për vendosjen e lidhjeve mes të rinjëve dhe studentëve nga Gjermania, Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera. Ai citoi disa studentë gjermanë, të cilët flasin me fjalë shumë të përzgjedhura për miqësinë, mikpritjen dhe ngrohtësinë e njerëzve në Shqipëri. "Nuk ka alternativë tjetër për Shqipërinë dhe këto vende, veçse anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Ndaj duhet vazhduar me rrjetëzimet dhe forcimin e lidhjeve mes studentëve dhe të rinjëve", theksoi ai.

Dilemat e të rinjve

Osman Shahini
Osman ShahiniFotografi: DW/B. Cani

Të ftuar për debat ishin edhe të rinj shqiptarë nga organizata dhe të ndryshme. Teuta Abazi nënvizoi se Kosova dhe Shqipëria presin vazhdimin e mbështetjes së fuqishme të Gjermanisë, sepse ato kanë raporte shumë miqësore mes vete. Kjo mund të organizohet, sipas saj përmes rrjetëzimeve të ndryshme dhe një bashkëpunimi edhe më të ngushtë mes të rinjve. Ndërsa liderët e vendeve të origjininës ai i pyeti nëse ata janë përgatitur vërtet për pranimin e dhjetëra mijëra azilkërkuesve të refuzuar në Gjermani, të cilët në vendet e tyre do të kthehen tërësisht të zhgënjyer.

Ndërsa Olta Damjani, studente në master „Information Systems“, në Këln sapo ka përfunduar studimet Bachelor në degën „Informatike Ekonomike“. Ajo ka arritur të integrohet shpejt në Gjermani, edhe pse nuk ka qenë lehtë. Por që i ka munguar shpesh është "sasia e mjaftueshme e informacionit, për të lehtësuar aplikimet për studime, për bursa dhe thjesht informacione që lehtësojnë shkollimin në këtë vend". Si zgjidhje Ola Damjani propozoi krijimin e një "rrjeti bashkëpunimi, mbi bazën e komunikimit të vazhdueshëm dhe shkëmbimit të eksperiencës së studentëve që jetojnë në Gjermani".

Shumë pjesëmarrës kërkuan ndryshimin e sistemit të arsimimit në Shqipëri dhe Kosovë, ku më shumë vëmendje t'i kushtohet përgatitjes profesionale. Ndërsa të rinjtë shqiptarë që janë në përgatitje profesionale në Gjermani mendojnë të kthehen në vendlindjen e tyre, sepse "guri peshon më së shumti atje ku e ka vendin". Por shtrohet pyetja se cila është perspektiva e tyre në Shqipëri dhe Kosovë? Duke u nisur nga kjo dilemë, shumë prej tyre mendojnë edhe për mundësitë që të mbeten në Gjermani.