1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria po aplikon një paketë të re ligjore për të huajt

Legjislacioni i ri e kalon nga Ministria e Brendshme tek Ministria e Jashtme vendimmarrjen për miratimin apo refuzimin e kërkesës së të huajve për të marre vizë hyrëse apo qëndrimi në Shqipëri.

Tirana

Tirana

Paketa e re ligjore për hyrjen e të huajve në Shqipëri, përbën një hap tjetër përpara në procesin e përafrimit të legjislacionit me atë të BE -së. Kjo paketë parashikon ndjekjen e procedurave të tilla nga të huajt që kërkojnë të hyjnë në Shqipëri, që janë të njëjta me ato që shqiptarët ndjekin kur kërkojnë vizë për në vendet e BE-së, apo në vende të tjera të botës.

Gazmend Turdiu, Drejtor i Përgjithshëm për çështje Juridike, Ndërkombëtare dhe Konsullore në Ministrinë e Jashtme, argumenton qëllimin e hartimit të kësaj pakete ligjore: “Në vijim të angazhimit që kemi marë, për të përafruar legjislacionin e Shqipërisë me atë të BE-së kemi bërë një hap të rëndësishëm me hartimin e zbatimin e kësaj pakete ligjore. Ashtu si çdo shtëpi ka një mur rrethues që e mbron nga rreziqet dhe hyrës të paautorizuar, ashtu edhe kjo shtëpi e madhe që quhet Shqipëri, ka muret e saj rrethues, që janë kufinjtë, ka portat dhe hyrjet që hapen dhe mbyllen sipas disa rregullave të caktuara, që nuk janë të veçanta për shtetin shqiptar.”

Ministria e Jashtme, Tiranë

Ministria e Jashtme merr kompetencat për vizat hyrëse ose të qëndrimit të të huajve në Shqipëri.

Jo të gjithë të huajt që kërkojnë të hyjnë në Shqipëri duhet të kalojnë në procedurat, që parashikon paketa e re ligjore: “Në mënyrë të njëanshme kemi hequr të gjitha kërkesat për vizë për të gjithë shtetasit e BE-së. Paketa e re ligjore ka edhe një klauzolë, sipas të cilës, çdo shtetas jo i BE-së që ka ose një vizë Shengen ose një leje të vlefshme qëndrimi për një vend Shengen, vjen në Shqipëri pa vizë,” thotë Turdiu.

Përveç këtyre rasteve, në Shqipëri hyjnë pa viza të gjithë shtetasit e vendeve me të cilat Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje reciproke të heqjes së vizave si me Maqedoninë, Kosovën, Korenë e Jugut dhe së shpejti pritet edhe me Bosnjë- Hercegovinën. Për të gjithë shtetasit që nuk u përkasin këtyre vendeve dhe as atyre të BE-së, paketa e re ligjore parashikon disa kategori vizash. “Kemi miratuar vizën A për lehtësira aeroportuale, është viza B që është për persona që kërkojnë të kalojnë në territorin e Shqipërisë të hyjnë në një portë dhe të dalin nga një tjetër, për të shkuar në një vend tjertër, viza C që është ajo e qëndrimit afatshkurtëtr, dhe viza D që është viza e qëndrimit afatgjatë, që mund të merret për arsye të ndryshme bashkimi familiar, martese me një shtetas shqiptar apo të huaj, që ka leje qëndrimi, për studime, mjekim etj., pra çfarëdo arësye tjetër që lidhet me një qëndrim të gjatë në Shqipëri,” thotë Gazmend Turdiu.

Gazmend Turdiu, Drejtor i Përgjithshëm për çështje Juridike, Ndërkombëtare dhe Konsullore në Ministrinë e Jashtme.

Gazmend Turdiu, Drejtor i Përgjithshëm për çështje Juridike, Ndërkombëtare dhe Konsullore në Ministrinë e Jashtme.

Dokumentacioni i kërkuar për të huajt që nuk bëjnë pjesë në BE, dhe as në vendet me të cilat shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të ndërsjellta për heqjen e vizave përbëhet nga ftesa e pritësit në Shqipëri, llogaria bankare, sigurimi shëndetësor, leja e punës, etj.. A rrezikojnë këto procedura uljen e numrit të turistëve që vijnë nga këto vende? Gazmend Turdiu mendon që jo. Ai thotë që përkundrazi redukton kohën e marrjes se vizës, pasi çdo turist e di me saktësi se çfarë kërkohet për të marrë një vizë drejt Shqipërisë dhe e përgatit paraprakisht dokumentacionin. Madje për ta nxitur turistët e huaj të vijnë në Shqipëri, paketa e re ligjore parashikon hyrjen në Shqipëri pa viza të qytetarëve të atyre vendeve jashtë BE-së, për të cilët statistikat tregojnë se kanë interes për Shqipërinë. “Qytetarët e Rusisë, Ukrainës dhe Serbisë, mund të vijnë në Shqipëri gjatë sezonit turistik pa viza, pasi ata rezultojnë që kanë qenë më të shumtët në vitet e kaluara,” thekson Gazmend Turdiu.

Përafrimi i legjislacionit të Shqipërisë për vizat me atë të BE-së, ka sjellë edhe një risi cilësore. “Nëse më parë autoriteti që kishte vendimmarrjen për miratimin ose refuzimin e një kërkese për vizë ishte Ministria e Brendshme, tani ky autoritet është Ministria e Jashtme. Natyrisht Ministria e Jashtme konsultohet me Ministrinë e Brendshme, me policinë e shtetit, nëse personi që kërkon vizë për të hyrë në Shqipëri ka një histori negative me shtetin shqiptar apo jo,” vë në dukje Zoti Turdiu.

Autor : Ani Ruci

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 12.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I89u
  • Data 12.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I89u