1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria shpreson t`ia lërë të kaluarës krizat e rënda energjitike

KESH po projekton ndërtimin e hidrocentraleve të reja mbi lumin e Vjosës, Drinit të Zi dhe Semanit. Shfrytëzimi i pasurive të mëdha hidrike, është sot zgjedhja më e preferuar për drejtuesit e Korporatës dhe opozitën.

Lumi i Matit

Rreshjet e bollshme të kësaj pranvere kanë penguar rishfaqjen në Shqipëri të krizës energjetike dhe të pasojave të saj të rënda.

Rreshjet e bollshme të kësaj pranvere kanë penguar rishfaqjen në Shqipëri të krizës energjitike dhe të pasojave të saj të rënda. Nevojat e vendit plotësohen tani krejtësisht nga prodhimi i energjisë elektrike nga hidrocentralet. KESH, ka filluar madje të eksportojë energji në vendet fqinje. Drejtori i Përgjithshëm i KESH Gjergj Bojaxhi, e paraqet me ngjyra optimiste situatën aktuale: „Situata hidrike paraqitet mjaft mirë. KESH, po përballon furnizimin me energji të të gjithë konsumatorëve dhe po eksporton energji në Greqi dhe në Kosovë. Të ardhuart nga eksporti ndihmojnë KESH-in, nga ana financiare për të dalë nga vështirësitë financiare, për shkak të thatësirës së madhe në dy vitet e kaluara."

Por, kriza mund të rikthehet për sa kohë i vetmi burim i prodhimit të energjisë elektrike mbeten hidrocentralet. Shqipëria konsumon rreth 21 milion kolovatorë energji elektrike në ditë. Të dhënat nga KESH-i flasin, se në kohë krize rreth 50 përqind e kësaj sasie importohet nga kompani rajonale apo evropiane. Linjat e transmetimit të energjisë mbeten të kufizuara, për sa kohë që ende nuk është vënë në shfrytëzim linja e interkonjeksionit Shqipëri- Mali i Zi, e financuar nga Banka gjermane Kfw, linjë që krijon mundësi për daljen e Shqipërisë në rrjetet rajonale dhe ato europiane të import- eksportit të energjisë. Shkurt sektori i energjisë në Shqipëri, mbetet ende i bazuar në burime ujore dhe për pasojë varet krejtësisht nga rreshjet.

Telat e elektrikut, Tirane

Shqipëria shpreson t`ia lërë të kaluarës krizat e rënda energjitike

Gjetja e burimeve alternative të prodhimit të energjise elektrike dhe integrimi në tregun e liberalizuar të Europës Jug- Lindore, përbën një nga sfidat më të mëdha të sektorit energjitik në Shqipëri.

Kjo sfidë është duke u shoqëruar me një debat të ndezur publik, profesionist, që merr herë herë edhe nota politike për ngritjen e nje centrali bërthamor, diku në qytetin e Shkodrës, buzë lumit Buna. Ideja u lancua vitin e kaluar nga kryeministri Berisha dhe madje u përkrah nga Presidenti i i Asamblesë së Përgjithshme të Kombevetë Bashkuara Dr. Kerim. Gjatë një vizite zyrtare në Shqipëri, ai deklaroi se "e drejta për zhvillim është një e drejtë themelore e vendeve në zhvillim si Shqipëria. Prandaj, çfarëdo lloj burimi energjie, që i duhet Shqipërisë, për të përshpejtuar ritmet: diellore, e erës, bimore apo bërthamore, duhet mbështetur"

Por, ideja e ndërtimit të një centrali bërthamor për përftimin e energjisë elektrike u kundërshtua që në krye të herës, nga opozita si një projekt, që vë në rrezik jetën e njerëzve dhe mjedisin. Kryetari i opozitës, Edi Rama, gjatë një takimi elektoral që zhvilloi dje në Shkodër, e cilësoi atë një ide që mund të sjellë pasoja tepër të rënda për gjithë Europën.

Kundër projektit të ndërtimit tani të një centrali bërthamor ka dalë edhe kreu i KSH –it, Gjergj Bojaxhi. "Për të ndërtuar një objekt të tillë duhen të paktën 20 vite. Lypset një konsensus social, politik dhe ndofta rajonal. Dhe Shqipëria është ende larg arritjes së këtyreë parakushteve." Për kreun e KESH kriter vendimtar është kostoja e investimit në energji. Gjergj Bojaxhiu thotë, se „Shqipëria duhet të gjejë energji me kosto më të ulët. Kjo do të thotë, që nëse kemi siguri që në tregjet rajonale mund të sigurojme sasinë e energjisë që nevojitet, veç asaj që prodhojmë sot, atëhere duhet ta importojmë nëse na kushton më lirë. Nëse mendojmë se mund të ndërtojmë objekte të reja, që prodhojnë energji më të lirë dhe janë brenda parametrave mjedisorë dhe socialë, atëhere duhet të përqëndrohemi tek ato."

Për këtë qëllim KESH, ka financuar me 1 milionë euro kompaninë franceze SOGRA, për të kryer studimin e tre lumenjve: Drinit të Zi, Vjosës dhe Semanit. Hidrocentralet, që mund të ngrihen mbi këta lumenj, sipas studimit, mund të prodhojnë 3 miliardë kwh në vit, prodhim që ka një vlerë tregëtare prej 150 milion eurosh, me çmimet aktuale të importit të energjisë në Shqipëri.

Shfrytëzimi i burimeve të pasura hidrike, që ka Shqipëria, është një sfidë tjetër e sektorit të energjisë. Mendimi i ekspertëve është, se nga burimet hidrike mund të prodhohen 12 miliard kwh në vit, shifër kjo 2 herë më e lartë sesa konsumi aktual dhe 4 herë më e lartë, se prodhimi aktual. Shqipëria nuk ka ndërtuar asnjë hiodrocentral me përmasa të konsiderueshme, që nga viti 1986.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama



  • Data 24.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hdi5
  • Data 24.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hdi5