1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria po mbytet nga plehrat

Male plehrash të pakontrolluara janë pjesë e peisazhit të Shqipërisë. Vendi madje importon mbetje për siç thuhet riciklim. Ambientalistët japin alarm.

Plehra të derdhura në gropa dhe brigje lumenjsh të zë syri kudo, në periferi të kryeqytetit Tiranë, në qytetin port të Durrësit apo në veri të vendit në Shkodër. Jo vetëm mëkatarët privatë të ambientit derdhin atje mbeturinat e tyre, edhe komunat veprojnë në të njëjtën mënyrë. Kështu në qytetin e Durrësit nuk ekziston asnjë vend grumbullimi i rregullt për plehrat. Plehrat e më shumë se 200.000 banorëve përfundojnë thjesht në fushat përreth qytetit. Derrat dhe dhitë kërkojnë atje ushqim. Familje rome bëjnë një riciklim rudimentar duke kërkuar plastikë, letër, skrap dhe materiale të tjera të riciklueshme. Për të gjetur skrapin e çmuar, u vënë zjarrin plehrave dhe kështu lëndët e dëmshme përfundojnë në ajër dhe ujë dhe ndotin ambientin.

Müllkippe bei Shkodra im Norden Albanien Müll Umwelt Umweltverschmutzung

Ambjente me plehra në veri të Shqipërisë, Shkodër

Lavdosh Ferruni është një nga ambientalistët e paktë në Shqipëri. Ai ankohet prej kohësh për derdhjet e paligjshme të plehrave në vend, por deri tani nuk është bërë thuajse asgjë. "Gjatë 23 viteve të fundit, konsumi në Shqipëri ka shpërthyer. Infrastruktura nuk është zhvilluar me të njëjtin ritëm. Ne prodhojmë shumë më tepër mbetje nga sa jemi në gjendje të trajtojmë."

Ambientalistët japin alarmin

Administrata dhe politika mundohen të krijojnë të paktën bazat për trajtimin e plehrave. Në të gjithë vendin ka vetëm dy vend grumbullime konform rregullave të BE-së: një në kryeqytet dhe një në veri të vendit, në Bushat.

Por plehrat e Shqipërisë nuk krijohen vetëm në vend. Në vitin 2011 sipas të dhënave të Ministrisë shqiptare të Mjedisit, janë importuar rreth 300.000 tonë skrap dhe 20.000 tonë materiale të ndara plastike për riciklim, kryesisht nga Italia. Kjo është afërsisht sa sasia vjetore e plehrave të Tiranës. Dogana shqiptare i kontrollon importet e mbetjeve vetëm mbi bazë kampionesh.

Müllkippe bei Shkodra im Norden Albanien Müll Umwelt Umweltverschmutzung

Aktivisti për mbrojtjen e e mjedisit në Shqipëri, Lavdosh Ferruni

Ambientalistët si Lavdosh Ferruni janë të zemëruar: ata druajnë se me mbetjet e ligjshme importohen në mënyrë të paligjshme edhe mbetje të paligjshme, kryesisht nga jugu i Italisë. Zv/ministri i Mjedisit Taulant Bino përpiqet ta minimizojë këtë në intervistë me Deutsche Welle-n, dhe thotë se ambientalistët ekzagjerojnë, por ai pranon se në dogana ka probleme me punonjës të veçantë. As dogana dhe as Ministria e Mjedisit nuk mund të garantojnë që në vend nuk hyjnë mbetje të rrezikshme, thotë Bino.

Vështirësitë e brendshme në vend me trajtimin e plehrave i përjetoi nga afër edhe gjermani Wolfgang Krause. Ai ka qenë deri para dy vjetësh menaxher i një vend grrumbullimi plehrash në veri të Shqipërisë. Ngarkuar nga firma gjermane e trajtimit të plehrave Becker, ai ndërtoi vend grumbullimin dhe vendosi paisje riciklimi. Për llogari të firmës ai investoi gjithsej një gjysmë milioni euro. Me komunat përreth lidhi marrëveshje: ato do të sillnin plehrat e zonës së tyre në vend grumbullim dhe për trajtimin e tyre do të paguanin shtatë euro për ton. Krause planifikonte t'i ndante mbetjet e mbledhura, të riciklonte plastikën dhe ta shiste atë me çmim 60 euro për ton. Me të ardhurat e realizuara do të financonte funksionimin e vend grumbullimit.

Referendum për ndalimin e importeve të plehrave

Müllkippe bei Shkodra im Norden Albanien Müll Umwelt Umweltverschmutzung

Menaxheri i plehrave në Shqipëri Wolfgang Krause

Por plani nuk funksionoi: ajo që mungonte ishin plehrat. Vend grumbullimi është pothuaj i zbrazët. Vetëm 8 për qind e sasisë së llogaritur u livrua. Për shkak të dështimit të investimit, Wolfgang Krause humbi vendin e punës. Ndërkohë, furnizuesi kryesor potencial, qyteti i Shkodrës, sipas përllogaritjeve të USAID (United States Agency for International Development), prodhon rreth 2000 tonë plehra në muaj, ose rreth 50 kontenierë anijesh. "Por shumë komuna përreth vazhdojnë t'i derdhin plehrat e tyre thjesht në brigjet e lumit, të shpërndara në shumë gropa plehrash dhe presin që në pranverë të derdhen në det", thotë Krause. "Ndoshta janë këto plehrat që shfaqen pastaj në brigjet e Kroacisë". Kështu komunat kursejnë paratë që duhet të paguajnë për trajtimin e plehrave. Edhe gropat e plehrave të Shkodrës janë të dukshme në periferi të qytetit, në buzë të lumit Kir.

Por shqiptarëve duket se u ka mbaruar durimi: në prill një aleancë e gjerë mes ekologjistëve, ambientalistëve dhe Partisë Socialiste, në atë kohë në opozitë, arritën të merrnin miratimin për një referendum, me anë të të cilit duhet të ndalen të paktën importet e plehrave. Në dhjetor do të votohet dhe ka shumë gjasa që shqiptarët të votojnë kundër importeve të plehrave. Në atë kohë Partia Socialiste do të ketë marrë edhe përgjegjësinë e qeverisjes së vendit. Nëse vullneti i shprehur nga populli në referendum do të zbatohet në praktikë, atëherë importet e lëndëve të riciklueshme do të ndalohen ose të paktën do të kufizohen.

Por vetëm ndalimi i importeve të mbetjeve nuk e zgjidh problemin e Shqipërisë me plehrat. Ndotja nga plehrat e vendit mbetet, dhe nga kjo vuajnë qytetari, investuesit dhe natyra.