1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria rast i veçantë - aty ku perdja e hekurt u ngrit në fund

Kishte kaluar mbi një vit prej rënies së regjimeve komuniste në Evropën Lindore dhe kishte kohë që ishte përmbyllur procesi i ribashkimit gjerman, kur në fund të vitit 1990 filloi shpërbërja e regjimit në Tiranë.

Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës

Shqipëria ishte një rast i veçantë.

Shqipëria ishte një rast i veçantë: përkrah Jugosllavisë ajo ishte vendi i vetëm komunist në Evropë që doli nga Traktati i Varshavës që në vitin 1961. Diktatori i Shqipërisë Enver Hoxha, praktikonte një stalinizëm të ashpër. Ai i kishte kuptuar edhe reformat në Bashkimin Sovjetik nën drejtimin e Nikita Hrushovit si devijim nga mësimet e marksizëm-leninizmit të vërtetë. Shqipëria kishte ndërprerë marrëdhëniet me të gjitha shtetet socialsite dhe nuk mbante kontakte as me botën perëndimore. Ajo ishte vetëizoluar.

Monument në Tiranë.

Regjimi kishte shkatërruar sistematikisht të gjitha institucionet që mund t'i bënin konkurrencë.



Aparati represiv i vendit ishte shumë më brutal dhe i organizuar më me themel se në vendet tjera të Evropës Lindore. Shqipëria nuk kishte nevojë për mure dhe gardhe kufiri. Tilman Berger nga Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International e përshkruante kështu gjendjen në Shqipëri në dhjetor të vitit 1990 në dhjetor të vitit 1990: „Shqipëria ishte me vite të tëra pas shteteve të tjera të Evropës Lindore me standardet e të drejtave të njeriut. Nuk kishte mbrojtje në gjykata. Dënimet ishin të mëdha. Shumë shpesh zbatohej dënimi me vdekje.“

Vetura private nuk kishte dhe udhëtimet brenda vendit bëheshin vetëm me lejen e autoriteteve. Çdo i huaj zgjonte menjëherë vëmendjen e spiunëve të shërbimit të fshehtë.

Regjimi kishte shkatërruar sistematikisht të gjitha institucionet që mund t'i bënin konkurrencë. Kjo pati goditur veçanërisht rëndë bashkësitë fetare, të cilat jo vetëm që u ndaluan por përfaqësuesit e tyre, priftërinjët dhe hoxhallarët u internuan dhe shumë prej tyre edhe u vranë.

Franz-Josef Strauss shpresonte në hapjen e Shqipërisë por nuk kishte iluzione.

Franz-Josef Strauss shpresonte në hapjen e Shqipërisë por nuk kishte iluzione.

Për shkak të fuqisë së aparatit represiv dhe të spiunazhit nuk mund të krijoheshin as rrjete të disidentëve. Jo rrallë aparati i spiunimit futej edhe brenda familjes. Kësaj i shtohej edhe ushtrimi i hakmarrjes ndaj familjarëve. Prindërve u duhej të ruheshin dhe të mos flisnin hapur me fëmijët e tyre. Në rast se fëmijëve të shkujdesur do t' u shpënte ndonjë fjalë në shkollë atëherë e tërë familja rrezikohej me internim.

Si në Pragë ashtu dhe në Tiranë shpërbërja e regjimit filloi përmes ambasadave perëndimore. Një rol të veçantë ka luajtur Republika Federale e Gjermanisë, e cila me nxitjen e kryeministrit bavarez Franz-Josef Strauß vendosi në vitin 1987 marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Strauß shpresonte atëherë në hapjen e vendit por nuk kishte iluzione: „Partnerët e mi në bisedime nuk përmenden fjalën 'reforma' por folën për 'përmirësimin e eficiencës së sistemit të tyre'. Si i huaj bën mirë që mos tu japësh këshilla. Unë besoj që tani ka filluar hapja e Shqipërisë por ajo do të pasohet vetëm me hapa të vegjël mikroskopik”.

Ambasadori i ri i Shqipërisë ende nuk kishte filluar mirë detyrën në pranverë të vitit 1990, kur në fillim të korrikut mijëra njerëz vërshuan në ambasadën gjermane dhe pastaj edhe në ambasadat e tjera perëndimore.

Në mars të vitit 1991 u zhvilluan zgjedhjet e para shumëpartiake.

Në mars të vitit 1991 u zhvilluan zgjedhjet e para shumëpartiake.

Për të mbajtur gjendjen në kontroll, qeveria nën drejtimin e presidentit Ramiz Alia lejoi udhëtimin e papenguar të refugjatëve dhe përmes një procedure të shpejtë i pajisi ata me pasaporta. Në mes të korrikut rreth 5.000 refugjatë të ambasadave u larguan nga vendi përmes një aksioni të kryer brenda një natë. Megjithatë regjimi qëndroi edhe nëntë muaj të tjerë.

Lëvizja studentore e dhjetorit ishte ajo që dha impulsin vendimtar për ndryshimin e regjimit. Nga kjo lëvizje stdunetore u krijua Partia Demokratike. Më 20 shkurt të vitit 1991 demonstruesit rrëzuan në Tiranë bustin e Enver Hoxhës.

Në mars të vitit 1991 u zhvilluan zgjedhjet e para shumëpartiake, të cilat u fituan nga ish-komunistët të mbledhur në Partinë Socialiste. Ata mund të kontrollinin procesin zgjedhor. Dy muaj më vonë një grevë e përgjithshme e detyroi këtë qeveri të japë dorëheqjen. Po ashtu nga vera e vitit 1991 filloi një largim masiv i njerëzve drejt Italisë dhe Greqisë. Vetëm më 8 gusht në portin italian të Barit me një traget arritën 10.000 njerëz.

Një qeveri teknike nën drejtimin e opozitës demokratike morri përsipër qeverisjen e vendit. Në mars të vitit 1992 gati dy vjet e gjysmë pas rrëzimit të murit të Berlinit opozita demokratike fitoi zgjedhjet në Shqipëri.

Autor : Fabian Schmidt / Esat Ahmeti

Redaktoi : Aida Cama