1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria në Gieselwerder: Festë vere me shije shqiptare

Në Gieselwerder organizohet festa shqiptare e verës nga 22-23 gusht. Kreu i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Gjermani, Andreas Hemming mbi impresionet që i presin vizitorët e dëshirën për të sjellë një Shqipëri ndryshe.

DAFG Andreas Hemming

Andreas Hemming

Deutsche Welle: z. Hemming Shqipëria vjen këtë javë në Gieselwerder përmes festës së verës - qyteti është skenë e kulturës shqiptare, si lindi kjo ide?

Andreas Hemming: Një histori pak e gjatë. Para disa muajsh tek Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Gjermani erdhi një letër e drejtorit të muzeut të tekstileve në Gieselwerder, i cili kërkonte partnerë për bashkëpunim dhe informacione për Shqipërinë për një ekspozitë tekstilesh ,që ai e përgatiste prej dy vjetësh. Ai bashkë me gruan e tij, Nora Kicher kishte qenë dy vitet e fundit në Shqipëri dhe në këto vizita ata kishin mbledhur një koleksion të mrekullueshëm të tekstileve të ndryshme shqiptare, mjete artizanale e të tjera. Kjo letër u bë shkas i lindjes së një miqësie dhe partneriteti, dhe kështu në kuadër të ekspozitës së tekstilit që është hapur në muze, do të organizojmë edhe festën e verës.

A i ka tërhequr arti i tekstilit nga Shqipëria në muzeun e Gieselwerderit deri më tani vizitorët gjermanë?

Ekpozita ka tërhequr vërtet vizitorë. Vetë familja Kicher është e njohur në Gjermani për prodhimin e tekstileve në tezgjah pas Luftës së Dytë Botërore, muzeu ka edhe një ekspozitë me arkivin e familjes, interesante është se muzeu gjendet pranë udhës së njohur të biçikletave pranë lumit Veser, dhe ky itinerar tërheq shumë njerëz sidomos në muajt e verës, në fundjavë qëndrojnë në muze deri në 40 vizitorë në ditë.

Një festë vere nga Shqipëria, të shpresojmë që edhe temperaturat të jenë si në Shqipëri, si mund ta përfytyrojmë festën - argëtim shqiptar me mbështetje gjermane e në fund del një festë integrimi?

Po pak a shumë kështu! Do të kemi një përzierje si në një festë fshati me impresione kulturore. Muzeu është shumë i ndërlidhur me strukturat lokale. Të shtunën dhe të dielën (22-23 gusht) festa do të hapë dyert nga ora dy deri në gjashtë të pasdites. Kemi një prezantim për kulturën e muzikës në Shqipëri nga Bledar Kondi, edhe unë vetë do të flas si etnolog për traditën e kulturës shqiptare nga e shkuara deri në kohët moderne. Nora Kicher nga muzeu i tekstilit do të rrëfejë përshtypjet e saj nga udhëtimet në Shqipëri, e mjaft aktivitete të tjera.

Ne festë do të ketë edhe një pazar shqiptar, çfarë do të ofrohet aty?

Në këtë pazar do të gjesh tekstile e objekte të ndryshme shqiptare që mund të blihen nga vizitorët, arti artizanal po ashtu do të jetë prezent në stendat e pazarit, qilima, qëndisma, punime në bizë etj.

Duket se aktiviteti bën një lidhje interesante mes Shqipërisë tradicionale dhe Shqipërisë sot. Është ky edhe qëllimi i festës?

Një nga qëllimet e këtij organizimi është që ta prezantojmë kulturën shqiptare si diçka interesante, intriguese, pra nga njëra anë kuzhina shqiptare, përditshmëria shqiptare, arti artizanal dhe në të njëjtën kohë duam të integrojmë aty edhe refugjatët e ardhur së fundmi nga Shqipëra që janë vendosur në Gieselwerder. Duam të tregojmë se Shqipëria është një pjesë e Europës, që Shqipëria ekziston, që ky vend ofron diçka që është po ashtu pjesë e Europës.

A prisni shumë vizitorë?

Besoj po, nuk mund të them me saktësi, por kemi mjaft regjistrime tani. Por besoj se do të vijnë miq që njoftohen edhe nga rrjetet sociale, ata që lexojnë faqen tonë të internetit. Pra, për kushtet e Gieselwerderit presim vërtet një fluks njerëzish.

Aktualisht lajmet në Gjermani sundohen nga fluksi i refugjatëve nga Shqipëria, Kosova e vende të tjera të Ballkanit. Shqipëria prezantohet si një vend që eksporton vetëm refugjatë. Do të jetë kjo temë prezente në festën e verës?

Në Gieserlwerder ka refugjatë shqiptarë që kanë ardhur këto muajt e fundit dhe landi i Saksonisë së Poshtme i ka akomoduar aty. Kjo temë nuk mund të mohohet, dhe sigurisht është një temë për të cilën duhet folur hapur dhe drejt. Shqipëria nuk është një vend i pasur, ka zona në Shqipëri ku kushtet jetësore janë shokuese, parë nga perspektiva gjermane. Kjo do të tematizohet, por nga ana tjetër duam të theksojmë se Shqipëria ka shumë për të ofruar dhe ia vlen një vizitë në këtë vend, bëhet fjalë në këtë festë edhe për mirëkuptimin mes popujve. Ne duam të zgjojmë interesin për ata njerëz që e njohin Shqipërinë vetëm nga shtypi, që njohin stereotipet e njohura. Pra ne duam t'u ofrojmë këtyre njerëzve mundësinë për një imazh të diferencuar për Shqipërinë.

Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Gjermani ka një traditë të sajën në ngritjen e urave të komunikimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Çfarë projektesh do të kemi në të ardhmen?

Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Gjermani ekziston prej 44 vetësh. Tani pas 18 vjetësh kemi bërë edhe një ndryshim, pas Bodo Gudjons vazhdoj unë me drejtimin e shoqatës. Me këtë ndryshim sigurisht lidhet edhe një reflektim, vështrim pas, çfarë kemi realizuar, por edhe një vështrim drejt së ardhmes. Bashkëpunimi me muzeun është një model bashkëpunimi, por në të ardhmen do të kërkojmë më shumë partnerë për të mbledhur bashkë të gjithë grupimet e vogla të shqiptarëve nga Shqipëria apo Kosova të shpërndarë në Gjermani, ne duam të krijojmë një rrjet lidhjeje për ta, në mënyrë që ata të vazhdojnë lidhjen me kulturën e tyre.