1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria nis negociatat për Trans Adriatik

Shqipëria ka nisur negociatat për tarifat e tranzitit të gazit dhe depozitat e tij, që pritet t'i mundësojë ndërtimi i gazsjellësit Trans Adriatik, që do të transportojë gaz nga Kaspiku në Europën Perëndimore.

Kazakistan, Pipeline

Kazakistan, Pipeline

Në fushat gazmbajtëse të Kaspikut, në Azerbaxhan gara tanimë ka filluar. Konkurentë të projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik janë projekti Nabucco që parashikon të kalojë gazsjellësin nga Turqia në Austri si dhe interkonektori Itali Greqi, që shmang kalimin nga territori shqiptar. Tre kompani të njohura në Europë: EGL e Zvicrës, Statoil e Norvegjisë dhe EON Ruhrgaz e Gjermanisë janë aksioneret e projektit Trans- Adriatik. Nëse ky projekt fiton atëhere gazi do të transportohet nga Kaspiku, në Gjeorgji, Turqi, Greqi, Shqipëri nga ku përmes tubacioneve nënujore në detin Adriatik do të kalojë në Jug të Italisë. Që andej në Europën Perëndimore. Në fund të këtij muaji ose në fillim të janarit 2012 do të jetë shpallur vendimi për projektin fitues. Distanca e shkurtër e lidhjes nënujore me Italinë është argumenti më i fortë, që projekti i gazsjellësit që kalon nga territori i Shqipërisë të fitojë garën. Ndërkohë qeveria e Tiranës ka filluar negociatat me drejtuesit e këtij projektit, të njohur me inicialet TAP-Trans Adriatic Pipeline.

Majlind Lazimi, kryetar i grupit negociator, drejtor kabineti në Ministrinë e Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës thotë për programin shqip të DW: “Po negociojmë për tarifat e gazit qe do të kalojnë në tubacionet e vendosura në territorin e Shqipërisë jo vetëm në tokë por edhe në detin Adriatik. Përveç tyre edhe për depozitat e gazit, pasi një pjesë e gazit që do të kalojë nga Shqipëria drejt Europës Perëndimore do të përdoret për të plotësuar nevojat e konsumatorëve dhe të ekonomisë pasi gazi rezulton si një nga burimet e energjisë me koston më të ulët.” thotë Majlind Lazimi.

Pipeline, Deti Kaspik EU

Pipeline, Deti Kaspik EU

Projekt ndërkombëtar gjeo- strategjik ku përfitojnë të gjitha palët

Negociatave të tanishme u ka paraprirë nënshkrimi në verën e këtij viti të një memorandumi mirëkuptimi mes qeverisë së Tiranës dhe kompanisë së TAP. “Vetëm për shqipërinë investimi parashikohet të jetë mbi një miliard euro” thotë Z. Lazimi.

Kjo shumë në terma konkretë përkthehet në hapje vendesh të reja pune, në zhvillim ekonomik. “Është një projekt gjeo – strategjik. Shqipëria përmes tij futet në hartën e koridorit të ri, jugor të gazit natyror. Tanimë është provuar që vendet që kanë rëndësi gjeo- strategjike ose janë pjesë e projekteve të mëdha të gazit apo naftës ose kanë përreth vende që kanë burimet e tyre. Gazi dhe energjia do të jenë përcaktuese të zhvillimeve ekonomike në vitet e ardhshme. Siguria e energjisë do të jetë përcaktuese edhe e zhvillimit ekonomik, mirëqënies, rolit që do të kenë shtete të caktuara në ekonominë globale. Kështu që është një projekt ndërkombëtar nga ku përfitojnë të gjitha palët” thotë Majlind Lazimi.

Nënshkrimi i projektit Nabucco-Pipeline në Ankara

Nënshkrimi i projektit Nabucco-Pipeline në Ankara

Kur do të fillojë ndërtimi i gazsjellësit Trans-Adriatik?

Përfaqësuesit e kompanisë së TAP i japin Shqipërisë një rol të rëndësishëm në hapjen e korridorit të ri jugor të gazit. Nisur nga ky rol projekti ka ecur edhe para se të merret vendimi nëse fiton ose jo garën. Kështu po adaptohet legjislacioni përkatës, është kryer studimi i mjedisit nga ku pritet të kalojnë tubacionete gazit dhe është firmosur një marrëveshje për një pikëlidhje në rrethin e Fierit me një tjetër gazsjellës që furnizon Malin e Zi, Bosnjën dhe Kroacinë. Lidhur me kohën e fillimit të ndërtimit të gazsjellësit Trans- Adritik ,Majlind Lazimi thotë: “Gjithë viti 2012 dhe një pjesë e vitit 2013 do të shërbejë për të përgatitur gjithë legjislacionin e nevojshëm dhe bërë ndërhyrjet e duhura që kërkon relievi i Shqipërisë. Parashikohet që një pjesë e tubacioneve të jetë edhe në reliev të thyer, me mbi 800 metra mbi nivelin e detit, gjë që kërkon të ndërtohen mbi 100 km të reja rrugë dhe të reabilitohen 50 km të tjera. Aty nga fillimi i vitit 2014 do të jetë koha kur konsorciumi Shah Deniz në Azerbaxhian do të jetë i gatshëm për të transportuar gazin e Kaspikut përmes TAP-it deri në pikën fundore, që është në jug të Italisë,” thotë Majlind Lazimi.

Në Shqipërit tubacionet e gazsjellësit Trans- Adriatik do të fillojnë në Miras të Korçës, do të përshkojnë 180 km në territorin e vendit dhe do të dalin në veri të Fierit, nga ku do të lidhen me Italinë.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama