1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqiptarët dhe serbët kanë qendrime të ndryshme për decentralizimin

Bekim Shehu/ Prishtinë19 Dhjetor 2008

Qeveria e Kosovës dëshiron ta implementojë procesin e decentralizmit në bazë të planit të Ahtisarit, por kjo kundërshtohet nga serbët të cilët nuk e pranojnë këtë plan.

https://p.dw.com/p/GJiQ
Tela me gjemba mbi urën e lumit Ibër
Tela me gjemba mbi urën e lumit IbërFotografi: AP

Formimi i komunave të reja serbe në Kosovë, të parapara në planin e decentralizimit është sfida e radhës, me të cilën do të përballet qeveria e Kosovës. Zyrtarë të qeverisë, thonë se pa bashkëpunimin e serbëve të Kosovës, procesi i decentralizimit nuk mund të kryhet me sukses. Në këtë linjë, shprehen edhe përfaqësuesit serbë pjesëmarrës në institucionet e Kosovës, ministrat Slobodan Petkoviç dhe Sasha Rashiç.

Por disa përfaqësues të tjerë serbë, ata të cilësuar të vijës së ashpër, që bojkotojnë institucionet e Kosovës, thonë se serbët e Kosovës duhet të kenë komunat e tyre, por jo në bazë të planit të institucioneve të Kosovës. Problem më vete duket të jetë veriu i Mitrovicës. Në planin e Marti Ahtisarit, parashihet që qyteti i Mitrovicës të ketë dy komuna, një serbe në veri dhe një shqiptare në jug, mirëpo, duke u ruajtur tërësia e qytetit. Sadri Ferati është ministër i pushtetit lokal.

"Nëse akoma mungon një bashkëpunim i fuqishëm në ato lokalitete, është krejt normale dhe pa dëshirën tonë që procesi do të ngadalësohet. Kemi pesë plus një komunë që duhet krijuar. Çështja tash është se a do t'i bëjmë dhjetë Mitrovica apo do ta eliminojmë sindromën e Mitrovicës. Me pakon e Ahtisaarit është realizuar një pjesë dhe nuk ka mundësi për implementim të pjesshëm të pakos", thotë ministri Ferati.

Disa përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës dëshirojnë që ata ta kenë komunën e tyre të veriut të Mitrovicës, por ajo të jetë e ndarë tërësisht nga komuna shqiptare. Nebojsha Joviç, është anëtar i këshillit kombëtar të serbëve të Kosovës.

"Në fund të fundit, nuk është vetëm lumi Ibër ai që i ndan shqiptarët dhe serbët, por janë edhe ngjarjet që janë zhvilluar në dekadat e kaluara. Nëse dështon opsioni që veriu i Mitrovicës të funksionojë në mënyrë të pavarur, atëherë është opsioni tjetër që veriu i Mitrovicës t'i bashkohet komunës së Zvecanit. Udhëheqësit lokalë serbë të kësaj pjese e kanë dëshmuar se mund të funksionojnë në veri si qytet më vete", thotë Nebojsha Joviç.

Sidoqoftë, procesi i decentralizimit të pushtetit lokal është një çështje që i ndan shqiptarët dhe serbët në qëndrime. Të dy palët pajtohen që decentralizimi është në interes të komuniteteve, mirëpo, janë zhvillimet rreth planit të Marti Ahtisarit, ato që e kanë komplikuar këtë proces. Kjo për faktin që serbët e Kosovës, të mbështetur nga qeveria e Beogradit, kundërshtojnë implementimin e planit, ndërsa qeveria e Kosovës e ka bazuar të gjithë mekanizmin ligjor pas shpalljes së pavarësisë pikërisht mbi këtë plan. Dhe sipas saj kthim prapa nuk mund të ketë.

(AUD)