1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqiperia ka nevojë për një ligj lustracioni, ku çdo qytetar të gëzojë të drejtën e informimit për dosjet e Sigurimit e të kaluarën

Konstitucionalisti Genti Ibrahimi flet për DW pas pezullimit të zbatimit të Ligjit të Lustracionit nga Gjykata Kushtetuese.

default

Ligji shqiptar i lustracionit - antikushtetues.

Gjykata Kushtetuese, me pezullimin që i bëri në fillim të kësaj jave zbatimit të ligjit të lustracionit, i dha një përgjigje shqetësimeve të opozitës, shoqërisë civile dhe faktorit ndërkombëtar për këtë ligj.

Ligji, i miratuar me nxitim në fund të dhjetorit 2008 vetëm me votën e maxhorancës, u konsiderua prej opozitës dhe shoqërisë civile antikushtetues, dhunues i të drejtave themelore të njeriut. Bashkimi Europian, Këshilli e Europës dhe SHBA shtuan edhe mangësi të tjera: ligji nuk është në përputhje me standartet ndërkombëtare dhe prek pavarësinë e drejtësisë nga politika. Qeveria nuk i mori parasysh sugjerimet e tyre të herëpashershme për ta riparë ligjin dhe gjetur konsensusin politik maxhorancë - opozitë. Ajo nisi ngritjen e infrastrukturës për zbatimin e tij, që tani pas pezullimit të ligjit mbetet një proces i ngrirë. Maxhoranca dhe kreu i qeverisë Berisha e konsiderojnë ligjin mjaft të mirë dhe në përshtatje me konteksin shqiptar, por pranojnë detyrimin për të zbatuar vendimin e Kushtetueses. Por cilat janë mëkatet e ligjit sipas ekspertëve?

" Ligji i sapopezulluar bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë të paktën në tri nene të saj. Së pari Kushtetuta u njeh shqiptarëve të drejtën për t´u zgjedhur dhe për të zgjedhur pa asnjë kufizim, gjë që nuk respektohet në ligjin e lustracionit për ata persona, ku ai shtrin veprimin e tij. Së dyti: Kushtetuta ndalon diskriminimin mbi çdo lloj baze: etnie, origjine kombëtare, familjeje etj. Nëse unë privohem nga e drejta për të konkuruar për të shërbyer si gjyqtar, atëhere unë diskriminohem mbi një bazë, që është e papranueshme. I vetmi diskriminim i pranueshëm është ai pozitiv. T´i thuash një shtetasi të Shqipërisë që ti nuk ke të drejtë të jesh prokuror, sepse ke qenë prokuror në kohën e regjimit komunist, kurse unë kam, ky është një argument, që nuk ka bazë ligjore të parashikuar në Kushtetutë. Së treti: Prapaveprimi i ligjit. Ligji duhet të këtë fuqi vetëm për të ardhmen dhe jo për të shkuarën, siç ndodh me këtë ligj. Zbatimi i tij do të kishte një efekt të pariparueshëm në rradhët e prokurorëve dhe të gjykatësve. Shumë prej tyre duhet të linin vendet e punës vetëm e vetëm sepse kanë ushtruar të njëjtin profesion në kohën e diktaturës komuniste. Kjo do të sillte një rinovim të prokurorëve dhe gjyqtarëve në masën 20-25%, gjë e papranueshme nga asnjë standart ndërkombëtar", thotë për DW konstitucionalisti Genti Iberahimi.

Një ligj jo në përputhje me standartet ndërkombëtare.

Hartimi dhe miratimi i një ligji lustracioni në përputhje me standartet ndërkombëtare ishte një sugjerim i hershën i faktorit ndërkombëtar. Por ato nuk u morën parasysh.

"Kur flitet për standarte ndërkombëtare nuk mbahet parasysh një ligj model për lustracionin. Vende të ndryshme, në kohë të ndryshme i kanë dhënë zgjidhje të ndryshme problemit. Një model është de-nazistifikimi në Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore, një tjetër është Komisioni i së Vërtetës në Afrikën e Jugut, apo Komisioni i Pajtimit Kombëtar në Amerikën Latine dhe së fundi seria e ligjeve të Lustracionit në Europën Lindore. Standartet ekzistojnë në fushën e të Drejtave të Njeriut. Pra standart është të mos diskriminosh, të mos privosh dikë nga e drejta kushtetuese për tu zgjedhur dhe zgjedhur të tjerë, standart është të mos bësh një ligj, që ka veprim në të kaluarën. Standarte, pra janë të drejtat e njeriut dhe nëse ligji i prek ato, ai është i papranueshëm", shpjegon konstitucionalisti Genti Ibrahimi.

Si duhet të jetë ligji për lustracionin?

Ligji i pezulluar i lustracionit është konsideruar jo transparent nga juristë të njohur europianë, pasi ai nuk i krijon mundësi çdo qytetari të Shqipërisë të kërkojë të dijë, nësë ka patur ose jo dosje në kohën e diktaturës; nëse po ta shohë dosjen e tij, siç ndodhi në Gjermani me dosjet e STASIT. Në vizionin e konstitucionalistit Gent Ibrahimi ligji duhet të përmbajë të drejtën e informimit.

" Ligji i lustracionit nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një shtrirje e regjimit të së drejtës së informimit mbi dosjet, që dikur ishin sekrete dhe tani nuk janë më. Ato duhet të bëhën publike vetëm me kërkesën e të interesuarit. Krahas kësaj ligji duhet të përmbajë informimin e zgjedhësve për të kaluarën politike të kandidatëve politikë. Por në Shqipëri procesi i lustracionit u zvarrit pë më shumë se 15 vite, pasi opinioni im është se atë e sabotuan të infiltruarit e kohës së regjimit komunist në institucionet e sotme demokratike. Interesi i tyre i parë ka qenë, që ata të jenë drejtues politikë, kurse të tjerët jo dhe i dyti të kenë mundësi të ushtrojnë shantazh ndaj kolegëve të tyre politikanë."

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pas pezullimit prej saj të zbatimit të ligjit të lustracionit ka mjaft gjasa që të jetë hedhja poshtë e tij. Kjo i hap rrugën hartimit të një ligji të ri, konform kushtetutës së Shqipërisë dhe standarteve ndërkombëtare.

"Për të përmbushur këto standarte dhe respektuar Kushtetutën ai duhet të përqëndrohet vetëm tek ish funskionarët partiakë dhe ish bashkëpunëtorët e Sigurimit, jo tek ish funksionarët publikë, siç janë prokurorët dhe gjykatësit." thotë konstitucionalisti Genti Ibrahimi.

Zgjedhjet parlamentare të rradhës dhe pritja e sugjerimeve të Komisionit të Venecias, të kërkuara nga Gjykata Kushtetuese, duket se do ta shtyjnë përtej muajve të verës fatin përfundimtar të ligjit shqiptar të lustracionit.


























►◄




  • Data 18.02.2009
  • Autor Ani Ruci
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gwrr
  • Data 18.02.2009
  • Autor Ani Ruci
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gwrr