1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria përballet me mjaft probleme në mbrojtjen e mjedisit

Opinioni është mendimi se gjithshka për zgjidhjen e problemeve të mjedisit duhet ta presin nga autoritetet lokale dhe qëndrore. Mungojnë iniciativat dhe vetëorganizimet në komunitet për të zgjidhur disa nga problemet.

default

"Dita evropiane pa makina"- Tiranë, 22 shtator 2008

Këto ditë në Tiranë u shfaq një film dokumentar i regjizorit gjerman, Andreas Stiglmayer. Në qëndër të këtij realizmi ishte iniciativa e një grupi qytetarësh në një provincë të ish Gjermanisë Lindore në vitet '90 të shekullit të kaluar. Përballë një realiteti mjaft problematik, përballë dukurive negative që ndodhnin prej kohësh një grup prej120 personash u vetëorganizua në ndërtimin e një zone ekologjike të quajtur “Shtatë bliret”. Dokumentari tregon këmbënguljen e këtij komunitetit për të ndryshuar gjendjen, peripeci, mëdyshje, por dhe vendosmëri për të marrë në dorë mjaft aspekte nga mbrojtja e mjedisit vënia e tij në shërbim dhe dobi të qytetarëve.

Verkehrkaos in Tirana 2008

Kaos trafiku

Organizimet e komunitetit u stërpolitizuan

Për auditorin ku u shfaq filmi është i njohur fakti se në Shqipëri ku vjen puna për mbrojtjen mjedisit, për raportet natyrë – njeri, për menazhimin e mbeturinave urbane, për sistemin e infrastrukturës afër ose larg godinave të banimit, për rritjen e sipërfaqeve të gjelbërta, evitimin e errozionit dhe rrëshqitjeve të tokës etj., qytetarët janë thuajse në një mëndje: zgjidhjet duhet të vijnë nga pushteti lokal, ose ai qëndror. „Të gjithë lehtësohemi duke fajësuar autoritetet, duke kërkuar llogari, e duke lëshuar vetëm kritika“, thotë Dajlani, librashitës rreth të pesëdhjetave. Sipas tij, në kohën e diktaturës ka patur organizime të komunitetit por ato u stërpolitizuan. Tani pas 20 viteve tranzicion kemi frikë t'u kthehemi atyre, qoftë dhe në një mënyrë praktike dhe të dobishme për gjithësecilin. Nuk them se duhet të ishim baraz me atë që ndodh në Gjermani, por disa elementë bazikë të vetëorganizmit duhet t‘i kishim bërë pjesë tonat në jetën e përditshme, thotë Dajlani për DW. „Mungon edukata e punës. Plus dhe ajo pak edukatë e kultivuar është fshirë fare dhe njerëzit mbeten thjesht në atë guackën e shtëpisë, sepse është dhe e vështorë që t‘a rikthesh prapë“.

Altini një aktivist i shoqatave mjedisore thotë se apatia e komunitetit është e dukshme dhe gjatë aksioneve konkrete që zhvillohen në terren. „Kemi organizuar mjaft fushata sensibilizmi psh., për largimin e mbeturinave përgjatë vijës bregdetare. Por pak qytetarë na janë afruar në fakt. Aty ku është bërë pastrimi, sërish pas disa ditësh kanë ‚gëluar‘ plehrat dhe hedhurinat gjithëfarë“- thotë ai për DW.

Apatia e komunitetit

Gökhan është një shtetas turk që jeton prej 6 viteve në Shqipëri. Ka qëndruar për disa kohë në Durrës dhe tani është vendosur në një lagje në qëndër të Tiranës. “Për mua është një problem shumë i madh trafiku. Një kaos i vërtetë që ndodh çdo ditë dhe cilido qytetar humb shumë kohë dhe karburant duke kaluar nga një rrugë në tjetrën. Mirë infrastruktura, por shumë probleme vijnë dhe nga moskujdesi i qytetarëve për të zbatuar kodin rrugor. Kushdo parkon ku të mundet pavarësisht se bëhet pengesë për të tjerët. Kalimtarët ecin pa kujdes në rrugë dhe nuk i respektojnë vijat e bardha apo tabelat e tjera orientuese. Kjo i shton problemet me qarkullimin, duke e bërë torturë përdorimin e makinës në qytet. Shikoni, makina për një pjesë të banorëve është nevojë biznesi, nevojë jetese”, thotë Gökhan për DW-në.

Kaos në trafik

Maria është shtetase franceze dhe ka rreth 20 vite që jeton e punon në Shqipëri. Ajo që e shqetëson më shumë nga realiteti shqiptar është, sic thotë ajo, familjarizimi i qytetarëve me gjendjen, gjëra që nuk shkojnë duken si normale, shprehet Maria për DW-në. „Për mua kryeqyteti është prezantuesi më i mirë për imazhin e Shqipërisë. Por pastërtia në rrugë, në sheshe, në ambjentet publike lë mjaft për të dëshiruar. Unë kam hyrë në shumë shtëpi të miqve shqiptarë dhe kam parë një arredim luksoz, pastërti dhe rregull në cdo ambjent. Por sa kam dalë në shkallët e pallatit, në oborr dhe pak më tutje gjithshka është krejt ndryshe. Si mund të qëndrosh i qetë në apartament ose në vilë, dhe jashtë derës, poshtë dritares, a pak më tutje kur syri të zë vetëm hedhurina, ujëra që s'dihet se nga burojnë e ku derdhen, kafshë të lodhura potencialisht bartëse infeksioni që enden për t‘u ushqyer ose relaksuar ku të munden. Njerëzit duken të ambjentuar. Mbeturinat plastike janë të kudondodhura. Duhet të nisë sa më parë përdorimi i materialeve riclikuese, sic janë ambalazhet e qelqit, të cilat janë dhe një standart i provuar në mbrojtjen e mjedisit“.

Duke iu kthyer edhe një herë dokumentarit që u shfaq ditët e fundit në Tiranë, mesazhi për regjisorin gjerman Andreas Stiglmayer është i thjeshtë, i drejtëpërdrejtë: “Mos prit politikën, por vepro vetë!“. I shfaqur në një audiencë shqiptare të vitit 2011, filmi mbi një ndodhi në ish Gjermaninë Lindore provokoi debat, solli natyrshëm një përvojë të munguar, në vendin e duhur, në kohën e duhur.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 05.04.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10nak
  • Data 05.04.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10nak