1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shqiptarët dhe BE-ja - Sa besojnë shqiptarët në perspektivën e integrimit?

Një sontazh i sapopublikuar i Institutit Shqiptar për Marrdhënie Ndërkombëtare tregon se këtë vit ka një rënie prej 10, 5 % të mbështetësve të integrimit europian të Shqipërisë, në krahasim me vitin e kaluar.

Foto nga festimet në Tiranë pas liberalizimit të vizave.

Vetëm 80.7 % e shqiptarëve janë këtë vit në favor të integrimit europian të Shqipërisë, 10,5 % janë kundër ndërsa 8,8 % janë të pavendosur duke qëndruar mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të këtij procesi. Këto janë gjetjet e sondazhit të publikuar së fundi në Tiranë nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare. Ato tregojnë qartë se në Shqipëri është rritur si numri i kundërshtarëve të integrimit europian ashtu edhe ai i të pavendosurve në krahasim me vitin e kaluar kur numri i i atyre që nuk dinin çfarë të thonin ishte vetëm 2,9% kurse i kundërshtarëve 3,6 %.

A perceptohet integrimi europian si prioritet i prioriteteve?

Sondazhi në fjalë tregon se këtë vit nuk ka vetëm një rënie të numrit të mbështetësve të integrimit europian të Shqipërisë. Por ka edhe një rritje të numrit të atyre që nuk e konsiderojnë atë si një prioritet të prioriteteve. 63% e të intervistuarve e konsiderojnë të rëndësishëm integrimin europian por jo shumë të rëndësishëm, ndërkohë që vitin e kaluar ky perceptim arrinte vetëm në 23%.

Blerta Hoxha analiste politike në Lëvizjen Europiane në Shqipëri (European Movement Albania) mendon se ky perceptim ka ardhur nga zhgënjimi i qytetarëve të Shqipërisë prej politikanëve.

Analistja Blerta Hoxha, Lëvizja Europiane në Shqipëri

Analistja Blerta Hoxha, Lëvizja Europiane në Shqipëri

"Ata nuk nuk besojnë më në vullnetin e mirë të politikanëve për ta çuar përpara procesin e integrimit europian dhe ndihen të pafuqishëm të ushtrojnë presion ndaj tyre për këtëj çështje. Dhe sa më e largët, e komplikuar dhe jo reale të duket perspektiva e anëtarësimit, aq më të distancuar dhe pesimistë do të jenë qytetarët” - thotë Blerta Hoxha për programin shqip të Deutsche Welle-s.

Por ka edhe faktorë të tjerë. Në krye të tyre qëndron rënia e entuziazmit se procesi i integrimit europian do të shërbente si një gjenerator për progres dhe refoma. Ka edhe një lloj konfuzioni dhe lodhjeje lidhur me kohën e papërcaktuar se kur Shqipëria mund të jetë anëtare e BE. Dhe së fundi pas liberalizmit të vizave, ka edhe një ndryshim të perceptimit lidhur me motivet e mbështetjes së integrimit europian të Shqipërisë.

Pas liberalizimit të vizave- motive politike dhe ekonomike për mbështetje ndaj integrimit europian

Sontazhi i Institutit shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare tregon se heqja e vizave dhe lëvizja e shqiptarëve në zonën Schengen ka ndryshuar perceptimin e tyre për motivet e mbështetjes ndaj procesit të integrimit. Nëse më parë procesi mbështetej nga pjesa dërrmuese e shqiptarëve sepse do të mundësonte realizimin e ëndrrës së lëvizjes së lirë, tani motivi ka ndryshuar. Sondazhi tregon se motivi i mbështetje së shqiptarëve është perceptim i integrimit si rruga efikase për funksionimin e demokracisë, zbatimin e ligjit, për më shumë drejtësi dhe një gjyqësor i pavarur. Pas këtyre motiveve me karakter politik vijnë ato me karakter ekonomik: shpresa se integrimi europian do të rrisë standartet e jetesës dhe prosperitetin ekonomik.

Gjithsesi perceptimet e shqiptarëve lidhur me integrimin europian të Shqipërisë janë të formuara nga informacionit që ata kanë për procesin, kombinuar edhe me zhvillimet politike dhe ekonomike në vend.

Konfuzion dhe mungesë informacioni

Ajo për të cilën shqiptarët kanë më shumë konfuzion janë etapat e rrugëtimit të Shqipërisë drejt të qënit anëtare e BE. Nuk janë të pakët ata që e perceptojnë Shqipërinë ose si kandidatë për anëtarësim në BE ose në prag të anëtarësimit. Ky perceptim vjen kryesisht nga mungesa e informacionit. Por një nismë e Lëvizjes Europiane synon të mbushë këtë boshllëk: botimi i revistës “EuroSpeak”, një herë në dy muaj.

Kryeredaktorja e saj, analistja politike Blerta Hoxha, thotë se kjo revistë sjell informacion të përditësuar mbi zhvillimin e marrdhënieve BE- Shqipëri dhe BE – Ballkan Perëndimor.

“Nga vetë emri, revista 'EuroSpeak' është projektuar për të përcjellë tek publiku i gjerë në një gjuhë të kuptueshme dhe jo teknike thelbin e zhvillimeve në institucioneve e BE lidhur me perspektivën europiane të Shqipërisë dhe të rajonit.” thotë ajo Blerta Hoxha.

Revista “EuroSpeak” ka edhe një dimension tjetër: informacion të përditësuar për zhvillimet brenda BE dhe institucioneve të tij. Ajo u mundëson qytetarëve të kuptojnë zhvillimet aktuale në BE dhe krizën e thellë ekonomike, që ka vënë në dyshim edhe vetë parimet mbi të cilat është ngritur BE apo vullnetin për ta çuar përpara projektin europian.

A ka gjasa që në Shqipëri kjo të rrisë numrin e skeptikëve apo kundërshtarëve të integrimit?

"Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të shqetësohen për këtë realitet. Anëtarësimi i tyre ka shumë të ngjarë të ndodhë ndofta pas një dekade, kur kriza do të jetë kapërcyer. Ndërkohë që edhe sikur kriza të mos ishte vendet e rajonit nuk janë gati të anëtarësohen nisur nga niveli i ecurisë së tyre demokratike. Arsyeja e dytë për të cilën vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të bien në pesimizëm ka të bëjë me faktin se BE-ja i mban premtimet e saj dhe kjo tashmë duket qartë me rastin e Kroacisë”  - thotë analistja Blerta Hoxha.

Mbajtja e premtimeve nga BE është njëra anë e monedhës. Ana tjetër është që realizimi i premtimeve të BE mbështetet tek plotësimi i angazhimeve që procesi kërkon nga vetë Shqipëria. Mesazhi i politikanëve të lartë të BE se “Integrimi europian është në rradhë të parë një çështje e shqiptarëve” është kuptimplotë që si klasa politike ashtu edhe shoqëria civile të jenë të ndërgjegjësuara që integrimi në BE vjen vetëm në bazë të meritave dhe përmbushjes së kushteve demokratike, të përcaktuara qartë nga BE.

Autore: Ani Ruci / Tiranë

Redaktoi: E. Xhani