1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shqipëria mund të presë ende për kandidaturën në BE

Në projektraportin ku bën vlerësimin e ecurisë së vendeve aspirante në BE Komisioni Evropian jep notat për vendet kandidate apo ato që duan të marrin statusin e vendit kandidat. Shqipëria duket do të presë ende.

Komisioni Evropian në Bruksel

Komisioni Evropian në Bruksel

Projektraporti i Komisionit Evropian, i cili citohet nga agjencitë perëndimore të lajmeve përmend fushat kryesore ku nevojiten përmirësime në drejtim të reformave demokratike dhe forcimit të shtetit ligjor në vendet e Evropës Juglindore.

Të gjitha vendet aspirante për në BE si Shqipëria, Mali i Zi Serbia, Kroacia, Bosnja, Maqedonia, Kosova, Turqia, madje dhe Islanda kanë ende detyra shtëpie për të bërë, sipas KE-së.

Për Shqipërinë nuk priten vlerësime edhe aq pozitive, si pasojë e një konflikti të tejzgjatur të brendshëm politik në vend, pas kontestimit të zgjedhjeve të qershorit 2009 nga ana e opozitës socialiste, njofton agjencia gjermane e lajmeve dpa. Për këtë arsye edhe pritet që në datën 9 nëntor Komisioni të shtyjë vendimin për Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat. "Nuk është arritur në shkallën që duhet efektiviteti dhe stabiliteti i institucioneve demokratike. Po ashtu institucionet parlamentare dhe procedurat lidhur me to nuk funksionojë ashtu siç duhet", kritikon raporti i KE-së Shqipërinë, që ende nuk po del nga ngërçi politik.

Ndërsa Kosova këshillohet në draftraport që të bëjë më shumë përpjekje për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe fenomenin e larjes së parave. Komisioni vëren ndër të tjera që në Kosovë nuk është e garantuar në praktikë liria e shprehjes. Reforma të mëdha duhet të bëjë shteti i ri edhe në drejtim të administratës publike dhe shtetit ligjor.

Mali i Zi, pretendent për statusin e vendit kandidat, pritet që në datën 9 nëntor të marrë vlerësime pozitive nga Komisioni, por edhe kritika si në drejtim të luftimit të pamjaftueshëm të krimit të organizuar që cilësohet një problem serioz për këtë vend.

Ndërsa Serbia vlerësohet për rezultatet pozitive në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, por asaj i tërhiqet vëmendja për më shumë bashkëpunim me Tribunalin e Hagës. Gjithashtu Komisioni këshillon Serbinë që të jetë më konstruktive në drejtim të Kosovës dhe të njohë vulat e doganës së saj.

Por kritika i adresohen edhe vendeve që janë mjaft të avancuara në rrugën e integrimit si vendi kandidat Kroacia. Ky vend duhet të përmirësojë problemet që ka lidhur me pavarësinë e mediave lokale, ka nevojë edhe t'i vërë më shumë fre korrupsionit në vend. Ndërsa Maqedonia, avancimi i së cilës drejt BE-së pengohet nga konflikti i emrit me Greqinë, duhet të bëjë më shumë për përmirësuar dialogun mes partive politike.

AG/Lindita Arapi

Redaktoi: Auron Dodi

DW.COM

  • Data 05.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PzUP
  • Data 05.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PzUP