1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria me gazetari në stanjacion

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit 2015 në Shqipëri. Përfaqësuesit e mediave thonë se jemi larg lulëzimit të lirisë gazetareske dhe kemi gazetari në stanjacion.

Që nga viti 1991, 3 Maji, përkujtohet si Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Kjo ditë u shpall nga Kombet e Bashkuara, me propozim të UNESCO-s, frymëzuar nga procesi i demokratizimit të shoqërive në Afrikë dhe fundi i Luftës së Ftohtë. Çdo vit, UNESCO përcakton një temë qendrore për të promovuar dhe mbrojtur lirinë e shtypit në mbarë botën. Tema qendrore e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit 2015 është: Le të Lulëzojë Gazetaria! Drejt një Raportimi më të Mirë, Barazie Gjinore! Si paraqitet situata në Shqipëri në raport me këtë temë?

Ylli Rakipi, Kryetar i Shoqatës së Gazetarëve, drejtues i programit ”Të paekspozuarit” një nga më të ndjekurit aktualisht në Shqipëri, në TV “Ora News” thotë për DW: ”Në Shqipëri shtypi, media nuk është drejt lulëzimit, pasi është pjesërisht e lirë. Nëse 10 vjet më parë, ishte politika që ushtronte presion të madh mbi shtypin, median sot janë pronarët që diktojnë politikën editoriale në favor të njërës apo tjetrës parti. Atë që para një dekade e realizonte politika, sot e realizojnë pronarët. Mungesa e lirisë ekonomike është faktori thelbësor, që i detyron pronarët të jenë partnerë të politikës. Për pasojë, një pjesë e rëndësishme e medias ekziston thjesht për trafik influencash me pushtetin dhe politikën. Ajo nuk mund ta informojë publikun në atë mënyrë që ai të jetë në gjendje ë marrë vendime që çojnë në zhvillimin e shoqërisë”.

Ylli Rakipi

Ylli Rakipi

Në vend të lulëzimit – stanjacion

Ky cënim i lirisë së shtypit dhe deformim i misionit të medias përbën edhe arsyen bazë pse në Shqipëri sot nuk bëhet fjalë për një lulëzim të gazetarisë. Ben Andoni, zëvendëskryeredaktor i revistës së përjavshme”Java” thotë për DW:
“Gazetaria e vitit 2015 është në stanjacion. Mungon një media specifike, ku politikat editoriale të jenë të pavarura. Ekonomikisht është shumë e vështirë që në Shqipëri të bësh një media të pavarur, pasi askush nuk është i interesuar ta mbajë ose të bëjë biznes përmes saj. Media është kthyer në një tifoze të mirëfilltë të politikës. Mjafton të shikosh renditjen standarde të edicioneve të lajmeve që të kuptosh se pesha specifike shkon tek politika, që do të thotë se politika editoriale është krejtësisht e varur nga interesat politike të pronarëve të shtypit dhe medias”

Pushteti i pronarëve dhe kasta e pasuruar e gazetarëve

Ajo që po ndodh në Shqipëri është se pronarët e mediave po shnëdrrohen nga dita në ditë në shkelësit kryesorë të lirisë së shtypit dhe minimit të një gazetarie në shërbim të publikut dhe zhvillimit të shoqërisë. “Pushteti i madh i pronarëve dhe përfitimet që ata marrin nga pushteti janë kërcënimi kryesor ndaj lirisë së shtypit. Pa harruar një kastë gazetarësh të pasuruar frikshëm, që u shërbejnë pronarëve apo grupime që informojnë pa kompetencë për çdo problem” thotë për DW, Ben Andoni.
Situata vjen e rëndohet ngaqë Shqipëria është një vend, që nuk ka një ligj për lirinë e shtypit. Ka vetëm një nen në Kushtetutë ku thuhet se “shtypi është i lirë; liria kufizohet vetëm përmes kushtetutës dhe ndalohet marrja e çdo mase tjetër që prek lirinë e shtypit”. “Mungesa e ligjit dhe shndërrimi i pronarëve në gardianë të medias së tyre përbëjnë kërcënimet kryesore të lirisë së shtypit” thotë për DW, Ylli Rakipi.

Media, korrupsioni dhe ligji

Por peisazhi mediatik në Shqipërisë nuk është uniform lidhur me kufizimin e lirisë dhe gazetarinë në shërbim të publikut.“Ka segmente mediatike që punojnë, që zbulojnë afera korruptive, abuzime me pushtetin, padrejtësira, por e keqja është që pas publikimit të tyre nuk ndodh asgjë, kjo sepse jemi një vend ku ligji ekziston por nuk funksionon. Publikohet një aferë korruptive dhe pas tri ditësh çdo gjë harrohet. Po të ishim në Perëndim dikush do të përgjigjej: ose pushtetari i lartë i korruptuar, ose media, ose gazetari që ka bërë publikimin” thotë Ylli Rakipi.

Për Ben Andonin pak afera korruptive zbulohen nga gazetarët.Për fat të keq ata që punojnë në mënyrë të pavarur janë të paktë.

“Zbulimi i aferave korruptive nga media më shumë përdoret kundër palëve. Në shumicën e rasteve korrupsioni në Shqipëri ka përfshirje të shumëanshme, ndërsa paraqitja e tij në shumicën e rasteve ka vetëm një kah, pa përmendur sistemin. Ka pak gazetarë që punojnë në mënyrë të pavarur, ata janë nën sulm dhe të pasigurtë” thotë ai për DW.

Gazeta në kiosk në Tiranë

Gazeta në kiosk në Tiranë

Mungojnë nismat në favor të lirisë së shtypit

Në Raport -Progresin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë vihet në dukje se mbetet një sfidë madhe “ndërhyrja në media e interesave politike dhe ekonomike”. A ka nisma që synojnë lirinë e medias dhe për pasojë luftën ndaj ndërhyrjeve të tilla? “Në Shqipëri nuk ka nisma reale që të favorizojnë lirinë e medias. Ka seminare, projekte të shumta, ku harxhohen jo pak para dhe fonde të BE dhe Perëndimit, ka organizma që janë bërë mjeshtra të këtij biznesi, ” thotë Ylli Rakipi.

Ndërsa Ben Andoni mendon se të tilla nisma nuk mungojnë. Por ato bëhen “nga të njëjtët subjekte, të njëjtët personazhe, që deri më tani nuk kanë arritur asgjë, pasi nuk kanë integritet moral”, thekson ai.“OSBE dhe Instituti i Medias kanë bërë disa nisma, por ato nuk ia kanë dalë mbanë të ndryshojnë situatën, sepse mendoj që autoriteti i tyre nuk i përgjigjet realitetit të sotëm në klimën mediatike shqiptare”, vëren Ben Andoni.
Barazi dhe ekuilibër gjinor?

Për Ylli Rakipin, sa i përket kësaj çështjeje në Shqipëri këtë 3 Maj ka tregues pozitivë. “Ka një raport të mirë gjinor, të ardhur në mënyrë normale, pa u sforcuar. Shpresoj që të mos ketë ndonjë nismë nga qeveria për hartimin e një ligji për barazinë gjinore në media! Të paktën kemi një vetërregullim që bazohet mbi kritere aftësie dhe profesionale.”
Kurse për Ben Andonin situata paraqitet ndryshe. “Dominon pjesa mashkullore, por edhe pjesa femërore, kur vjen në pozicionin vendimmarrës i bindet njësoj interesave”, mendon ai.