1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria intensifikon përpjekjet për plotësimin e kushteve teknike për liberalizimin e vizave

Pikëkalimet kufitare në jug të Shqipërisë kanë instaluar infrastrukturën për unifikimin e kontrollit kufitar shqiptar me atë evropian. Në jug janë ngritur edhe qendrat pritëse për të riatdhesuarit e viktimat e trafikut.

default

Lulzim Basha

Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet teknike në pikëkalimet kufitare dhe është bërë gati për të përfituar liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Në pikëkalimet kufitare prej disa muajsh është instaluar infrastruktura teknike – standart T.I.M , investim i SHBA-së dhe Gjermanisë, që unifikon kontrollin shqiptar me atë të vendeve të BE sipas parimit - një kontroll kufitar - doganor - evropian në një kalim.

Informatizim i kontrollit kufitar në Jug të Shqipërisë

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha inspektoi në fundjavë pikëkalimet kufitare në juglindje të vendit, ku u takua dhe me përfaqësues të policisë greke. Ministri Basha në Kapshticë theksoi rëndësinë e bashkëpunimit si partnerë të plotë. "Eshtë e rëndësishme që policia shqiptare e ajo greke të kenë të njëjtat standarte. Për këtë kemi investuar dhe në sisteme të reja fare, të ndërlidhura me interpolin, siç jeni në dijeni, praktikat më të mira europiane dhe kalimi në kufi ka qënë më i lehtë dhe ju kërkoj që ta vazhdojmë këtë deri në përfundim të sezonit."

Pikëkontrolli kufitar, pamje simbolike

Pikëkontrolli kufitar, pamje simbolike

Drejtori i policisë kufitare në jug të vendit Eduart Caka pohon se informatizimi, sistemi T.I.M, sistemi total i menaxhimit të informacionit është instaluar dhe ka gjithë të dhënat për gjithë shtetasit shqiptarë, të cilët janë pajisur me pasaporta, po kështu dhe shtetasit e huaj. Testet e këtij sistemi janë verifikuar të suksesshme, edhe për faktin se gjatë kësaj vere kontrolleve u janë nënshtruar disa qindra mijëra qytetarë, që kanë kaluar nëpër këto pikëkalime.

Modernizimi i infrastrukturës kufitare i suksesshëm në luftimin e trafikut të drogës

Prefektja e qarkut Gjirokastër, Mimoza Como, si kryetare e Komitetit shtetëror antitrafik, thotë se për të rritur performancën gjatë kësaj periudhe është treguar kujdes në luftën ndaj fenomenit të trafikut të drogës e qënieve njerëzore në krejt brezin kufitar me Greqinë dhe kjo është arritur krahas modernizimit të infrastrukturës kufitare. "Sigurisht me një bashkëpunim midis dy zonave, midis dy shteteve, që do t'i përcaktoja se kanë ndihmuar më së miri në rrugët e minimizimit të këtij fenomeni. Sigurisht në të gjitha rastet toleranca do të jetë zero."

Qendrat pritëse për të riatdhesuarit dhe viktimat e trafikut

Pjesë e këtij procesi përgatitor për liberalizimin e vizave është dhe sjellja e autoriteteve shqiptare të policisë dhe masat konkrete me shtetasit e deportuar dhe riatdhesimin e sidomos rehabilitimin e viktimave të trafikut. Për këtë arsye janë ngritur disa qendra pritëse përgjatë kufirit shtetëror me Greqinë.

Komandanti i pikëkalimit kufitar në Kakavije Gentian Hilla thotë se këto qendra kanë personel të kualifikuar psiko-mjekësor, jepet asistencë deri në ndjekje të rehabilitimit të personave për ditë e muaj me rradhë. Praktika e punës në këto qendra është verifikuar edhe prej specialistëve të seksionit përkatës të Bashkimit Europian.

Me këta specialistë është diskutuar rreth procedurave, që ndiqen me shtetasit e kthyer e në veçanti me viktimat e mundshme të trafikimit, siç janë femrat dhe fëmijët nën moshën 18 vjeç, thotë Hila. "Ata kanë ardhur, kanë marrë pjesë në procedurat e intervistimit, kanë vëzhguar nga afër të gjitha veprimet e punonjësve të policisë dhe kemi disktuar për gjithë problemet se çfarë lehtësirash mund të të krijojmë e çfarë duhet të përmirësojmë për të realizuar sa më mirë gjithë procedurat e duhura."

Me këto masa Shqipëria përmbush detyrimet e kërkuara për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Europian.

Autor: Odise Kote

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 23.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ou3P
  • Data 23.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ou3P