1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria para hetimeve të EULEX-it

Në Shqipëri mbërrijnë së shpejti ekspertët për të filluar hetimet mbi akuzat e eurodeputetit, Dick Marty për një trafik të mundshëm organesh në territorin e Shqipërisë nga UÇK gjatë luftës së Kosovës.

Këshilli i Sigurimit

Këshilli i Sigurimit

Ligji i sapomiratuar quhet “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën hetimore speciale të EULEX-it”. Burime nga Ministria e Drejtësisë thanë për DW se ai bazohet  në Marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit, e cila parashikon bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe BE edhe në fushën penale.

Mbështetja e gjerë politike, që ky ligj mori, e shprehur në votat pro të 127 deputetëve, në Parlamentin prej 140 vendesh, tregon një angazhim të fortë politik për zbardhjen e kësaj çështjeje. Në këtë kontekst delegacioni i BE në Tiranë e vlerësoi miratimin e këtij ligji  si ”një hap të rëndësishëm për të kryer një hetim të plotë, të drejtë dhe të pavarur lidhur me akuzat për krime lufte që përmban raporti  i Këshillit të Europës, i përgatitur nga eurodeputeti Dick Marty”.

Ndërsa SHBA e mirëpritën si një “angazhim të Shqipërisë ndaj integrimit europian dhe bashkëpunimit rajonal”. Ajo që të gjitha palët presin  nga EULEX është një hetim i  plotë, korrekt dhe transparent që do të zbardhë të vërtetën dhe do të vërë drejtësinë në vend.

Eurodeputeti Dick Marty

Eurodeputeti Dick Marty

Imunitet diplomatik dhe dorë të lirë për të ekstraduar të dyshuar

Për të kryer një hetim me të tilla cilësi dhe që të ketë rezultat, ligji i jep misionit të EULEX-it mbrojtje dhe dorë të lirë. Imuniteti diplomatik është një nga pikat e rëndësishme që ligji u garanton hetuesve europianë të EULEX – Kosovës gjatë gjithë kohës kur ata do të operojnë në Shqipëri.  Përveç këtij statusi të rëndësishëm, ligji u jep pavarësi për të dëgjuar dëshmitarë apo persona të akuzuar në Shqipëri, për të kqyrur mjedise, marrë prova dhe mbajtur  materiale të rëndësishme për hetim dhe gjykimi. Jo vetëm kaq, por dy nene të këtij ligji sanksionojnë të drejtën e hetimit, të sekuestrimit të materialeve, dhe më e rëndësishmja të drejtën për të  kërkuar ekstradimin e personave.

Shqetësime për cënim të të drejtave të qytetarëve të Shqipërisë

Imuniteti diplomatik dhe e drejta për të kërkuar ekstradimin e personave u jep një autoritet të madh ekspertëve europianë të EULEX- Kosovës. Por në komunitetin e juristëve vendas kanë nisur të shfaqen shqetësime lidhur me mundesinë e cënimit të të drejtave dhe lirive që Kushtetuta u garanton qytetarëve të Shqipërisë.

Sipas këtij ligji autoritetet shqiptare gjyqësore nuk mund të refuzojnë kërkesat për ekstradim ndaj qytetarëve shqiptarë, të lëshuara nga hetuesit europianë të EULEKS-it për në  Gjykatën e Hagës. Kjo sipas tyre bie ndesh me pavarësinë e gjyqësorit që BE kërkon me këmbëngulje nga Shqipëria. Një shqetësim tjetër është dhënia e të drejtës EULEX-it për të kontrolluar mjedise dhe arrestuar qytetarë, kur ndaj tyre ka dyshime. Por nëse TASK Force  e EULEX –it arreston një shtetas shqiptar me dyshimin e përfshirjes në tregtinë e organeve dhe më pas rezulton se ky person është i pafajshëm atëherë jo EULEX-i por edhe shteti shqiptar duhet të marre përsipër dëmshpërblimin e tij.

Parlamenti në Tiranë

Parlamenti në Tiranë

Diskutim në Këshillin e  Sigurimit të OKB për angazhimin e Shqipërisë

Akuzat për trafik organesh edhe në territorin e Shqipërisë nga UÇK- ja gjatë luftës së Kosovës nisen të qarkullojne nga fillimi i vitit 2000.  Por edhe pas 12 vitesh e vërteta nuk është zbardhur ende  dhe drejtësi ende nuk është bërë.

Prokurorë të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës në ish- Jugosllavi erdhën dhe hetuan në fillim të viteve 2000, por hetimet u mbyllën pa rezultat për mungesë faktesh. Në vitin 2004 akuzat morën hov nga një libër i ish-kryeprokurores në Gjykatën e Hagës, Carla Del Ponte.  Në janar të vitit të kaluar Këshilli i Europës miratoi raportin e europarlamentarit Dick Marty, ku ngrihen sërish të njëjtat akuza. Sot Këshilli  i Sigurimit të OKB-së do të diskutojë gadishmërinë e Shqipërisë për të hetuar për këtë çështje. Nuk dihet ende nëse miratim i ligjit të ri nga Parlamenti si edhe ardhja e ekspertëve europianë të EULEX-it për të hetuar do të jenë tregues të mjaftueshem per të shmangur ngritjen e një Gjykate Ndërkombëtare nga OKB për të hetuar në Shqipëri.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi