1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria vend me liri ekonomike jo të plotë

Të dhënat e Indeksit të Lirisë Ekonomike 2016 tregojnë që Shqipëria ka një trend progresi. Por rritja ekonomike pengohet nga borxhi i lartë publik dhe korrupsioni i kudogjendur.

Indeksi u botua nga fondacioni amerikan Heritage dhe e përditshmja Wall Street Journal në partneritet me Institutin e Adriatikut për Politika Publike. Sipas këtyre të dhënave Shqipëria ka përmirësuar me 0,2 pikë rezultatet e saj të përgjithshme. Në klasifikimin botëror Shqipëria ka gjithsej 65.9 pikë dhe ngjitet sivjet në vendin e 59-të nga vendi i 63-të që kishte vitin e kaluar. Në klasifikimin europian kalon në vendin e 27-të nga vendi i 29-të që kishte një vit më pare.

Duke komentuar treguesit e mësipërm, Natasha Srdoc, kryetare e Institutit të Adriatikut për Politika Publike, thotë ekskluzivisht për DW: “Me këtë klasifikim Shqipëria konsiderohet një vend me liri ekononike jo të plotë në Indeksin e Lirisë Ekonomike 2016. Progresi i saj është në sajë të pikëve të larta në Lirinë Fiskale, Monetare dhe Tregëtare, që janë më të lartat, rreth 80 pikë. Me politikat e investimeve, ku Shqipëria është më e hapur se mesatarja globale dhe me sektorin bankar relativisht të qëndrueshëm, pikët e Shqipërisë për Lirinë e Investimeve dhe Lirinë Financiare janë 80, shifër që klasifikon atë në një vend kryesisht me Liri në këto dy fusha.”

Natasha Srdoc

Natasha Srdoc

Rritja e vakët ekonomike e penguar nga borxhi i lartë publik dhe korrupsioni

Trendi pozitiv i Shqipërisë lidhur me Lirinë Ekonomike vjen si rezultat i një hapjeje në rritje për investime, shoqëruar me fleksibilitet në 10 vitet e fundit, theksohet në analizën që Indeksi për Lirinë Ekonomke 2016, i kushton Shqipërisë. Ndonëse shteti vazhdon të kontrollojë ndërmarrjet kyçe, sidomos në sektorin energjetik, ekonomia në Shqipëri është në duar të privatëve. Reformat strukturore kanë përfshirë privatizimin e bankave, zbatimin e taksave konkurruese dhe modernizimin e mjedisit rregullor. Indeksi për Lirinë Ekonomike 2016 vë në dukje se kryeministri socialist Edi Rama i siguroi Shqipërisë në korrik 2014 statusin e vendit kandidat pas anëtarësimit të saj në NATO në 2009-ën. Shqipëria merr investime të konsiderueshme direkte për të financuar zhvillimin e burimeve të naftës dhe gazit natyror, por transporti dhe infrastruktura e energjisë mbeten larg standardeve europiane. Ekonomia zotërohet nga bujqësia, ku është punësuar pothuajse gjysma e fuqisë punëtore në vend si edhe nga shërbimet dhe turizmi . Rritja ekonomike është e vakët, e penguar nga borxhi i lartë publik qe ka arritur 70% të Prodhimit t ë Brendshëm Bruto (GDP) si edhe nga korrupsioni, analizon Indeksi i sivjetëm për Lirinë Ekonomike në Shqipëri.

Shqipëria – vendi i fundit në Evropë për të drejtat e pronës

Liria Ekonomike përfshin edhe të Drejtat e Pronës dhe Lirinë nga Korrupsioni. Shqipëria në këto dy të drejta është klasifikuar me 35 pikë, që e vendos atë në fund të Evropës.

Natasha Natasha Srdoc thekson për DW: “Shqipëria duhet të merret seriozisht me korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të ngrejë një sistem të pavarur gjyqësor. Në të kundërt Shqipëria nuk do të ketë mundësi të arrijë rritje më të madhe ekonomike, ritme më të larta punësimi dhe standarte më të larta jetese për të gjithë qytetarët e saj. Në Indeksion për Lirinë Ekonomike 2016 janë përcaktuar 10 masa që Shqipëria duhet të plotësoje për të dalë nga klasifikimi i një vendi me liri jo të plotë ekonomike. Masat nisin që nga ngritja e një sistemi të pavarur gjyqësor, zbatimi i ligjit, zhdukja e korrupsionit, lehtësimi i barrës së taksave, ulja e shpenzimeve të qeverisë deri tek heqja e pengesave për investitorët vendas & të huaj, mundësimi i një konkurrence më të madhe në sektorin financiar dhe inkurajimi i zhvillimit të tregut të kapitalever” thotë Natasha Srdoc.

Askush mbi ligjin

Parakusht i domosdoshëm për plotësimine këtyre masave mbetet zbatimi i ligjit. Shqipëria ka një legjislacion që i është adaptuar atij të BE por që në rastin më të mirë zbatohet i cunguar dhe në rastin më të keq nuk zbatohet fare. “ Asnjë individ nuk është mbi ligjin. Në të gjitha masat që identifikon Indeksi për Lirinë Ekonomike 2016, ligji zbatohet njëlloj për të gjithë. Asnjë individ, asnjë organizatë, asnjë pronar apo kompani nuk duhet të favorizohet, asnjë interes i posacëm nuk duhet lejuar. Korrupsioni duhet dënuar ashpër” komenton Natasha Srdoc, masat që duhet të ndermarë Shqipëria, të identifikuara ne Indeksin për Lirinë Ekonomike 2016, të sapopublikuar.