1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria në grupin e "vendeve të sigurta" ?

Në tremujorin e parë të këtij viti është shtuar dukshëm numri i azilkërkuesve në Gjermani. Qeveria planifikon masa për parandalimin e azilkërkuesve nga vendet e Evropës Juglindore.

Azilkërkuesit nga Ballkani

Azilkërkuesit nga Ballkani

Në tre muajt e parë në Gjermani është shtuar dukshëm numri i azilkërkuesve, krahasuar me një vit më parë. Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë në Nyremberg kumtoi se në këtë periudhë kanë kërkuar strehim në Gjermani 37.820, që do të thotë 75,7 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por 2600 më pak se në tremujorin e fundit të vitit 2013.

Numri më i madh i azilkërkuesve edhe më tej vjen nga Siria e kapluar me luftë (rreth 5.500). Por muajt e fundit është shtuar dukshëm edhe numri i azilkërkuesve nga Serbia, Maqedonia, Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina.

Projektligji i qeverisë

Azilkërkuesit në Gjermani

Azilkërkuesit në Gjermani

Revista "Der Spiegel" njofton se në Gjermani është pargatitur një projektligj me të cilin Bosnje-Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia do të radhiten në grupin e "vendeve të sigurta". Kjo do të thotë se kërkesat e shtetasve të këtyre vendeve për azil, do të shqyrëtohet me një procedurë të shkurtër dhe ata që marrin përgjigje negative do të kthehen shumë shpejt në vendet prej nga kanë ardhur. Ministri i Brendshëm Thomas de Maisiere shpreson se ky dokument do të miratohet me 30 janar.

Futja e këtyre tre vendeve në grupin e "vendeve të sigurta" parashikohet edhe me marrëveshjen e koalicionit mes SPD dhe partive të Unionit (CDU/CSU). Gjatë vitit të kaluar nga këto tre vende janë paraqitur 22.000 kërkesa për azil, ndërkohë që përgjigje pozitive kanë marrë vetëm 60.

Edhe Shqipëria në këtë grup

Pro Asyl

Pro Asyl

Por gazeta "Der Spiegel" njofton se kohët e fundit janë shtuar zërat nga radhët e partive të Unionit, që mendojnë se në listën e vendeve të sigurta duhet të futen edhe Mali i Zi dhe Shqipëria. Të dhënat e gazetës "Der Spiegel" i ka konfirmuar një zëdhënës i ministrisë së Brendshme. Sipas tij, në grupin e vendeve të sigurta do të duhej të radhiten: Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Organizata për mbrojtjen e azilkërkuesve "Pro Asyl" i ka kritikuar planet e qeverisë. Sipas saj, numri kaq i vogël i personave nga këto vende që marrin azil nuk ka të bëjë me gjendjen atje, por me faktin që kërkesat e tyre nuk po shqyrëtohen detajisht dhe si duhet. "Nëse këto pesë vende radhiten në grupin e 'vendeve të sigurta', autoritetet do ta shfrytëzojnë këtë si justifikim për të mos i shqyrëtuar fare seriozisht kërkesat për azil të shtetasve të këtyre vendeve", kumtoi "Pro Asyl".