1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqiptarët kërkojnë siguri në veri të Mitrovicës

Në Kosovë, policia thotë se akoma po vazhdon hetimet për të zbardhur rastin e vrasjes të një shqiptari të dielën në veri të Mitrovicës. Situata vazhdon të jetë e tensionuar edhe pse dita e martë ishte e më e qetë

Situata në veri të qytetit të Mitrovicës vazhdon të jetë e tensionuar, ndonëse sipas policisë dita e martë ishte pak me qetë dhe nuk u shënua ndonjë incident. Në orët e mbrëmjes disa dhjetra banorë shqiptar u mblodhën në anën jugore pranë urës qëndrore mbi Lumin Ibër, duke protestuar dhe kërkuar nga autoritet e rendit siguri për banorët shqiptar në pjesën veriore të qytetit, pas vrasjes së një shqiptari të dielën. Në urën qëndrore mbi Lumin Ibër për disa orë u vendosen forca të shumta të policisë së misionit EULEX dhe policisë së Kosovës, ndërsa, protestuesit u shpërndan të qetë. Zyrtarë të policisë së Kosovës, thonë se ata po patrullojnë në zonat e banuara me popullatë të përzier në veri të qytetit. Megjithatë, policia dështoi për të vendosur pika të përhershme kontrolli në këto lagje pasi që grupe serbësh penguan vendosjen e tyre duke shkatërruar një nga kontejnerët e policisë që u vendos për pak minuta në zonën ku kishte ndodhur sulmi mbi familjen shqiptare. Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, thotë se njësitë e hetuesve akoma po vazhdojnë hetimet, por, deri tash nuk ka ndonjë person të arrestuar. “Pas vlerësimeve të situatës dhe shqyrtimit të mundësive për ndonjë eskalim eventual, autoritetet e rendit në Mitrovicë do të marrin vendimin për vendosjen e sërishme ose jo të një kontejneri me patrull policie në lagjen e “Tre Rrokaqiejve”, thotë zëdhënësi Besim Hoti.

Ndërkohë, njëri nga përfaqësuesit e serbëve në veriut të Mitrovicës, Marko Jakshiq, ka thënë për mediat lokale se komuniteti serb në veri nuk ka asgjë kundër që në atë pjesë të vendosen kontejnerët e policisë, por sipas tij, serbët kërkojnë që aty të jenë të pranishëm policët e stacionit verior të policisë dhe jo të stacionit jugor.

"Secili ka të drejtë të mbrojë pronën dhe familjen"

Udhëheqësit shqiptar të kuvendit komunal të Mitrovicës të martën takuan banorët shqiptarë të pjesës veriore të qytetit, ku u dakorduan për një komunikim të afërt në mënyrë që bashkërisht të merren vendime të drejta konform situatës që mund të paraqitet. Kryetari i komunës së Mitrovicës Avni Kastrati tha se: “qytetarët duhet të vazhdojnë të jenë syçelë, duke pasur parasysh gjendjen e krijuar, mirëpo secili ka të drejtë të mbroj pronën dhe familjen e tij nëse sulmohet."

Sulmi i të dielës mbi familjen shqiptare Haradinaj, ku mbeti i vrarë kryefamiljari, u dënua dhe vazhdon të dënohet në shkallë të gjerë nga institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare. Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e parlamentit të Kosovës ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit, ndërsa ka kërkuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Mitrovicë. Kjo lëvizje një letër i ka dërguar edhe presidentit të Shqipërisë Bamir Topi duke e lutur atë që të kërkojë seancë edhe në Këshillin e Sigurimit për të diskutuar për gjendjen e krijuar në veri të Kosovës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Esat Ahmeti