1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria - presidente e CEFTA-s

Shqipëria mban për vitin 2012 Presidencën e radhës të CEFTA-s, marrëveshjes së tregtisë së lirë mes 8 vendeve të rajonit. Prioritetet: zhvillimi e liberalizimi në politikat bujqësore, doganat dhe shërbimet.

CEFTA i ka dhënë hov tregtisë rajonale

CEFTA i ka dhënë hov tregtisë rajonale

Marrëveshja e tregtisë së lirë mes vendeve të rajonit, CEFTA, vlerësohet si një instrument nxitës në dinamizimin e shkëmbimeve tregëtare mes vendeve anëtare dhe krijimin e një klime atraktive për rritjen e volumit të investimeve të huaja në mesin e shteteve anëtare. Për vitin 2012 Presidencën e radhës të CEFTA-s e ka Shqipëria, e cila ka përcaktuar disa objektiva kryesore për të gjithë axhendën e aktiviteteve të kësaj periudhe. Anëtare të Marrëveshjes janë veç Shqipërisë edhe Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Kosova, Kroacia, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Liberalizim i politikave bujqësore, doganave dhe shërbimeve

Prioriteti i parë është lehtësimi i tregtisë nëpërmjet eleminimit të të gjitha barrierave për hyrjen në treg dhe të bërit biznes në rajon. Pranvera Kastrati, drejtoreshë e politikave të integrimit tregëtar në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës në Tiranë mbulon pjesën teknike te ne këtë vit Presidence të Shqipërisë në CEFTA. Duke folur për DW-në për këtë prioritet, Kastrati tregon për tri drejtimet kryesore: ato janë sektori i bujqësisë, eleminimi i barrierave tregtare në dogana dhe liberalizmi i tregtisë së shërbimeve. Duke iu referuar tregëtisë së lirë nga Shqipëria dhe në Shqipëri me vendet e rajonit ajo përmend tregues të përmirësuar në volumin e shkëmbimeve.

“Përpara se sa të ekzistonte liberalizimi i tregtisë mes vendeve të rajonit, tregtia që Shqipëria kishte me to në raport me të gjithë volumin tregtar ishte vetëm një vlerë minimale në kuotën 2.4 përqind. Ndërkohë që sot niveli ka shkuar në 10 përqind. Natyrisht që BE vijon të mbetet partneri kryesor, por nga ana tjetër është e dukshme që liberalizmi i tregtisë me vendet e rajonit ka dhënë një impakt shumë pozitiv.”

Pranvera Kastrati, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës e Shqipërisë flet për DW

Pranvera Kastrati, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës e Shqipërisë flet për DW

Autoritetet zyrtare të ekonomisë në Shqipëri presin dhe përmirësim të volumit të shkëmbimeve dhe për produktet bujqësore mes vendeve anëtare të CEFTA-s tani, kur nga 1 janari 2012 kur aplikohet liberalizimi total në tregtimin e këtyre produkteve.

“Sa i takon tregtisë së shërbimeve, objektivi ynë madhor është për të vlerësuar mundësinë e hapjes potenciale të negociatave brenda këtij viti dhe në të njëjtën kohë sapo kemi finalizuar një matricë tepër dinamike dhe shumë komplekse, përsa i takon masave kufizuese në tregtinë e vendeve të rajonit dhe për këtë me ndihmën e OECD-së do të bëhet matja e indeksit të shtrëngueshmërisë, me impakt për të treguar se sa është shkalla me të cilën vendet mund të tregtojnë midis tyre në fushën e shërbimeve”, thotë Kastrati.

Tregti e lirë me prioritete zhvillimi

Tregti e lirë me prioritete zhvillimi

CEFTA Trade Portal: administrim në rajon

Një prioritet i dytë për këtë vit në CEFTA është dhe ngritja e kapaciteteve për bërjen e politikave tregtare. Sipas ekspertëve, kapacitetet e administratës publike në vendet e rajonit do të jenë ato që do të garantojnë përputhshmërinë e tyre me politikat e BE-së. Shqipëria ka propozuar një projekt rajonal dy vjeçar, që do të fokusohet tek ky objektiv, pra tek përafrimi i standarteve të vendeve të rajonit me ato të vendeve të BE-së.

Prioritet tjetër për Presidencën e Shqipërisë në CEFTA është dhe kalimi i portalit CEFTA Trade Portal brenda vitit 2012 nga menaxhimi që i bën Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, GIZ, tek vendet anëtare. Për këtë arsye, ekspertë nga GIZ dhe të gjitha vendet anëtare të rajonit janë duke diskutuar në Tiranë për strategjinë e transferimit të kompetencave në administrimin e këtij portali rajonal shumë të rëndësishëm, që përmban informacione të dobishme tregtare për secilin shtet anëtar dhe nivelin e shkëmbimeve mes tyre.

Portali zyrtarisht funksionon që nga fundi i vitit 2010, si një mbështetje e qeverisë së Republikës Federale Gjermanë, nëpërmjet financimit të GIZ dhe ku drejtimin teknik të projektit e ka që nga fillimi Shqipëria.

“CEFTA Trade Portal ka një rëndësi të trefishtë në bashkëpunimin rajonal: Së pari rrit transparencën e gjithçka bëhet në kuadër të të gjithë Marrëveshjes, në planin e politikave që ndiqen, procedimet, kuadrin legjislativ etj; e dyta, sepse konsiderohet dhe është provuar si një reduktim kostoje për biznesin dhe si një instrument për informacion paraprak për të ditur rregullat që aplikohen në tregtinë mes shteteve; e treta, si një mënyrë për të promovuar rajonin në tërësi, si një rajon me potenciale të mëdha për realizmin e investimeve dhe për zhvillimin e biznesit, për përpjekjet që të arrihen standardet e një zhvillimi të qëndrueshëm”, thotë për DW, Pranvera Kastrati, drejtoreshë e politikave të integrimit tregtar në Ministrinë e Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës në Tiranë.

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi