1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqiptarët duan bashkëpunim më të gjerë

Ideja e Kongresit gjithënacional të komunave shqiptare has me reagime të publikut maqedonas.

Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, ka pranuar iniciativën e zëvendëskryeministrit të Maqedonisë për Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, Musa Xhaferi, të  hedhur në takimin e tyre në Shkup më 17 janar të këtij viti, për të mbajtur një Kongres gjithënacional për të gjitha komunat të drejtuara nga shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali të Zi dhe Serbi. 

Në foto, Lulzim Basha

Në foto, Lulzim Basha

Shtrohet pyetja, nëse mund të dalin përfitime të mundshme pozitive për Republikën e Maqedonisë nga  iniciativave të këtilla rajonale për bashkëpunim midis komunave me popullsi shqiptare, të ngritura me rastin e festimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë?

Musa Xhaferi tha se qëllimi i kësaj nisme është përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet komunave: "Në gjithë diskutimin ideja ishte dhe është, si të gjenden forma dhe mënyra për bashkëpunim më të mirë ndërmjet komunave, ku ka edhe mjaft  interesa. Për shembull, bashkëpunimi ndërkufitar në rajon, ose tek ne, për çka Bashkimi Evropian nga fondet e tij mund të ofrojë asistencë për bashkëpunim të këtillë. "

Rreziku i ideve etnocentrike

Profesori i universitetit për politikë ndërkombëtare dhe ish ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Denko Maleski, paralajmëron: "Ajo, që në parim shihet, është një bashkëpunim i komuniteteve shqiptare në rajon, është një çështje, e cila sipas meje duhet prolonguar,  mendoj unë, derisa të përfundojë operacioni i parë me vendet e Ballkanit, dmth secili prej tyre të bëhet pjesë e NATO – Aleancës  dhe të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Por në qoftë se nuk ndiqen me kujdes sekuencat kohore, të cilat janë primare për shtetin dhe interesin publik, atëherë zhvillohet një garë në mes të asaj, që është më e rëndësishmja dhe ajo e cila  mund të shkaktojë destabilizim të vendit. "

Në foto, Denko Maleski

Në foto, Denko Maleski

"Nëse nuk e kemi arritur gjënë e parë, e cila është integrimi në NATO dhe në BE, atëherë do të jetë e mundur për të fituar në forcë, në kuptim të zgjidhjeve të tjera rajonale, në këtë rast do të jetë e mundur që kjo iniciativë të shkaktojë ndarjet e brendshme në Maqedoni, të cilat përsëri nuk do të punojnë në drejtim të një shoqërie kompakte e multi-etnike, por do të shkojë në drejtim të ideve etnocentrike, siç paraqiten nga ana e maqedonasve, në anën tjetër", ka thënë Maleski.

Nuk ka vend për energji negative

Zëvendëskryeministri Xhaferi ka replikuar se "nuk ka vend për frikë për atë se pastaj do të zgjohen disa energji negative politike në rajon: "Një bashkëpunim të këtillë unë e shoh shumë pozitiv jo vetëm nga aspekti ekonomik, por edhe politik. Bashkëpunimi ndërkufitar do t'i afrojë komunat dhe në këtë mënyrë edhe banorët, duke i motivuar ata për projekte të përbashkëta, që do të jenë me rëndësi për zhvillimin e këtyre zonave kufitare në mes shteteve fqinje. Madje ka edhe iniciativa më të gjëra, psh. lidhur me liqenin e Prespës, nga aspekti ekologjik pastaj mund të ketë edhe bashkëpunim edhe më të gjërë  rreth liqenit të Ohrit ndërmjet Ohrit dhe Pogradecit. Qytetarët do ti  perceptojnë aspektet ekonomike dhe të gjitha aspektet e tjera të bashkëpunimit  ndërkufitar dhe me këtë do të zbutet edhe klima. Ky komunikim me siguri se nuk do të krijojë ndonjë  energji negative e as nuk duhet të shikohet si një kërcënim i interesave të dikujt."

Në foto, Musa Xhaferi

Në foto, Musa Xhaferi

Nga ana tjetër kryebashkiaku Basha në takimin e 26 Janarit në Tiranë me kryebashkiakun e Tetovës, Sadi Bexheti, hodhi në dritë edhe një tjetër propozim: "Tetova, Prishtina dhe Tirana, si tri qytetet më të mëdha shqiptare të bëhen bartëse të kuvendit themelues të të gjitha njësive shqiptare për vetëqeverisje lokale, apo të njësive lokale të udhëhequr nga shqiptarë, kudo që janë ata, nga të gjitha zonat stërgjyshore shqiptare. Ne do të angazhohemi për themelimin e asamblesë së tillë, në mënyrë që kundruall festimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, të krijojmë edhe një impuls të energjisë dhe frymëzimit për koordinimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës, ekonomisë, politikës dhe biznesit, duke përfshirë të gjitha zonat, ku shqiptarët jetojnë, më në fund për të forcuar ata lidhjet mes tyre."

Profesor Maleski në lidhje me këtë propozim shpreh mendimin me sa vijon: "Atëherë kur Maqedonia do të stabilizohet, duhet të hapen këto lloj bashkëpunime ndërkufitare deri në këtë shkallë. Sepse atëherë bashkëpunimi i llojit të këtillë nuk do të shkaktojë frikë tek pala tjetër, pra tek shumica e popullsisë maqedonase në Maqedoni."

Ende nuk ka datë të caktuar për mbajtjen e Kongresit gjithënacional, për të cilin tanimë kanë filluar të arrijnë edhe mbështetjet për ta përcaktuar kohën e mbajtjes së tij. Kur dhe se a do të konstituohet kuvendi i propozuar, mbetet të shihet.

Autorë: Sveto Toevski / Qeriman Bekteshi

Redaktoi: Angjelina Verbica